Vrasja e Nazmi Rrustemajt, ish-inspektorit të pyjeve në Prishtinë për të cilin u tha se ishte edhe dëshmitar i Speciales, ka shkaktuar reagime edhe në Serbi.
Deputeti serb nga Partia Progresiste, njëherit i cilësuar si specialist i sigurisë, Zorgan Dragishiq, u ka bërë thirrje dëshmitarëve të Speciales që jetojnë në Kosovë, që ta lëshojnë vendin.
Sipas tij, vrasja e Rrustemajt është mesazh i qartë për secilin që në të ardhmen do të jetë dëshmitar në Hagë.
“Të gjithë dëshmitarët që kanë dëshmuar kundër Haradinajt në të kalurën janë vrarë. Edhe vrasja e Nazimit ka qenë mesazh i qartë për secilin që do të dëshmojë ndaj njerëzve që kanë kryer krime lufte. Pas kësaj, është shumë e vështirë që Gjykata Speciale të deklarojë fajësinë e të akuzuarve”, ka thënë ai për “Kosovo-Online”.
Se Rrustemaj ka qenë dëshmitar i Speciales nuk është konfirmuar ende.
Gjithsesi, nga institucioni i Prokurorisë së Specializuar në Hagë, kanë thënë se tanimë rasti është në dorë të Prokurorisë kosovare, pa dashur të komentojnë nëse viktima ka qenë dëshmitar ose jo.