Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe i kanë kërkuar Hungarisë ta pushtonte Serbinë, teksa po zhvillohej lufta në Kosovë në vitin 1999.

Vuçiç bëri të ditur se gjatë takimit që ka pasur ditë me parë me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, ky i fundit e kishte informuar për kërkesën që kishte pasur Perëndimi.

Sipas tij dhe asaj çfarë ka zbuluar Orban, ShBA-të dhe Britania e Madhe i kërkuan Hungarisë të avancojë ushtarakisht në territorin serb me qëllim që ta ndajnë ushtrinë jugosllave në dy fronte, në Kosovë dhe Hungari.

Ju pëlqen!

“Kështu, në vitin 1999, Hungaria duhej të sulmonte Serbinë përmes tokës. Clinton dhe britanikët i kërkuan (Orban-it) që të sulmonte Serbinë nga veriu që të shtynin forcat tona nga Kosova në Vojvodinë”, ka thënë Vuçiç, transmeton mediumi serb “RTS”.

Gjatë fjalimit të tij drejtuar popullit serb, ai theksoi se Orban, i cili po ushtronte mandatin e tij të parë në pushtet në atë kohë, e kishte refuzuar një gjë të tillë.

Gjithashtu, sipas tij, një kërkesë të tillë e kishte refuzuar edhe kancelari i atëhershëm gjerman, Gerhard Schroeder, i cili i rezistoi “presionit nga Shtëpia e Bardhë”.

Ai shtoi se kryeministri hungarez kishte shkuar në Britaninë e Madhe dhe kishte pasur bisedime me Tony Blair dhe më vonë edhe me Margaret Thatcher, e cila i kishte thënë Orban-it “më shqetëson shumë që refuzove të sulmosh Serbinë, prandaj do të vdesin më shumë ushtarë britanikë”./Nga Armat Matoshi/

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën me 1 Euro!