Më shumë se 70 europarlamentarë i kërkuan dorëheqjen shefit të diplomacisë europiane pas kthimit të tij nga Moska. Duke e quajtur poshtëruese vizitën e Joseph Borrell në Rusi, 73 eurodeputetë kanë nënshkruar deri më tani një letër, në të cilën i kërkojnë presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, të marrë masa nëse ai nuk largohet. Grupi kryesohet nga eurodeputeti i Partisë Popullore Evropiane Estoneze, Riho Terras dhe pjesë e tij janë edhe eurodeputetë të tjerë të PPE, konservatorë dhe Reformistët Evropianë.

Po Von der Leyen nuk ka pritur letrën. Me anë të zëdhënësit Eric Mamer, ajo ka bërë të ditur se Borrell ka “mbështetjen e plotë” të saj.

“Presidentja e Komisionit Europian i jep mbështetjen e saj të plotë Përfaqësuesit të Lartë për udhëtimin në Moskë”, tha ai.

Borrell po përballet me kritika për qëndrimin në heshtje dhe gjysmë i buzëqeshur ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, e quajti BE një “partner jo të besueshëm” gjatë një konference të përbashkët shtypi në kryeqytetin rus të premten. Gjatë vizitës Borrell u takua me Lavrov për të diskutuar marrëdhëniet BE-Rusi pas helmimit dhe burgosjes së kritikut të Kremlinit Alexei Navalny. Por ndërsa ai vetë ishte në takim me Lavrov mësoi nga Tuiteri lajmin për dëbimin nga Rusia të tre diplomatë evropianë për pretendimin se morën pjesë në demonstrata në mbështetje të Navalny.

Borrell do të jetë në Parlamentin Evropian të martën pasdite, ku pritet të “vihet me shpatulla pas murit” nga eurodeputetët për udhëtimin e tij në Moskë dhe sjelljen e tij gjatë konferencës me Lavrov.

Ndërkohë, zëdhënësi i shefit të politikës së jashtme europiane, Peter Stano, i doli në mbrojtje të vendimit të Borrell për të heshtur gjatë sulmit verbal të Lavrov kundër BE.

“Sa i përket asaj që tha z. Lavrov, në të vërtetë nuk kishte asgjë të re. Është ajo që autoritetet ruse thonë gjithmonë”, tha Stano, para se të argumentonte se Borrell është “një diplomat që nuk i sheh konferencat e shtypit si platformë për diskutime ose konfrontime”.