Në Shqipëri, Kuvendi i thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij votoi të shtunën për shkarkimin e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Kuvendi miratoi një statut të ri në bazë të të cilit u vendos dhe shpallja e pavlefshme e zgjedhjes së strukturave drejtuese aktuale. Zoti Basha u kundërpërgjigj në mbrëmje me një mbledhje të kryesisë e cila i propozoi Këshillit kombëtar shkarkimin e kryetarit të këtij Këshilli, Edi Paloka dhe disa anëtarëve të kryesisë, ndërsa u shkarkuan menjëherë disa kryetarë degësh. Ai tha se “asnjë deklarim i dalë nga ky tubim nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike.

Vendimi u mor pasi më herët u votua një statut i ri i PD-së, në bazë të të cilit u shpallën të pavlefshme dhe të gjitha strukturat drejtuese aktuale si dhe vendimet e marra prej tyre së fundmi, përfshirë thirrjen e një Kuvendi më 18 Dhjetor. Pikërisht në këtë datë sipas vendimit të sotëm, anëtarët e partisë do të duhet të shprehen me referendum për rezultatin e votimit për shkarkimin e zotit Basha.

Një Komision për Rithemelimin e PD-së i përbërë nga 29 anëtarë, përfshirë zotin Berisha, do të jetë institucioni Kolegjial që do të drejtojë partinë deri në Kuvendin e ardhshëm më 22 Mars 2022, ku do të zgjidhen strukturat e reja drejtuese.

Statuti i ri, u miratua pa ju nënshtruar asnjë lloj debati. Në të parashikohen ndërhyrje të thella që nga parimi 1 anëtar 1 votë edhe për zgjedhjen e organeve në qendër dhe ato lokale, te organizimi i primareve për përzgjedhjen e kandidatëve si për deputetë ashtu dhe për nivelet lokale, te referendumet, lejimi i fraksioneve, riformatimi i strukturave drejtuese e sansksionimi i largimit të kryetarit të partisë nga posti në rast të humbjes së zgjedhjeve.

Data e zgjedhur për Kuvendin e sotëm, përban një simbolikë të fortë, sepse përkon me ditën e themelimit të Partisë Demokratike. Dhe ky Kuvend është cilësuar si akti i “rithemelimit” të kësaj force politike, dhe “rikthimin e saj në një focë të vërtetë opozitare të sigurtë që do udhëheqë revolucionin demokratik paqësor të shqiptarëve”.

Vendimi i Departamentit amerikan të Shtetit, në muajin maj, për të përcaktuar zotin Berisha në listën e zyrtarëve të përfshirë “në korrupsion në nivel të lartë”, e për pasojë duke mos lejuar më hyrjen e tij dhe familjes së tij në territorin e Shteteve të Bashkuara ishte një goditje e fortë për PD-në, e sapo dalë e humbur nga zgjedhjet e radhës së 25 Prillit.

Por tronditja e madhe erdhi pak muaj më pas, kur në fillim të shtatorit kryetari i PD-së Lulzim Basha njoftoi vendimin për ta lënë zotin Berisha jashtë grupit parlamentar. Një akt të cilin ish kryeministri nuk e gëlltiti për asnjë moment, e që pasoi me një lëvizje të fortë të tij brenda radhëve të demokratëve. Kryetari Lulzim Basha, njeriu të cilin ai e kishte përkrahur gjatë gjithë këtyre viteve, pavarësisht, humbjeve radhazi në disa zgjedhje, u kthye menjëhere në shënjestrën e sulmeve të zotit Berisha në turin që ai ndërmori nëpër qytete të ndryshme në mbarë Shqipërinë.

Edhe sot zoti Berisha lëshoi akuza të ashpra ndaj zotit Basha, i cili sipas tij e ka çuar partinë përpara një sfide ekzistenciale, se i është përkulur Edi Ramës dhe se ka lënë në mes të gjitha nismat e rëndësishme të ndërmarra, dhe se pas zgjedhjeve të 25 prillit u kujdes më shumë për karriken e tij.

“Pasi tradhtoi votën tuaj e të 620 mijë shqiptarëve vijoi në rrugën e tij duke kryer krimin më të shëmtuar që mund të kryejë një udhëheqës, shkelmimin e sovranitetit, për të shpëtuar kokën e tij, sepse si burracak, nuk kishte karakter të jepte dorëheqjen”, deklaroi zoti Berisha duke ju referuar vendimit të kryetarit demokrat për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.

Zoti Berisha e ka kundërshtuar si “të pabazuar në fakte dhe prova” vendimin e Departamentit amerikan të Shtetit, duke ushqyer te mbështetësit e tij idenë e një akti politik të marrë nën ndikime njerëzve të caktuar. Ai sot foli për “një ndërhyrje të pashembullt, brutale të diplomatëve dhe zyrtarëve nga një vend mik, SHBA”, ndërsa sulmoi dhe ambasadoren amerikane në Tiranë Yuri Kim. “Eshtë e trishtuar, e dhimbshme, të shohësh ambasadoren e SHBA të sillet si guvernatore, si ambasadori sovjetik në Tiranë dikur”, tha ai duke folur për standarde të dyfishta që çuan në ndëshkimin e tij.

Por në intervistën e dhënë për gazetarin Sokol Balla në “News 24”, zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar saktësoi se vendimi përfaqëson “përpjekje institucionale për të luftuar korrupsionin. Ja se ç’janë. Ndaj, nuk u bë nga një administratë, nuk u bë nga një vendim-marrës, dhe nuk u bë nga një anëtar apo një organizatë brenda kabinetit. Ishte një përpjekje kolektive dhe arritëm konsensus për të”.

