Një strukturë gjigante e rreth 3000 vjetëve më parë, gati një milje e gjatë, mund të jetë monumenti më i vjetër dhe më i madh i gjetur ndonjëherë nga qytetërimi maja. Kjo po i bën shkencëtarët të rimendojnë atë që dinë për njohuritë e majave të lashtë.

Aguada Fénix u zbulua në shtetin Tabasco, pranë Gjirit të Meksikës. Kompleksi, që ka të ngjarë të jetë përdorur dikur si një qendër ceremoniale dhe vend grumbullimi, në thelb fshihej nën këmbët e meksikanëve të ditëve të sotme që jetojnë mbi strukturën masive. Është 1 400 metra e gjatë dhe me gjasë daton midis 1000 dhe 800 pes. Asaj periudhe kohore i përket edhe Ceibal, një tjetër sajt që daton në vitin 950 pes dhe që deri tani konsiderohej qendra ceremoniale më e vjetër ndonjëherë.

Por përveçse me gjasë më e vjetër, Aguada Fénix është edhe më e madhe dhe e pakrahasueshme me çdo gjë tjetër të asaj kohe, thonë arkeologët e udhëhequr nga profesorët e Universitetit të Arizonës, Takeshi Inomata dhe Daniela Triadan.

Për njohuritë tona, ky është ndërtimi më i vjetër monumental i gjetur ndonjëherë në zonën e Majave dhe më i madhi në të gjithë historinë parahispanike të rajonit,” shkruajnë studiuesit në studimin e tyre të botuar në Nature.

Sajti i pushtuar nga natyra përgjatë viteve u zbulua nga ajri duke përdorur metodën e sensorit në distancë LIDAR.

Një gjetje tjetër interesante lidhet me mungesën e statujave në formë njerëzore në vendbanimin e lashtë. Shkencëtarët mendojnë se kjo tregon për faktin se shoqëria që jetonte atje nuk kishte “tregues të qartë të pabarazisë së theksuar sociale, siç janë skulpturat që përfaqësojnë individë me status të lartë“. Në fakt, e vetmja skulpturë prej guri që ata zbuluan në zonë ishte e një kafshe.

Ky lloj organizimi shoqëror, i cili ndoshta ishte më pak hierarkik dhe më i përbashkët, do të ishte shumë i ndryshëm nga njerëzit e tjerë të lashtë që banonin në rajon si Olmecët nga shteti i afërt i Veracruz, kultura e të cilëve ka prodhuar koka guri kolosale.