Eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon- Taubadel, e cila është edhe raportuesja e grupit parlamentar të Të gjelbërve/EFA për Kosovën, flet në një intervistë me Deutsche Wellen për pakënaqësitë e mëdha të qytetarëve në Serbi ndaj qeverisë së Presidentit Vuçiq dhe për shpresat që ka lidhur me dialogun Kosovë- Serbi.

Cramon kritikoi presidentin serb, Alleksandar Vuçiq se ka fshehur numrin e saktë të të infektuarve me koronavirus para zgjedhjeve, vetëm e vetëm për të mbajtur “zgjedhje të qeta”.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar vetë presidenti serb, duke thënë se Von Cramonit i intereson vetëm pavarësia e Kosovës.

Ndërsa, e pyetur rreth reagimit të Vuçiqit, Von Cramon tha se me të duhet të merren strukturat e BE-së, e jo vetëm eurodeputetët.

Madje eurodeputetja gjermane tha se pret nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, t’i thotë presidentit serb, Alleksandar Vuçiq, se “tani u bë boll”.

“Ditëve në vijim, Angela Merkel dhe BE-ja do të bisedojnë me Vuçiqin dhe aty do duhen shtruar disa pyetje. Nuk mundet që konfrontimi me presidentin serb të mbetet vetëm tek ne, tek deputetët e veçantë. Edhe Komisioni Evropian do të duhej të vendoste kufij të qartë dhe pa mëdyshje të thotë se një ton i tillë, një polarizim i tillë i shoqërisë dhe shmangie e këtillë nga faji siç bën Vuçiqi, nuk mund të jetë në interesin tonë dhe ne këtë nuk e pranojmë. Nga komisionari për zgjerim Varhelyi dhe nga Josep Borrelli pres që të jenë të qartë në këtë çështje, pres nga kancelarja Merkel ta shfrytëzojë presidencën gjermane me Këshillin e BE-së dhe kontaktet e saja personale me Vuçiqin, t’i mbajë atij një leksion e t’i thotë: tash u bë boll! Edhe nëse Vuçiqi s’ka më interes që ta çojë vendin e tij në BE, duhet ta thotë këtë qartë. Dhe atëherë mund të vazhdojmë të zhvillojnë bisedime intensive për zgjerim me fqinjët, por Serbia definitivisht do të jetë larg këtij formati. Sepse mënyra se si po vepron aktualisht Vuçiqi – që në njërën anë dëshiron të jetë pjesë e proceseve evropiane, e në anën tjetër na përçmon – sjellje të këtillë ndaj meje, por edhe për shumë deputetë tjerë, thjesht nuk është e pranueshme”, u shpreh raportuesja për Kosovën në PE, Viola von Cramon.

Tutje, von Cramon tha se Vuçiqi po reagon ngjashëm me Orbanin e Hungarisë, gjë e cila, sipas saj, është mjaft keq.

“Unë kërkoj më shumë që Këshilli i BE-së, pra zonja Merkel dhe zoti Vuçiq të bëhen më aktivë. Ne si parlament mund t’i shoqërojmë zhvillimet deri në një gradë të caktuar dhe të shtrojmë detyrat që duhen arritur, por ne duhet të punojmë krah për krah me Komisionin dhe me Këshillin e BE. Me thënë të drejtën, mua më mungon përkrahja e tyre. Në Serbi ka shumë njerëz që janë të pakënaqur. Një pjesë e mirë e shoqërisë serbe nuk do që të durojë më presionin që bën Vuçiqi, dhe natyrisht ka nevojë për përkrahje nga ana e BE-së për të pasur shtetin e së drejtës, për reformën në sistemin e drejtësisë, për të pasur një politikë tjetër shtetërore e kështu me radhë. Që do të thotë se ajo që kërkojmë ne duhet arritur duke e nxitur që të ndodhë atje në vend. Shumë vetë në Serbi e ndiejnë veten tani të lënë në baltë prej BE-së, prej nesh”, tha eurodeputetja gjermane.

Ndër të tjera, ajo tha se pret zhvillime tani që dialogu mes dy vendeve është paralajmëruar të rinis të dielën.

“Për të dyja palët, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, interesi duhet të jetë i madh për të arritur tek mirëkuptimi reciprok për të pasur një marrëveshje, në mënyrë që të arrihet integrimi rajonal i të dy vendeve. Kjo ka të bëjë me ekonominë, energjinë, integrimin në tregun energjetik, pra na duhet një perspektivë për të dy vendet dhe për këtë duhet arritur një ditë një mirëkuptim. Ndërkohë janë bërë shumë hapa në drejtimin e duhur dhe unë shoh interes të madh nga të dy vendet që të afrohen. Unë e di se në Kosovë ka shumë lëvizje dhe shumë gatishmëri për të arritur tek marrëveshja. Unë shpresoj dhe po drejtoj një apel që edhe në Serbi të ndodhë kështu. Vuçiqi në të kaluarën ka treguar gatishmëri që me dialog të arrihet në një bazë të përbashkët. Pra kjo gatishmëri ekziston”, potencoi eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila njëherësh është edhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.