Për më tepër, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, zoti Escobar bëri të qartë se “nuk takohemi me të. Është i shpallur. Pra, do të ketë pasoja nëse Partia Demokratike zgjedh dikë që është i shpallur për të qenë udhëheqësi i saj”. Zoti Escobar tha gjithashtu se “do të nxisja njerëzit të mendojnë me shumë kujdes se cilët udhëheqës zgjedhin, se në cilën rrugë duan të jetë Shqipëria. Dhe shpresojmë se përgjigja do të jetë një rrugë me fokusin europian, përkushtuar ndaj NATO-s, dhe përkushtuar ndaj luftës kundër korrupsionit”.

Zoti Berisha megjithatë deklaroi sot se “ftoj zyrtarët e Departamentit të rishqyrtojnë vendimin sepse arroganca dhe gabimi nuk janë virtute të njerëzve të lirë”.

Zoti Basha ishte shënjestra e të gjithë folësve të mëpasshëm. I vetmi zë i ndryshëm ishte ai i zotit Fatbardh Kadilli i cili në qershor kandidoi, së bashku me zonjën Edit Harxhi dhe deputetin Agron Shehaj në garën për kryetar, përballë zotit Basha. Ndonëse të tre denoncuan një garë të pabarabartë “askush nga ju nuk u shqetësua për këto. U bëtë të gjithë me Lulzim Bashën. Dhe me ndihmën tuaj Basha fitoi në një garë që nuk ishte” u shpreh ai duke ju drejtuar delegatëve, të cilëve u kujtoi gjithashtu se ndryshimet statutore që u votuan sot ai i kishte propozuar në Kuvendin e mbajtur në korrik, por as ato nuk u përfillën.

Sipas zotit Kadilli “ndryshimi i partisë sonë është sfidë e vështirë, sepse kërkon në rradhë të parë ndryshimin e mendësisë sonë. Nëse jemi këtu për të zëvendësuar Bashën me Berishën, kemi mashtruar veten dhe të tjerët”. Ai pati dhe një thirrje direkte drejtuar zotit Berisha: Kky është momenti për t’i hapur rrugën të resë. Më mirë se kushdo tjetër në këtë tubim, ju e dini mirë se çfarë i duhet PD-së për të rigjetur besimin e shqiptarëve dhe riardhur në pushtet. Rikthimi juaj në krye të PD-së mund të duket sikur zgjidh krizën e sotme, por ajo vdes të ardhmen. Lejoni të ardhmen të vijë në PD”, theksoi zoti Kadilli.

Paralel, nga selia e partisë zoti Basha kishte zgjedhur të festonte ditëlindjen e PD-së, pavarësisht se sipas tij “ky 11 dhjetor është një ditëlindje e thyer për shkak të shkelmimit të një vlere, vendosjes së interesit personal mbi interesin e demokratëve, mbi interesin e Shqipërisë, mbi interesin kombëtar. Por e dimë që ditëlindje, jo çdo ditëlindje shkon ashtu siç e duam, por ne mësojmë dhe ecim përpara. Me zemrën e hapur, për këdo që ka gabuar por që ka motive të pastra, me vendosmërinë për t’i thënë kujtdo jashtë radhëve tona politike, jashtë familjes tonë politike apo që instrumentalizohet brenda familjes tonë politike nga ata që e duan Partinë Demokratike të përçarë, nuk do t’ia dilni”.

Në mbrëmje zoti Basha mblodhi kryesinë e partisë duke u kundërpërgjigjur me masa ndëshkuese ndaj anëtarëve të strukturave drejtuese që ishin pjesë aktive e Kuvendit të thirrur nga zoti Berisha. Për nesër është thirru një mbledhje e Jashtëzakonshme e Këshillit Kombëtar për të miratuar propozimet për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Edi Paloka, të disa anëtarëve të vetë kryesisë, Albana Vokshi, Aldo Bumçi, Gent Strazimirit, Gert Bogdani, Oerd Bylykbashi dhe Flamur Noka, si dhe të katër sekretarëve sekretarëve Ledina Mandia, Ervin Minarolli, Belind Këlliçi dhe Ivi Kaso. Po ashtu është propozuar dhe shkarkimi i drejtuesve të 10 degëve të PD-së.

Zoti Basha deklaroi pas mbledhjes së kryesisë se “sot është një ditë e keqe për PD dhe demokracinë shqiptare. 31 vjet pas themelimit të Partisë Demokratike, ne u bëmë dëshmitarë të një manifestimi personal të Sali Berishës për tju kundërvënë SHBA. Ne i bëjmë të ditur çdo demokrati që sot është shqetësuar nga kjo shfaqje e shëmtuar anti-amerikane e Sali Berishës se kjo ishte përpjekja e fundit, e dëshpëruar dhe e turpshme e tij për ta marrë peng Partinë Demokratike dhe për ta përdorur atë si bunker për hallin e tij”, u shpreh zoti Basha duke saktësuar se “asnjë deklarim i dalë nga ky tubim nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike dhe institucionet e zgjedhura të PD. Sigurojmë cdo demokrat se të gjitha institucionet e Partisë Demokraike, duke nisur nga Këshilli Kombëtar, Kryesia dhe Kryetari vazhdojnë të jenë në krye të detyrës, në përmbushje të përgjegjësive dhe në shërbim demokratëve dhe gjithë shqiptarëve”, u shpreh zoti Basha.