Muzeu i Arsimit në Korçë gjatë ditëve të festave të muajit mars është vizituar nga një numër i lartë turistësh.

Ky muze ka publikuar në rrjetet sociale foto nga vizita e tyre ku shumica vinin nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

“Këto ditë festash, Muzeu i Arsimit u vizitua nga një numër i konsiderueshëm turistësh. Pjesa më e madhe e vizitorëve përbëhej nga grupet e organizuara të mësuesve që vinin nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut”, shkruan Muzeu.

Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë, sot Muzeu Kombëtar i Arsimit, është monument i kategorisë së Parë i shpallur në vitin 1973. Kjo ndërtesë ishte shtëpia ku banonte patrioti korçar Diamanti Terpo, i cili e dhuroi banesën për shkollën shqipe, e hapur më 7 mars 1887 nga ana e mësuesit patriot Pandeli Sotiri.

Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908, si dhe historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (“Evetari”, 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi.

Pas restaurimit në sajë të një investimi të qeverisë shqiptare ky muze po tërheq më shumë vizitorë.

/ata.gov.al