Bazat e bashkëpunimit, ndërmjet Shqiptarve muhamedanë e të kërshtenë

Arsyet mâ të para e mâ të forta, qi anmiqt e nji Shqipnije, të lirë e më vete, kanë përdorun mâ shpesh për me kundërshtuem, qyshë nga nisja, lëvizjen t’onë kombtare, kanë qenë këto: “Shqiptarët nuk mund të lirohen, Shqiptarët nuk mund të ndërtojnë nji Shtet qi të ketë jetë të gjatë, qi t’organizohet e të përparojë, mbasi nuk kanë ndjesì kombtare, tue qenë se janë të ndamun në tri besime të ndryshme.”

Këto fjalë përsëriteshin, kjo propagandë ngatrrestare lohej si mbrenda si jashtë Shqipnìs. Por prisat t’anë, – atà qi, nga mâ të parët, rrokën në dorë flamurin kombtar e nisën luftat për lirì, – nuk u dobsuen as nuk u trembën fare prej kësaj profetije ogurzezë, tue qenë se njifshin thellë shpirtin e butë të vllazënvet të vet, e dijshin mirë se sa janë të lidhun për gjuhë, e se sa kryenaltë janë Shqiptarët për vênd e kombsí të vet. E nuk u gënjyen; provat i kemi në shesh. Ideja e gjuhës dhe e kombsís triumfoi mbi të gjitha pengimet.

E me të vërtetë, lidhja e besimit me Shtetin qi na sundonte, nuk i rrudhi aspak muhamedanët atdhetarë qi të kërkojshin të ndamit e Shqipnìs nga Turqija. E të kërshtenët, ndonse e dijshin mirë se Shqipnija etnografike, qi ata ândrrojshin të lirë, do të kishte një shumicë muhamedane tepër të madhe, nuk e muerën kursesi para sysh këtë punë as nuk u dhanë rândësì konsekuencavet të saja.

Vijuan, pra, s’bashkut, si vllazën që ishin, e me zell, ditë për ditë mâ të nxehtë, e me guxim, herë për herë mâ të madh, veprimin e luftën për gjuhë, për kombsì, për lirí; e disa prej tyne patën edhe fatin e bardhë me e pamun të realizuem idealin e vet, e me gëzuem edhe frytet e therorivet të veta.

Në kohët e para të mëvetësìs s’onë, ndodhën, me të vërtetë, disa ngjarje të këqija, të cilat u dukën, për nji herë se po u epshin të drejtë profetvet ogurzes. Kundërshtarët e Shqipnìs së lirë, si të mbrêndëshëm ashtu të jashtëm, u tërbuen prej gëzimit e besuen, për nji minutë, në fitimin e mêndimevet e të qëllimevet të veta; por veteranët t’anë, me gjithë mjerimin qi u ndîeu zemra, nuk e humbën besimin as shpresën në fatin e atdheut. E patën të drejtë. Mû në mes të trazimevet, shpirti i butë i popullit shqiptar u shque mâ teper se kurrë; e lidhjet e gjuhës, të gjakut e të kombsìs nuk vonuen me dalë ngadhnyese mbi lëvizjet e ngatrresat jetëshkurtuna.

Po të marrim para sysh konditat e vështira e rrethanat anormale ndërmjet të cilavet leu Shqipnija, nuk duhet të çuditeni fare për këto ngatrresa e trazime as t’i a ngarkojmë, të gjitha, influencës së besimevet të ndryshme.

Kur t’a mendojmë Shqipnìn, të cungëllueme në pjesët e saja mâ të mira, me kufîjt e pacaktuem e të shturun, me tokët e pushtueme prej ushtrivet të hueja e me nji komisjon kontrolli ndërkombtar mbi krye, duhet të mrekullohemi se si populli i saj ka mundun t’a mblithte veten, e se si nuk ka vdekun përpara se të niste me rrojtun!

