Zinedine Zidane, i cili sot mbush 48 vjeç, u paraqit në një konferencë shtypi telematike në prag të ndeshjes së esërme, që Real Madridi do ta luajë kundër Mallorca, në stadiumin “Alfredo Di Stéfano” (ora 22:00).

Urime për datëlindjen tuaj, si po e pritni ndeshjen ndaj Mallorca?
Shumë faleminderit, së pari. Është shumë e qartë, ne do të luajmë kundër një skuadre që do të vijë për tri pikët. Ne mendojmë për lojën, me seriozitet dhe përqendrim. Duam ta fitojmë ndeshjen.

A është e drejtë ankesa e Real Madridit për oraret e ndeshjeve?
Të gjithë bëjnë punën e tyre këtu, unë bëj punën time si trajner. Unë kam mendimin tim, por një ditë na akuzojnë për oraret, një tjetër për gjyqtarët… Gjithmonë ka diçka. Puna ime tashmë është mjaft e ndërlikuar. Megjithatë, shqetësimi im është ndeshja e nesërme, një finale. Janë tetë ndeshje për t’u kaluar me sukses, kjo është shumë e rëndësishme. Kjo është ajo që më intereson. Pjesën tjetër e kuptoj, por nuk dua të merrem me të.

Sa e rëndësishme është koha midis ndeshjeve?
Kalendari është ai që është, ajo që duhet të bëjmë si ekip është të mendojmë vetëm si të riaftësojmë sa mundemi. Kalendari parashikon 11 ndeshje brenda një kohe të shkurtër, ne duhet të kujdesemi për këto detaje.

A ka një fushatë kundër Real Madridit?
Nuk e di, ka shumë njerëz që flasin. Real Madridi është një klub i rëndësishëm për të cilin flitet çdo ditë. Të gjithë mund të komentojnë, është puna e tyre. Në fund të fundit nuk merrem me këtë, nuk e vras shumë mendjen cili flet drejt dhe gabim. Secili bën punën e tij. Është një detyrë e vështirë edhe kjo e jona. Unë vetëm mendoj për përgatitjen sa më mirë të ndeshjeve. Kjo është ajo që na intereson.

Vinicius dhe Hazard, a nuk janë të pajtueshëm njëherazi në fushë?
Nuk e shoh si të pamundur, jo kaq, por përpiqemi t’i bëjmë lojtarët të ndihen sa më rehat në lojë. Pozicioni i tij është i Eden, por nuk do të thotë asgjë. Më pëlqen t’i vendos lojtarët në vendin e tyre, në ndonjë ndeshje ata mund të luajnë së bashku. Nuk kam dyshime për këtë.

A duhet të luajnë Ramos dhe Hazard nesër?
Do të shohim, ka shumë ndeshje në pak ditë dhe rikuperimi është i rëndësishëm. Do ta shohim, në fund të fundit vendosim nga dita në ditë. Ne nuk kemi bërë shumë gjëra sot, do të shohim nesër.

Po Isco?
Është një lajm i mirë ta shohim përsëri me ne. Lëndimi i tij ishte më pak serioz sesa dukej, ky është një lajm i mirë. Isco do të jetë nesër me ne.

Carvajal nuk ka asnjë zëvendësues natyror në skuadër. Si është Nacho?
Nacho është në rrugën e duhur, do të kthehet shpejt me ne. Ne e dimë që kemi një skuadër të madhe. Ndeshjen e kaluar luajti Mendy në atë pozicion. Aty mund të luajë edhe Militao. Sidoqoftë, për momentin ai është duke luajtur mirë. Do të shohim më vonë se si mund të veprojmë. Ka pozicione ku kemi shumë lojtarë, edhe pse ka shumë ndeshje.

A keni folur me Bale?
Nesër kemi një ndeshje dhe Gareth do të jetë me ne. Nuk mund të them asgjë më shumë.