Zyrtarë të lartë të administratës amerikane qëndruan për dy ditë në Kosovë, në një vizitë që kishte për qëllim zbatimin e marrëveshjes për normalizimin ekonomik Kosovë-Serbi që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.

Delegacioni u përqendrua në fillimin e studimit të fizibilitetit për liqenin e Ujmanit dhe krijimin e lidhjeve më të mira në tregun e energjisë në Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zëvendës ndihmësi kryesor i Sekretarit për Energji të Shteteve të Bashkuara, Matthew Zais dhe drejtori menaxhues i zyrës rajonale të Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, John Jovanoviç, thanë se zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është përparësi e administratës amerikane.

“Absolutisht dhe kjo është një nga arsyet përse jemi këtu. Jemi këtu për dy qëllime: një është që të fillojmë studimin e fizibilitetit për liqenin dhe e dyta është që të punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj në rajon se si të krijohen lidhje më të mira në tregun e energjisë, qoftë elektrike apo gazit natyror. Dhe ka një mori mundësish. Ne kemi strategji për gazin natyror për Ballkanin. Dhe nuk ka rrugë tjetër për Kosovën përveç mundësive të saj që të jetë e lidhur me fqinjët dhe kjo do të ndihmojë ekonominë e Kosovës… Kur isha këtu herën e kaluar fluturova nga Athina ku u takuam me kryeministrin dhe ministrin e energjisë atje dhe diskutuam rritjen e lidhjeve të tyre më fqinjët edhe në kontekstin e lidhjes së vendeve si Kosova në rrjetin e gazit në këtë rajon. Dhe kjo është nga arsyet përse jemi këtu”, tha zoti Zais.

Zoti Zais thotë se arsyeja tjetër e vizitës së tyre ka të bëjë edhe me mbledhjen e informatave dhe vlerësimeve teknike për liqenin e Ujmanit.