Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, i ka reaguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, duke thënë se ai duhet të kritikojë shtetet ku nuk po implementohet sundimi i ligjit dhe se aksionet ditore të Policisë nuk i takojnë dialogut.

Borrell, pas aksionit të Policisë së Kosovës sot, që përfshiu edhe veriun e Kosovës së bashku me pjesë të tjera, kishte reaguar në Twitter duke thënë se incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen. Dhe se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme.

“Ju lutem kritikoni shtetet ku sundimi i ligjit nuk implementohet. BE-ja duhet t’i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Borrell kishte shkruar se incidentet duhet të ndalen dhe të përqëndrohemi në dialog.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar Borrell.