Zëvendësambasadori rus në Tiranë, Andrej Shugurov ka deklaruar në një intervistë për kanalin Fax News se kërkesat e qytetarëve shqiptarë për vaksinën ruse kundër CoVid-19 kanë qenë të larta.

“Për sa i përket interesimit të qytetarëve, në adresë të Ambasadës ka patur shumë kërkesa për të shpëndarë disi këtë vaksinë mbi baza individuale. Për sa kohë vaksina nuk është çertifikuar për përdorim zyrtar në këtë vend, ne nuk mund ta sjellim atë. Rusia është e gatshme për bashkëpunim me çdo vend, përfshirë Shqipërinë, nëse ka një interes të tillë nga këta të fundit”, ka thënë ai.

Shugurov ka shtuar se Shqipëria nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë ndaj palës ruse, ndërkohë që ka vënë në dukje mendimin e ndarë të ekspertëve me ato të Komitetit të Ekspertëve që kontrollohet nga qeveria.

“Shqipëria nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë. Kam vënë re se në vend ka patur dy reagime: nga mjekë profesionistë dhe nga shkencëtarë virologë. Sipas tyre, vaksina ruse është prodhuar në bazë të metodave e teknologjive të njohura mirë dhe nuk duhet të paraqesë asnjë rrezik. Ky është një nga mendimet. Ka patur edhe një reagim tjetër nga disa anëtarë të Këshillit të Ekspertëve, sipas të cilit, zgjedhja e Shqipërisë është të presë për një “vaksinë të sigurtë perëndimore”, ka thënë diplomati rus.