Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe duhet të hiqet sot dhe plotësisht.

Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “nuk ka vend për taktizim politik me partneritetin tonë me ShBA”.

“Lojërat politike se a jemi me BE apo me ShBA nuk i shërbejnë forcimit të shtetësisë së Kosovës e të lidhjeve me partnerët tanë”, ka shkruar Hoti.

Postimi i plotë i Hotit:

“Taksa duhet të hiqet SOT, MENJËHERË, PLOTËSISHT. Nuk ka vend për taktizim politik me partneritetin tonë me ShBA.

Lojërat politike se a jemi me BE apo me ShBA nuk i shërbejnë forcimit të shtetësisë së Kosovës e të lidhjeve me partnerët tanë.

Vëmendja e jonë duhet të jetë në menaxhimin e situatës së krijuar nga Covid-19, e jo në lojëra politike që qojnë në DISTANCIM të ShBA-së nga Kosova, siç ka nisur me bllokimin e fondeve të MCC-së për Kosovë, të nënshkruara nga Qeveria Mustafa”, ka shkruar Hoti.

Deklarata e Hotit vjen në ditën kur kryeministri Kurti, gjithashtu përmes një postimi në Facebook, u ka kërkuar falje qytetarëve që prej sot nuk mundur të realizohet qëndrimi i tij për heqjen e taksës 100 për qind në lëndën e parë që importohet nga Serbia.

Kurti ka thënë se qëndrimi i tij për taksën, i shprehur më 26 shkurt 2020 nuk u bë vendim, pasi ende nuk ka arritur ta bind partnerin e koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë është i bindur “zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”.

Avdullah Hoti