Studiuesit Mark Tirtja, Jaho Brahaj, Dorina Arapi, Silvana Nini dhe koleksionistja Luljeta Dano rrëfejnë historinë 4000-vjeçare të xhubletës. Në mars të vitit 2021 grupi i punës i ngritur nga Ministria e Kulturës dorëzon dosjen e xhubletës në UNESCO.

Historia e shqiptarëve është ‘e qëndisur’ në xhubletë. Shenjat simbol në ekzemplarët e tyre, ndoshta janë trashëguar me shekuj e mijëvjeçarë, por, ende rreth 80 për qind e kësaj veshjeje të bërë prej pluhuri të leshtë vazhdojnë që të jenë të pashpjeguara edhe pas 4000 vitesh.

Fundi i krekosur edhe i valëzuar në formë kambane e bën xhubletën veshjen popullore me interes më të madh për vendin tonë.

Ju pëlqen!

Uniteti i theksuar në sistemin dekorativ të Xhubletës, por dhe i pjesëve të brendshme, si këmisha, kraholi, kërdhokla, brezi, përparja, jeleku, çorapet, opingat, stolitë prej sermi, edhe motivet mitike të zbukurimit nga njëra pjesë tek tjetra e deri tek trajsta e dorës ilustrojnë asimetrinë e këtij kostumi.

Andromarqi Gjergji, studiuese në fushën Etnografisë, në botimin e saj “Veshje Shqiptare në shekuj” thekson se xhubleta ka arritur tek ne në shekullin e XIX, si një element veshjeje i varfër në pak ngjyra ku mbizotëron e zeza, përdoret pak e bardha dhe vetëm rrallë e kuqja ose vjollca.

Ndërsa, në shekujt e mëparshëm xhubleta ishte shumë më e pasur nga pikëpamja kromatike. Kjo duket në disa ekzemplarë të paktë të periudhës midis dy luftërave botërore, të ruajtura në muzetë etnografikë të vendin tonë, por edhe në Muzeun e Njeriut në Paris.

Xhubleta gjatë shekullit XVIII është përdorur në Malësinë e Shkodrës, deri në Gurrëz të Milotit tek një pjesë e shqiptarëve të Malit të Zi, që banonin rreth Bjeshkëve të Nemuna, në Rugovë të Kosovës dhe në Kelmendasit e shpërngulur në shekullin e XVII e të vendosur në Srem.

“Xhubleta është një veshje e vjetër mesjetare e popujve të ndryshëm, që është trashëguar dhe tek ilirët. Nga mesjeta e këtej është ruajtur vetëm te shqiptarët,”, shpjegon etnologu Mark Tirtja.

“Veshja me xhubletë tregon një harmoni të plotë me terrenin ku ajo është përdorur. Jo më kot, për karakteristikat e veçanta që ka përbën një nga tipet e veshjeve. Është karakteristikë e Malësisë së Madhe, por e gjejmë në kufijtë e Ulqinit, në Hot, në Trepësh, madje kudo ku kanë zbrit malësorët e kanë marrë atë me vete deri në Milot” thotë studiuesja Silvana Nini.

“Xhubleta është veshja me inventarin më të madh në të gjitha veshjet kombëtare shqiptare, jo më kot kjo veshje është simbol i nënës Shqipëri edhe në balada e personazhe historikë vishem me të, si zana, Rozafa, Tringë Smajli, Nora e Kelmedit”, rrëfen koleksionistja Luljeta Dano.

“Xhubleta është një pasuri e jashtëzakonshme me rrënjë që nga lashtësia. Vështrimin e xhubletës nga ana kultike kulturore dhe mitike, s’mund ta shikojmë ndonjëherë nëse nuk e shikojmë në mjedisin që gjallon, siç janë kulla, Cikli i Kreshnikëve, E drejta zakonore, kultet, ritet e dasmës apo të varrimit. Duke u parë në këtë areolë mund të analizohet” shpjegon studiuesi i etnografisë, Jaho Brahaj.

