Nga: Shahin Sallahu

Të qënit i mbrapshtë nuk do të duhej bërë traditë, por ja që mbrapshtësia kur lëshon lozë bëhet sikur ai bari i keq, që as pesticidet më të egra nuk mund ta zhdukin! 

Kosova, edhe pse në dukjen e parë këtë vjeshtë organizoj zgjedhje të suksesshme, dështoj prapë ta përmbyll procesin zgjedhor brenda disa ditësh, por edhe tash pas gati një muaji, sorollat votat e qytetarëve lartë e poshtë sikur të ishte një poligon atletësh! 

Defekti natyrisht qëndron krejt lart. KQZ udhëhiqet nga një analfabete e diplomuar dhe e cila është e lidhur ngushtë me një parti që i solli shumë të këqija vendit tonë. Valdete Daka simotër e PDK-së, është duke bërë çmos që vota e sinqertë e qytetarit të kthehet në pisllëk të partive të përlyera deri në fyt me korrupcion, hajdutëri e analfabetizëm të diplomuar. 

Pastaj, votimi klanor, familjar e regjional, as kësaj radhe nuk doli nga lëkura e votuesit. 

PDK-së si zakonisht, edhe pse jo masovikisht si herave tjera, i mbeti besnik Drenica dhe zonat rulale apo të kapura nga bandat e kësaj partie. 

LDK-së, besnik edhe më i mbetën ata që fatkeqësisht jetojnë ende me përrallat e të ashtuquajturës filozofisë rugoviane! 

AAK-së, si zakonisht zona e Dukagjinit, gjegjësisht Deçani me rrethin, andaj nuk është edhe për të u çuditur që emrat e deputetëve nuk i ndërrojnë kurrë! 

Nisma dhe AKR, përkundër koalicionit parazgjedhor, nuk arritën të bindin as familjet e tyre. E para, sepse Fatmir Limaj ia ka nxjerrë bishtin me korrupcion. E dyta, sepse Bexhet Pacolli, edhe më tutje e ndërton Kazakistanin, e Kosovën e shfrytëzon vetëm për ta rritur pasurinë (shih sigurimet e veturave përmes vëllaut të tij!). 

I vetmi subjekt politik që ka arritur të kaloj kufinjët e votimit familjar e krahinor, ngeli LVV! 

LVV edhe doli fitimtare në këto zgjedhje, por e keqja e LVV-së është që nuk mund të formoj qeverinë e vetme, andaj zgjodhën (për momentin!) të keqën më të vogël si partner koalicioni qeveritar LDK-në! 

Megjithatë, LDK nuk ka arritur ende të dal jashtë lëkurës së saj të mplakur me plotë rrudha, rrudha që janë kalitur me të këqijat që i kanë trashëguar nga qeverisjet e mbrapshta, herë me PDK-në e herë me AAK-në. Dorën më zemër, ka shumë njerëz që kanë shpresuar se LDK është “rinuar”, shpresuar që LDK do të iu hap rrugë mendjeve të reja, e jo të i lë timonin në dorë edhe më rrudhave të krymbura me korrupcion e të kaluar aspak të hijshme! 

Pse nuk dëgjohet zëri i atyre të rinjëve që iu bashkuan LDK-së? Pse lejojnë ata të komandohen nga të tillët që as para familjeve të veta nuk mund të krenohën për një vepër të mirë kombëtare? 

Të rrahësh gjoks se “ne jemi trashëgimtarët e Rugovës” apo “ne kemi miqësi me Amerikën”, është një përrallë që mund të ua tregosh parashkollorëve! 

Është e njëjtë sikur këta që flasin për luftën e lavdishme të UÇK-së, e të cilët mezi flasin sepse gojën e kanë tërë kohën të mbushur me kofsha pule të prishura braziliane, kofsha që ua servojnë popullit që 20 vite me radhë! 


LDK, duhët një herë e përgjithmonë ta kuptoj, ose futuni në qeveri me LVV-në, e ndoshta e gjeni rigjenerimin me ta, ose shkoni në dreq të mallkuar! Kosovën edhe ashtu e keni sjellur buzë greminës, e nëse ende besoni si parti e dytë që mund të kushtëzoni qeverisjen e ardhshme, druhem se shumë shpejt do të bieni edhe ju në greminën që e krijuat me këto partitë tjera faqezeze! 


Vendi ynë nuk ka edhe një shansë tjetër! Më shumë se gjysma e popullit, një këmbë e ka në shtëpi e tjetrën para ambasadave të huaja në pritje për të ikur nga vendi! 

/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...