Të dashur aktivistë dhe qytetarë të Malishevës,
Gjatë aktivitetit dhe takimeve me shumë prej jush natyrshëm temë e bashkëbisedimit kanë qenë zgjedhjet lokale dhe kandidati që do të jetë fytyra përfaqësuese e Lëvizjes për Komunën e Malishevës.
Shumë nga ju për vite të tëra më keni mbështetur dhe inkurajuar që të marrë përsipër një përgjegjësi të tillë për çka i’u falënderoj përzemërsisht.
Angazhimi im shoqëror dhe politik në komunën tonë nuk ka rreshtur kurrë, pasi që e kam konsideruar dhe vazhdoj ta shoh si një obligim qytetar por edhe privilegj, sado që rrethanat në këto dy dekada nuk kanë qenë fare të lehta për aktivizëm, sidomos në një rreth të tillë si komuna e jonë ku të rinjtë janë demotivuar e penguar që të jenë pjesë e sferës publike dhe vendimarrjes politike, përveçse kur janë detyruar t’i nënshtrohen modeleve të stërvjetruara politike.
Këto rrethana tashmë kanë ndryshuar për të mirë, kjo falë konsistencës sonë si gjeneratë e re që zëri ynë të dëgjohet ashtu siç ishte dëgjuar zëri i betimit dhe i pushkës sonë gjatë Luftës së UÇK-së, gjatë aksioneve dhe protestave, gjatë përfaqësimit të dinjitetshëm në Kuvendin Komunal e jashtë tij, gjatë sukseseve të shumta që të rinjtë kanë korrur në sferën e profesionale dhe shkencore duke i’a dalur të thyejnë barrierat dhe paragjykimet.
Si aktivist politik kam qenë dhe vazhdoj të jem aty ku janë hallet dhe shqetësimet e qytetarëve, sepse besoj thellësisht që dashuria, bujaria, idealet si dhe e vërteta gjenden aty ku janë ata që i japin kuptim vetes sonë si përfaqësues politik, pra tek qytetarët.
Gjatë katër viteve të fundit si përfaqësues i juaji në Kuvendin Komunal së bashku edhe më një pjesë të kolegëve asamblistë kemi vendosur bazat dhe standardin e një përfaqësimi të dinjitetshëm që fokusin e ka në interesin qytetar dhe publik.
Me qindra çështje të inicuara, të adresuara dhe të miratuara, me dhjetra raste të drejtuara në organet e drejtësisë, me kthimin e pjesërishëm të buxhetit komunal nga betoni dhe asfalti tek nevojat më bazike jetësore dhe çështjet sociale, gjinore, shëndetësore dhe arsimore.
Ky angazhim më ka bërë të kuptoj më për së afërmi nevojat e komunitetit, t’i njoh qytetarët dhe hallet e tyre, t’ia njoh Malishevës plagët nga të cilat lëngon dhe të ardhmen për të cilën ëndërron.
Zgjedhjet e fundit parlamentare sollën një fitore plebishitare në Kosovë, kurse në komunën tonë vendosën Lëvizjen VETËVENDOSJE! si subjektin e parë dhe hapën dyert e mundësisë për të ecur para drejt ndryshimit të shumëpritur qytetar në qeverisjen lokale me 17 tetor.
Fitorja e 14 shkurtit u sëndërtua ndër vite me shumë mund e sakrificë nga aktivistët tanë të devotshëm të mbështetur nga qytetarët që e duan komunën tonë dhe nga mërgata jonë atdhedashëse.
Fitorja e radhës po troket në dyert tona. Por, edhe kjo fitore duhet të sëndërtohet me të njëjtin përkushtim e ideal sikur betejat e kaluara politike.
Ndryshimi në Malishevë duhet të ndodhë!
Është koha të lëvizim së bashku me Lëvizjen nga epoka e komandantëve dhe e modelit të stërvjetëruar të udhëheqjes politike, drejt epokës së lidershipit qytetar.
Për të ndodhur ky ndryshim është i nevojshëm angazhimi dhe kontributi i gjithësecilit prej nesh.
Natyrisht që edhe kontributi im së bashku me ju do të jetë në funksion të arritjes së këtij ndryshimi pa përjashtuar marrjen përsipër të përgjegjësive përkatëse dhe udhëheqjes së këtij procesi, dhe rol të rëndësishëm këtu ka edhe organizata në të cilën bëj pjesë e cila duhet ti përgjigjet nevojave dhe kërkesave të anëtarësisë dhe atyre qytetare me veprime konkrete.
Një organizatë e fortë, e shtrirë, e strukturuar, e organizuar, e përgjegjshme dhe e hapur, së bashku me qytetarët që kërkojnë fundin e të vjetrës mund të sjellin bindshëm të renë.
Lëvizja në Malishevë ka aktiviste dhe aktivistë të shumtë që mund ta qojnë para udhëheqjen drejt ndryshimit. Njëri nga ata jam edhe unë, por që nëse do jem njëri nga kandidatët potencial do të njoftoheni me kohë, sepse një vendimi të tillë i paraprinë një proces diskutimi, konsultimi dhe vendimmarrje gjatë të cilit duhen trajtuar dhe definuar parimet, orientimet, detyrat dhe përgjegjësitë e secilit që merr përsipër një barrë të tillë.
Mirëpo, më duhet të pajtohem me pjesën dërmuese tuajën me të cilët më ka rastisur të bashkëbisedoj kohëve të fundit, që nuk kemi kohë për të humbur, sepse qytetarët presin shumë nga ne dhe së bashku i detyrohemi Malishevës dhe brezave të rinj.
Pra, është momenti që vendimet e mëdha t’u paraprijnë përgjegjësive të qarta që duhet t’i ketë secili nga ne.
Është koha që të lëvizim!

/Alban Krasniqi/

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.