Xhubleta është nga veshjet tradicionale, e lidhur ngushtë me komunitetin dhe botën shpirtërore të bartësve edhe të atyre që e kanë prodhuar, që reflekton jo vetëm si kulturë materiale e shqiptarëve, por dhe si një pasuri shpirtërore e tyre.

“Cikli i Kreshnikëve dhe xhubleta nuk kanë asgjë nga besimi katolik. Janë ruajtur në një vend, që popullsia ka pas një besim të kulteve të natyrës, por dhe të tjera. Tek xhubleta simboli i diellit, i hënës dhe i pjellshmërisë janë karakteristikë e këtyre njerëzve që i kanë mbajt këto. Hëna përfaqëson simbolin e gruas, kemi skena grafike të vizituara me rruaza, që paraqesin dhe objekte të lindshmërisë ” vijon Brahaj.

“Veshjet tradicionale, si aspekt i rëndësishëm i komunikimit joverbal, tregojnë dhe për statusin shoqëror e politik të bartësit. Veshjet tradicionale ndahen sipas zonave të ndryshme. Dimensionin semiotik e ka edhe xhubleta”, shpjegon studiuesja Dorina Arapi.

Deri në ditët tona, përmes ekzemplarëve të xhubletës vërtetohen dy lloje xhubletash, njëra e ngushtë në fund dhe tjetra pultakja

“Ka dy lloje xhubletash, një që është e ngushtë në fund dhe tjetra që është pultakja. Kjo xhubletë ka vlera të rëndësishme, sa i përket punimit dhe mënyrës së dekorimit. Xhubleta e vajzërisë e veshin vajzat pas moshës 8-vjeçare , që e ndërronin në momentin e ndërrimit të statusit të tyre”, thotë Brahaj.

Zbukurimi xhubletës kërkon shumë mjeshtëri. Motivet e përdorura për të e bëjnë që të jenë më interesantet në artin tonë popullor, duke mos e ngatërruar me ornamentet e veshjeve të tjera

“Dy janë materialet kryesore të përdorura, për xhubletën, që të dyja nga leshi i deles; shajaku dhe spiku. Malësoret përdorin dhe kadifen e zezë që i japin një lloj ndriçimi. Shajaku, spiku, kadifja krijojnë një variacion të së zezës. Jo vetëm kaq, por dhe veshja me xhubletë nuk ka qenë një veshje e ngrirë. Duke, nis nga fijet e arta e më pas me terminat. Edhe elementë të tjerë që do ta pasuronin, ose rruazat me ngjyra i jepnin një ndriçim të madh, pikërisht nga masa e të zezës”, shprehet Nini.

“Pjesa kryesore e xhubletës është kambana, kordoni e në fund shpinorja e saj. Mbi të vendosen shumë pjesë të tjera, stolitë përbëjnë gjysmën e xhubletës. Është grykashka, ku viheshin apo qepeshin filigramat e stolive. Kraholi, kambanat, përparësja, çorapet dhe shputat, që visheshin mbi çorape. Shamia nuk lidhet tek xhubleta, por lëshohet si në vijimësinë e traditës ilire. Shpesh shamia qepej me kapicën. Në kapicë është hëna, ylli dhe dielli. Hënëza del gjithandej në setin e stolive të kelmendasve apo te xhubleta pultaka. Kur Edit Durhami pyeste malësoret përse e mbani hënën apo gjysëm hënën? Ato i thoshin se ‘Një katolike e mirë është nuk është kaotike, nëse nuk mban gjysëm hënën”, na tregon koleksionistja Dano, duke shtuar se gruaja që mbante brez kishte status shoqëror më të lartë.

Mrekullia e xhubletës është qëndisja e të zezës në të zezë.

“Mrekullia e xhubletës është qëndisja me spik, e zezë në të zezë. Hititët e lashtë nëpër shkëmbinj gdhendin dhe tregonin historitë e tyre jo vetëm me shkrim, por dhe me këto vizatime. Ndjesia ime duke ndenjur me këto prej 15 vitesh, është që janë një gjuhë”, thotë Dano.

