Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon thotë se ka planifikuar një vizitë të ngjashme në Kosovë sikurse vizitën para pesë ditëve në Hagë. Në një përgjigje për median, Von Cramon ka folur edhe për deklaratat e ish-ministrit të Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj për të cilin tha se mund ta interpretojë si të dojë vizitën e saj në Gjykatën Speciale por qëllimi i vizitës së saj në rolin e raportueses së Kosovës në PE ishte mbledhja e informatave se si punon institucioni i Gjykatës Speciale dhe si zbatohet sundimi i ligjit.

Gjermanja Viola Von Cramon kishte njoftuar para pesë ditësh se i ka bërë një  vizitë Zyrës së Prokurorit Special dhe Gjykatës Speciale në Hagë për t’u njohur nga afër me punën e kësaj gjykate.

Kjo vizitë e eurodeputetes ka shkaktur reagime tek zyrtarët e PDK’së Enver Hoxhaj e Ganimete Musliu, të cilët e kanë quajtur ndërhyrje politike të saj në punën e gjykatës. Madje Musliu tha se më e pakta që mund të bëjë europarlamentarja është të kërkojë falje dhe të jepte dorëheqje.

Ju pëlqen!

Kurse deputeti i PDK’së, Memli Krasniqi në një replikë të tij në Twitter e ka quajtur eurodeputete aksidentale raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.

“Deputetja aksidentale e Parlamentit Evropian godet përsëri! Dhe me një postim racist në të! Duke e qortuar tërë vendin tonë të neve më pak vdekatarëve. Sa siguri që ajo do të shkruajë raporte rreth Kosovës për Parlamentin Evropian. Ne jemi inferiorë ndaj shkelqësisë së saj, siç mund ta pohojnë shumë robotë anonimë të Twitter-it që e përkrahin atë”, ka shkruar ai.

Europarlamentarja Von Cramon tha se ka planifikuar një vizitë të ngjashme në Kosovë për një mision të gjetjes së fakteve por që planet e udhëtimit nuk i vendosë në bazë të punës së gjykatës.

“Në mënyrë të ngjashme, kam planifikuar të shkoj në Kosovë përsëri për një mision të gjetjes së fakteve, gjë që është shtyrë disa herë për shkak të krizës shëndetësore dhe do të shkoj kur rrethanat e jashtme ta bëjnë këtë të mundshme dhe unë qartazi nuk jam duke vendosur për planet e mia të udhëtimit në bazë të punës së gjykatës. Interesi im politik është që të ketë një sistem të fuqishëm dhe të pavarur të drejtësisë në Kosovë dhe nuk ka asnjë arsye pse unë do të dëshiroja të ndërhyj në punën e një gjykate”, është shprehur ajo.

Viola Von Cramon në një përgjigje për media lidhur me reagimet e djeshme tha se ish-ministri i Jashtëm Hoxhaj mund t’a interpretojë si të dojë vizitën e saj në Hagë.

“Ai është i lirë ta interpretojë vizitën time ashtu si dëshiron. Edhe nëse ne mund të mos pajtohemi në disa pika, unë shpresoj se ai gjithashtu e di se ne të dy kemi një qëllim të njëjtë – t’u sjellim drejtësi Kosovës dhe viktimave të luftës dhe të sigurohemi që individët me përgjegjësi kriminale të mbahen përgjegjës”, tha Von Cramon.

E pyetur nëse vizita e saj në Hagë është një ndërhyrje politike, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian tha se arsyeja kryesore e vizitës ishtë që të mësojë më shumë se si zbatohet sundimi i ligjit se si punojnë këto institucione.

Von Cramon tutje tha se vizitën në Gjykatën Speciale e kishte planifikuar më herët por përshkak të pandemisë nuk ka mundur të shkojë.

“Arsyeja ime kryesore e vizitës në Hagë ishte që të mësoj më shumë për atë se si zbatohet sundimi i ligjit, si punojnë këto institucione. Është detyra ime që të mbledh sa më shumë informata që është e mundshme. E kam planifikuar këtë vizitë për një kohë të gjatë, por për arsye mirë të njohura, nuk kisha mundësi të shkoj në Hagë”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës e kanë vizituarnë dhjetor të vitit 2019 edhe anëtarë të komisionit parlamentar gjerman për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare, ku ishin pritur nga kryetarja Ekaterina Trendafilova.

“I shpreh mirënjohjen Republikës Federale të Gjermanisë për mbështetjen ndaj Dhomave të Specializuara dhe mandatit të tyre si një gjykatë penale e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me mbështetjen e BE-së për kryerjen e proceseve gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të sigurta,” kishte deklaruar Trendafilova.

“Si përfaqësues i Bundestagut gjerman, jam shumë i impresionuar me punën e rëndësishme të Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës për të mundësuar dhënien e llogarisë për kryerjen e krimeve të rënda dhe për mundësimin e proceseve gjyqësore të sigurta dhe të drejta,” kishte deklaruar kryesuesi i delegacionit, Jürgen Braun.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.