Shkurt e shqip:

1 – Vuçiqi e ka më të lehtë të negociojë me një shqiptar të kapur apo të korruptuar. Nga ana tjetër edhe Kurti do ta kishte më të lehtë të negocionte me një serb të lirë prej interesave mafioze dhe mentalitetit shovinist.
2 – Vuçiqi nuk dëshiron dialog për sa kohë ka përballë Kurtin. Prandaj bën eskalime dhe provokime ushtarake në kufi, si dhe urdhëron rrjetin e vet kriminal të djegin veturat e serbëve të Kosovës, e t’i detyrojë ata të dalin nga institucionet. Nga ana tjetër ftesat dhe politikat e Kurtit janë që serbët e Kosovës të përfitojnë prej të drejtave ligjore, të zbatojnë ligjet dhe të integrohen në institucione.
3 – Qytetarët serbë të Kosovës janë lodhur nga politikat e Vuçiqit, prandaj ata nuk i janë përgjigjur masivisht thirrjeve të tij për protesta e barrikada as në vitin 2021 e as tash. Pjesëmarrja e ulët në protesta tregon se masa e serbëve të Kosovës dëshiron paqe. Por Vuçiqit kjo nuk i intereson, prandaj i mban nën tension e kërcënim. Mospjesëmarrja e qytetarëve serbë në protesta e barrikada është arsyeja se pse Vuçiqi urdhëroi zyrtarët e Listës Serbe që të dorëhiqen nga institucionet.
4 – Tensioni, djegiet e veturave të qytetarëve serbë nga kriminelët serbë, urdhri që serbët të tërhiqen nga institucionet, janë strategji e Ballkanit të Hapur për të sabotuar Procesin e Berlinit. Tash që Procesi i Berlinit u rikthye me sukses e marrëveshje rajonale, komandanti i Ballkanit të Hapur, Vuçiqi, i cili nuk shkoi në Berlin, po bën çmos të tregojë se çelësat e Ballkanit i ka vetëm ai.
5 – Urdhri i Vuçiqit për tensionim të serbëve në Kosovë vjen në kohën kur janë shtuar përpjekjet e SHBA dhe BE për të gjetur zgjidhje e marrëveshje mes Kosovës e Serbisë. Zgjidhja e marrëveshja i intereson popullit të Serbisë dhe popullit të Kosovës. Por nuk i intereson klasës politike shoviniste në Beograd, Vuçiqit, e sidomos nuk i intereson shefit të vet, Putinit.