Shqiponja është një tjetër simbol në xhubletë, por cila është e vërteta e këtij krye-shpendi që fluturon shumë lart

“Shqiponja është e pasqyruar, se është krye-shpendi i shpendëve, se fluturonte shumë lart dhe kushdo mund të identifikohej me të”, shpjegon Brahaj.

Ndonëse xhubleta ka edhe simbolet e gjysmë hënëzës edhe diellit, nuk pranon elementë të tjerë, sikundër është edhe kryqi

“Xhubleta ka shumë elementë që duhen ruajt siç ka qenë. Ka njerëz që duan ta pasurojnë me motive popullore, si të duan, këto janë stilizime. Por dhe në media ka përçudnim, sikundër ndodh dhe në veshje të tjera. Xhubleta nuk pranon elementë të tjerë, që të mund t’ja tjetërsosh. Xhubleta dhe cikli i kreshnikëve s’kanë asnjë elementë të krishterimit. Ajo ka gjysëm hënëzën dhe diellin, nëse ja lëmë siç është harmonizohet me të gjithë elementët e tjerë. Është ndryshe nëse i vëmë kryqin”, tregon Brahaj.

Xhubletën rrëfejnë bartëset ua kanë falë zanat, por a ka vërtetësi kjo kulturë orale, e cila përcillet deri në ditët tona

“Për aspektin vizual të xhubletës është interesante, që dijebërësit përcillnin figuracione dhe imazhe nga një grua tek një grua tjetër, përmes prerjes së letrave. Në këtë lloj mënyre, kur ndodh kjo ndodh një proces demasintizimi. Shumica e grave që punonin xhubletën nuk njihnin shkrim e këndim. Kjo u ka dhënë mundësinë, që të krijojnë një imazh. Duke qenë shoqëri të mbyllura, ato mund të quhet se futen në kulturat orale. Para disa kohësh takuam një bartëse, e cila na thoshte se xhubletën ua kanë sjell zanat”, tregon Arapi.

“Në udhëtime, një nënë malësore që i kam thënë se më pëlqejnë shumë xhubletat, më ka thënë që na i dhanë zanat. Ideja ishte që zanat ua kanë lënë xhubletat”, tregon Dano.

Nisur nga interesi i madh i vetë komunitetit ku është përqendruar dije-bërja e xhubletës, në muajin korrik të vitit 2020 grupi i punës i koordinuar nga Dorian Çene dhe i ngritur nga Ministria e Kulturës për të paraqitur propozimin e tij në çregjistrimin e Xhubletës në “Listën Përfaqësuese të dukurive të Trashëgimisë Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s” ka identifikuar një pjesë të bartësve individë që e kanë përdorur Xhubletën në të shkuarën.

“Xhubleta do hyjë në UNESCO si një pasuri e rëndësishme e trashëgimisë jomatëriale, sepse teknikat e veçanta e veçojnë nga veshjet e tjera”, thotë Silvana Nini.

“Çdo Monument i Trashëgimisë Kulturore është e rrethuar me një mjegullnajë mitologjike. Ajo nuk është asgjë tjetër vetëm se një veshje katër mijëvjeçare që ka jetuar në Ballkan. Nga fillimet e saj ka ardhur, duke u maturuar. Nëse i prekim pak gjëra atëherë vetëm se e kemi dëmtuar për brezat që vijnë. Duhet të pyesim ku po shkomë? Faza e zhvillimit të veshjeve shqiptare ka përfunduar gjatë shekullit që kaloi. Tani ka vetëm eksperimente se si mund ta ruajmë. Xhubleta është një Monument i Kulturës sonë për të cilën ende s’jemi të ndërgjegjshëm, se si mund ta ruajmë”, përfundon Brahaj.

E përdorur vetëm nga shqiptarët në një zonë të ngushtë rrëzë alpeve, jo vetë brenda kufijve të sotëm të atdheut, por edhe në shqiptarët e Malit të Zi e ata të Rugovës në Kosovë, me vet pamjen dhe prerjen e saj të jashtëzakonshme, që nuk gjen paralele të gjalla në vise të tjera të Ballkanit, Xhubleta ka tërhequr me kohë dhe do të vazhdojë që të tërheq dhe në të ardhmen vëmendjen e studiuesve.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.