Në stacionin policor të Gjilanit janë suspenduar katër zyrtarë policorë, pas vrasjes së pesëfishtë që ka ndodhur ditën e martë.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin  e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Shtabi qendror i ka suspenduar katër zyrtarë policor për 72 orë”, tha Hashani duke shtuar se tash me rastin do të merret Prishtina.

Suspendimin e katër zyrtarëve policor e ka rekomanduar Inspektorati Policor i Kosovës.

IPK ka rekomanduar të suspendohen komandanti i Stacionit Policor, zëvendëskomandanti i Stacionit Policor, shefi i operativës të Stacionit Policor në Gjilan dhe një zyrtari i stafit civil.

Në ngjarjen tragjike që ka ndodhur ditën e martë, dyshohet se një zyrtare policore ka privuar nga jeta prindërit e saj, dy vëllezërit e më pas vetën. E gjithë vrasja është kryer me revolen zyrtare të Policisë së Kosovës, të cilën e kishte poseduar viktima V.B.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Arben Kadriu, ka konfirmuar se gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e familjes Bllaca.

“Jemi në fazën fillestare të hetimeve. Dyshohet se një zyrtare policore në shtëpinë e saj ka vrarë prindërit, vëllezërit dhe më pas vetën. Nuk mund të japim më shumë detaje. Dyshohet se është revolja zyrtare e Policisë së Kosovës. Nuk kemi informata për motive”, ka thënë prokurori Kadriu para mediave.

Gjatë ditës së sotme pritet të përfundojë edhe obduksioni i pesë anëtarëve të familjes Bllaca.