Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë për media ka folur lidhur me vjedhjet e fundit nga Thesari i shtetit dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

VV-ja vlerëson se “vjedhja e 2 milionëve në Thesar ishte rezultat i politikës kriminale të kastës së vjetër politike”.

“Ky normalitet nënkupton vjedhje, hajni, korrupsion. Sot kishim edhe një vjedhje tjetër, sot kishim vjedhje fizike në AUV. Pra nuk kemi të bëjmë me vjedhje kibernetike e transaksione elektronike, por edhe fizike, në një ndërtesë që ruhet nga Policia e Kosovës”, tha Murati, përcjell KOHA.

“Kjo trimëri është shkaktuar nga veprimet që kthejnë gjendjen kaotike në vend, duke filluar nga Vettingu, zhbërja e task-forcës e ndërhyrjen politike në drejtësi. Çdo ditë që humb Kosova me këtë qeverisje ilegale, është ditë e humbur dhe ka kosto të madhe”, tha ai.

Tutje, Murati bëri thirrje të rrëzohet Qeveria Hoti.

“Presim që të rrëzohet kjo qeveri. Të hidhet në votim mocioni i mosbesimit që të hapet rruga për zgjedhje. Kërkojmë që krejt qeveria të shkojë në shtëpi”, tha Murati.