Fjalimi i parë në përfaqësimin e qeverisë Kurti në rajon, interesave të qytetarëve dhe Republikës.

Për mediat greke kam thënë që njohja e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Greqisë është forcim dhe kontribut për stabilitetin dhe zhvillimin e Bashkimit Evropian. Sa më shpejtë që të ndodhë njohja aq më tepër shtohet roli pozitiv i Greqisë në rajon.

Detajet nga fjalimi, më poshtë si në komunikatën e lëshuar për media:

Z. Haki Abazi, Zv. Kryeministri i Republikës së Kosovës po merr pjesë në Forumin Rajonal të Selanikut 2020 “Planeti Balkanik: E ardhmja jonë në një fazë kritike?”

Në cilësinë e folësit kryesorë para pjesëmarrësve prej Ballkanit, përfaqësuesve të institucioneve Evropiane për Zgjerim dhe Integrim, Politikë të Jashtme dhe shoqërisë civile, Z. Abazi shtjelloi zhvillimet politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe argumentoi kundër ideve të ndryshimit të kufijëve si metodë dhe strategji për adresimin e çështjeve që janë ende të hapura në Ballkan.

3D – Diversity/Democracy/Development – Diversitet, Demokraci, Zhvillim si pika kryesore të fjalës së Zv.Kryeministrit të Kosovës, Z. Abazi, përfaqësojnë thelbin e axhendës transformuese të Qeverisë Kurti për sundim të ligjit, rritje të punësimit, zhvillim të qëndrueshëm, përmirësim të cilësisë së arsimit, shëndetësisë dhe rrjedhimisht integrimit në BE dhe NATO.

Z. Abazi theksoj, se: – Qeveria Kurti sjell një energji pozitive, respekt për diversitetin etnik, kulturor, fetar, si dhe modelin e fokusimit në të ardhmen e Kosovës me modesti dhe përqëndrim te qytetarët.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Z. Abazi, në cilësinë e Zv.Kryeministrit të Kosovës uroj, që në të ardhmen të punohet dhe të përfshihen cilësisht më shumë artistë, njerëz të kulturës dhe të realizohen shkëmbime akademike si promotorë të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit rajonal!

Forumi Rajonal i Selanikut shërben si një platformë e dialogut progresiv ndërmjet përfaqësuesve politik, ekonomik, akademik, shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor; një nismë rajonale gjeopolitike që fokusohet në zgjidhjet paqësore të konflikteve rajonale nëpërmjet fuqizimit të bashkëpunimit rajonal të vendeve zë Ballkanit Perëndimor si dhe nëpërmjet krijimit të një rrjeti rajonal të politikbërësve dhe shoqërisë civile.