Mungesa e themeluesit të Alibaba, Jack Ma, nga opinioni publik në dy muajt e fundit, duke përfshirë humbjen e episodit të fundit të një shfaqje televizive në të cilën ai do të paraqitej si gjyqtar, ka nxitur spekulimet e mediave sociale mbi vendndodhjen e tij. Kjo veçanërisht për shkak të një  goditje rregullatore kineze, në “perandorinë” e biznesit tij.

Sipërmarrësi i shquar i Kinës nuk është shfaqur në një ambient publik që nga një forum i tetorit në Shangai, ku ai shpërtheu për sistemin rregullator të Kinës në një fjalim; akt i cili e vendosi në përplasje me zyrtarët e shtetit, e që rezultoi në pezullimin e një marrëveshje 37 miliardë dollarëshe të kompanisë Alibaba.

Financial Times raportoi se Jack Ma u zëvendësua si gjyqtar në episodin e fundit në nëntor të një shfaqje për sipërmarrësit, të quajtur “Africa’s Business Heroes”. Një zëdhënëse e kompanisë Alibaba tha për Reuters se zëvendësimi ishte për shkak të një përplasje në axhendë, duke refuzuar komentet e mëtejshme.

Ndërsa lajmet mbuluan gjerësisht mungesën e Ma-së në syrin e publikut, çka shkaktoi edhe spekulime në Twitter (i cili është i bllokuar në Kinë), kjo tematikë nuk ishte trend në mediat sociale në territorin e Kinës, ku temat e ndjeshme i nënshtrohen censurës.

Që nga deklarata e biznesmenit kinez, rregullatorët kinezë i janë “vërsulur” Jack Ma-së, duke përfshirë këtu nisjen e një hetimi për kompaninë Alibaba. Këtë të hënë, aksionet e listuara në Hong Kong të Alibaba ranë 2.15% të hënën.

Burimi origjinal: Reuters