Shkëlzen Gashi

Sot është 55 vjetori i vdekjes së Fazli Greiçevcit:

Të njëjtën ditë kur arrestohet Adem Demaçi, UDB-ja arreston edhe mbi 300 anëtarë të tjerë të LRBSh-së. Pasojnë hetimet, të shoqëruara me tortura të llahtarshme. Torturohet, meqë refuzon të flasë, bashkëpunëtori i Demaçit, mësuesi e poeti Fazli Greiçevci, i cili dorëzohet vetë në polici në fillim të gushtit të vitit 1964. Fazliu vdes nga torturat e pandërprera më 17 gusht 1964, vetëm dy javë pas arrestimit. Ai, edhe para se të kapet, është krejt i vetëdijshëm se po ndiqet nga UDB-ja, meqë dashamirës të shumtë e lusin dhe e këshillojnë që të fshihet e të mos dalë. Fazliu jo vetëm del, por madje dorëzohet vetë në polici. Vendosmërinë e tij e gjejmë në këto vargje të tij:

Kam dalë dhe prore kam me dalë
Bregoret me sy çiltërie me i soditë
Kurrë kangën time s’kam m’e ndalë
Rrugët e mbara tue i shndritë!

Shuarja e Fazli Greiçevcit 29-vjeçar shënon të parën dhe të vetmen humbje njerëzore të LRBSh-së. Organet e UDB-së përpiqen ta maskojnë atë si vdekje të shkaktuar nga një sëmundje e rrezikshme infektive, ndaj dhe bëjnë trysni mbi mjekun shqiptar, Dr. Ali Sokolin, që ta nënshkruajë aktanalizën mbështetëse. Porse Dr. Sokoli refuzon të nënshkruajë çfarëdo dokumenti të rremë. Sidoqoftë, kufomën e Fazliut UDB-ja e mbyll hermetikisht në arkivol të metaltë, në mënyrë që familja të mos e shohë trupin e gjymtuar prej torturave.

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]