Berat Luzha

Shtegtime nëpër Atdhe (XXVII)

Vuthaj është fshat i komunës së Gucisë, që ndodhet në zemër të Alpeve Shqiptare, tash në Mal të Zi. Është fshat dhe trevë etnike shqiptare midis trekufirit shtetëror Shqipëri – Kosovë – Mali i Zi. Kufizohet me Gucinë (te Krojet e Ali Pashë Gucisë), me Malësinë e Gjakovës (Tropojë), me Thethin (Dukagjin), me Lëpushën (Kelmend). Në një rrugë automobilistike nëpër një luginë shumë të begatë e mes maleve të larta, Vuthaj lidhet me Gucinë (rreth 5 km) dhe me Plavën (rreth 15 km).

Fshati Vuthaj, vendlindja e Prof. Rexhep Qosjes dhe e shumë personaliteteve të mëdha kombëtare, është pjesë e krahinës së Kelmendit, në zonën e Plavë – Gucisë, i rrethuar nga bjeshkët e pasura e malet e larta. Popullsia i ka ruajtur mirë, më mirë se në çdo vendbanim tjetër shqiptar në Malit të Zi, karakteristikat etnike dhe identitetin kombëtar shqiptar. Deri në vitin 1948 kishte lidhje të ngushta me viset veriore të Republikës së Shqipërisë, kurse, me prishjen e marrëdhënieve Shqipëri – Jugosllavi, vuthjanët u lidhën fort me bashkatdhetarët në Kosovë, ku edhe gjetën mbështetje vëllazërore dhe ndihmë të pakursyer, sidomos në arsimim të të rinjëve. Me ndërtimin e rrugës Guci – Shkodër, zona e Plavë – Gucisë, duke përfshirë edhe Vuthajn, fituan një lidhje të mirë me krahinën e Kelmendit dhe me qytetin e Shkodrës, kurse po presin që shpejt të ndërtohet edhe rruga Plavë – Deçan, e cila do ta lidhte zonën dhe këtë fshat me rrugë shumë më të shkurtër me Kosovën.

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Më herët popullsia është marrë kryesisht me bujqësi e blegtori, kurse kohëve të fundit, falë bukurive mahnitëse dhe shumë veçorive gjeografike e historike, po zhvillohet gjithnjë e më shumë turizmi malor dhe hotelieria. Janë hapur bujtina e restorante, kryesisht me ushqime tradicionale shqiptare, është ndërtuar një kompleks turistik, i quajtur “Ekofshati Vuthaj”. Është fshati, nga të parët në trojet shqiptare, ku gjatë Luftës së Parë Botërore, gjatë një sundimi të shkurtër austrohungarez, u hap shkolla e parë shqipe, në të cilën dha mësim edhe arbëreshi i madh i diasporës së Zarës, shkrimtari Josip Rela. Sot në Vuthaj funksionon vetëm shkolla katërklasëshe, edhe ajo, për mungesë nxënësish rrezikohet të mbyllet. Gjithashtu, me kontribut vullnetar të mërgimtarëve, në fshat është ndërtuar shtëpia e kulturës, në të cilën zhvillon veprimtari shoqëria artistike “Maja e Karafilit”, kurse ka filluar të organizohet festivali tradicional “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon”.

Mirëpo, Vuthajt e mundon një plagë e rëndë dhe e pashërueshme, migrimi i popullsisë. Për shkak të prapambeturisë ekonomike dhe paperspektivës për jetesë të popullsisë shqiptare, veçanërisht për shkak të shtypjes, të represionit shtetëror e të spastrimit etnik të krahinës që nga Lufta e Dytë Botërore e këndej, pandërprerë ka vazhduar shpërngulja e popullsisë shqiptare jashtë shtetit, kryesisht në Kosovë (Pejë e Prishtinë) dhe në SHBA. Në vitin 1948 Vuthaj kishte 781 banorë, në vitin 2003 – 866, kurse sot jo më shumë se 350 banorë (mbi 5000 vuthjanë jetojnë në emigracion). Janë 11 familje të mëdha që kanë jetuar përherë në Vuthaj: Gjonbalajt, Bruçajt, Ulajt, Ahmetajt, Vuçetajt, Dedushajt, Goçajt, Kukajt,  Qosajt, Vukajt dhe Çelajt.

Në këtë zonë janë zhvilluar ngjarje të rëndësisë historike. Në bazë të vendimeve të Kongresit të Berlinit, në vitin 1878, zona shqiptare e Plavë – Gucisë, edhe përkundër një rezistence të fortë të vendorëve, iu aneksua Malit të Zi. Për këto ngjarje, të cilave u ka prirë Ali Pashë Gucia, populli ka lëshuar kushtrimin:

Merrni vesh o Shqiptari,

Me u bashkue i madh e thmi,

Me u bashkue shqiptarët krejt,

Pej në shtatë e shtatëdhet’ vjeç.

Ali Pashë Gucia, i cili e kishte organizuar një kuvend popullor, njoftoi popullin: “Burra, ju bajmë me dije se Baba Mret na shiti te i huaji!”

Kufinjtë e padrejtë të Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit i vërtetuan, për fat të keq, edhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 dhe Konferenca e Parisit, në vitin 1919.

Në Vuthaj është përcjellur, brez pas brezi, legjenda e Vajzës së Vuthit. Sipas kësaj legjende, në ato troje kishte depërtuar një ushtri e huaj, e quajtur Harapi i Zi, me të cilën ishte bërë luftë e madhe, ku kishin marrë pjesë burra e gra. Në mesin e luftëtarëve ishte edhe një vajzë e bukur, të cilën komandanti i ushtrisë së huaj, Romani, kishte dashur ta mirrte për veti. Vajza, bashkë me luftëtarët tjerë, e kishin tërhequr armikun nëpër male me thepa, deri në maje të Gerdhatës. Ajo kacafytet me Romanin dhe e gjuajti në një humnerë. Dhe, për të mos rënë në duart e ushtrisë armike, edhe vet bie poshtë nga një thep mali. Prej asaj kohe vendi ku ka rënë vajza quhet Maja e Vajzës, vendi ku është zhvilluar dueli quhet Bregu i Romanit, vendi ku ka rënë Romani mori emrin Romani dhe vendi ku çeta armike e kishte varrosur Romanin quhet Çeta e Romanit, pastaj Guri i Romanit etj.

Fshati Vuthaj, në lartësi mbidetare 1100 m. njihet për bukuritë natyrore, si një luginë e mrekullueshme e rrethuar me male të larta mbi 2500 m., i përshtatshëm për zhvillimin e turizmit natyror, të sporteve dimërore, të trashëgimisë kulturore dhe të alpinizmit. Janë monumentet kulturore e natyrore që kohëve të fundit tërheqin turistë të shumtë, si Krojet e Ali Pashës, Syri i Kaltër, lumi dhe Syri i Skafkaçit, ujëvara e Gerlës, shtëpitë karakteristike etj. Afërsia me Plavën (liqenin e Plavës) e Gucinë shton edhe më shumë interesimin për ta vizituar e për të pushuar në këtë zonë.

Dikur në mes të fshatit ishte një repart ushtarak i ushtrisë jugosllave, që tash është i kthye në një objekt muzeal.

Vizitori do të mbetet i mahnitur me këtë rezervat të pashpallur natyror, i cili të bënë për vete dhe të cytë ta eksplorosh deri në fund.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!