Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka kritikuar atë që partia në pozitë, VV-ja, po thotë se po e bën – çkapjen e institucioneve të pavarura të shtetit.

Sipas Gjinit, çkapje do të ishte nëse ato vërtetë do të ndodhnin, porse shton se VV-ja po e bën këtë për t’i kapur vetë.

Gjini i ftuar në emisionin “Desku” në KTV, ka pranuar se megjithatë ka ndikim politik në institucionet e pavarura. Ai ka refuzuar që këtë ta quajë kapje e shtetit.

Ju pëlqen!

“Nuk dua të përmend këtë term, por vërtetë ka jashtëzakonisht shumë ndikim politik në institucionet e pavarura. Është e pamohueshme, pasi gjatë krijimit të tyre, meqë janë institucione të pavarura që janë krijuar vonë, pas pavarësisë. Në fazat fillestare ka pasur mbushje të institucioneve, ka pasur shtrirje të ndikimit politik, jashtëzakonisht shumë, këtë e dinë njerëzit. Por çfarë ndodhi kur erdhi VV-ja? Tha se po do me i pastru këto institucione nga elementët politikë, por po i sjell njerëzit e vet. Po e bën Kosovën një shtet edhe më i keq se që ishte. Kjo është regres”, ka thënë Gjini.

Ai ka folur edhe për dy vitet e fundit pushtet të AAK-së. Ka thënë se ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kryetar edhe i AAK-së, e kishte të vështirë, pasi ishte në një koalicion me shumë parti dhe shpesh i “mbështetur për muri”.

“Ne e kemi sponsorizuar një projekt ligj duke supozuar se vetë do të jemi në qeveri. Kishim propozuar 15 ministri dhe kishim propozuar zvogëlimin e zv.ministrave. Haradinaj për shembull, është ndodhur në një situatë ose të të heqq dorë prej formimit të qeverisë ose të rrisë numrin e zv.ministrave. Në këtë situatë është gjetur Haradinaj, por ne po mësojmë prej gabimeve, diçka po kopjojmë, diçka po zbulojmë vetë”, është shprehur ai, duke komentuar numrin e madh të zv.ministrave në Qeverinë Haradinaj, mbi 80.

Gjini po ashtu ka komentuar edhe zhvillimet e fundit politike, ku partia e tij AAK-ja, mëton që të formojë qeverinë me LDK-në dhe Nismën.

Ai tha se është kundër mbajtjes së zgjedhjeve, siç kërkon VV-ja, jo për shkak të pandemisë, por pasi ato janë mbajtur para shtatë muajve.

“Nuk mendoj se duhet që sa herë të kemi një mocion mosbesimi të shkojmë në zgjedhje. Deputetët kanë marrë mandat 4-vjeçar, ata përfaqësojnë diçka. Edhe në Britani e Itali ndodhin ndërrimet e qeverive. Në demokracitë parlamentare, nuk shkohet në zgjedhje sa herë ka mocione. Kushtetuta jonë është e ngjashme, por sjellja jonë nuk ka qenë e ngjashme me demokracitë e zhvilluara”, ka thënë Gjini.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!