Për sa i përket, tashti, çâshtjes fetare e kundërshtimit, qi mund të ngjajë ndërmjet besimevet të ndryshme, mund t’a thomi, me krye të naltë, se edhe në ketë pikë nuk kemi arsye të qahemi, mû, mâ fort, të gëzohemi e të shpresojmë mirë. E qi të mos duket se kënaqem vetëm me shpresa e se, në mungesë argumentash mâ të vlefshëm, kondendohem me rreshtuem vetëm fjalë të bukura për t’i bâmun qejfin njenit a tjetrit, kësaj here do të bie nji shembull, tue e marrë, shi, prej Irlandës.

Po të krahasojmë, pra, gjendjen shoqnore t’Irlandës me atê të Shqipnìs, e po të masim shkallën kulturore të popullit të saj me atê të popullit t’onë; e po të kujtojmë, mbasandej, se banorët e Ulster-it nuk duen të ndahen nga Ingilterra e të lidhen me shumicën e vllazënve të vet katholikë për me kërkuem, së bashkut, lirìn e plotë t’atdheut, vetëm nga shkaku pse janë protestant, duhet të përfundojmë tue pohuem, pa frikë kundërshtimi, se ndryshimi i besimit siell pengime shum mâ të mëdhaja, n’Irlandën e qytetnueme e të përparueme, se sa në vendin t’ënë të mjerë.

Nën këtë pikëpamje, komi shqiptar ep, me të vërtetë, nji shembull të shkëlqyeshëm vllaznimi e butsije shpirti, sa qi rall se gjindet kund!
Përpara se të përfundojmë, na vjen tashti, të pyesim: Si do të sillen, si do të rregullohen Shqiptarët qi të munden me bashkëpunuem lirisht për të mirën e atdheut, qi të largojnë ç’do shkak konflikti e të mos ndeshen n’asnji pengim, sado të vogël, qi mund të rrjedhë nga ndryshimi i besimevet?

Unë s’jam aspak me atà qi mendojnë se, me një mënyrë a me nji tjetër, me të butë a me të fort, duhet të shuhen besimet për me larguem konfliktet, qi mund të shkaktojnë. Përveç se nji çâshtje, qi i përket ndërgjegjës së njeriut, feja âsht nji e mirë, âsht nji ndihmë e madhe edhe për jetën e kësaj bote. Parimet e fès, të ndjekuna mirë, i bâjnë njerzit qytetarë të ndershëm, i mësojnë qi t’i shërbejnë atdheut, qi t’u shtrohen ligjvet të Shtetit.

Unë besoj se qëllimi i dëshiruem, domethânë, largimi i konfliktevet ndërmjet besimevet të ndryshme, mund t’arrihet lehtas, e vetëm e vetëm, tue shiguruem, me ligjë të drejta e të njinjishme, lirìn e nderimin e besimevet, e tue ndaluem qi Shteti të përzihet në punët e tyne.

Trazimi i Shtetit në çâshtjet fetare, jo vetëm qi âsht i padrejtë, por, sidomos në Shqipní, mund të dalë edhe fort i rrezikshëm. Po të nisë e të përzihet Shteti në punët e njenit a të tjetrit besim, për të mirë a për të keq qi të jetë, do të prishet me nji herë ekvilibri ndërmjet tyne, do të shkaktohen hidhënime e pakënaqsí, do të rrjedhin vishtirsì e ngatrresa.

Tue qenë punët kështu, arrijmë vetvetiu në ketë përfundim, qi bazat e bashkëpunimit ndërmjet të Shqiptarvet muhamedanë e të kërshtenë duhet të mbeten gjithnji ato të parat, duhet të jenë këto: Njisija e Atdheut, bashkimi i kombsís, lidhja e gjakut dhe e gjuhës; ide këto, që janë përshkue nëpër provën e zjarrit dhe kanë dhanë frute të mira. Përsa i përket mandej, çeshtjes Fetare, parimet qi do të ndiqen janë këto: Besime të lira në Shtet të lìr, mostrazim i Shtetit në çâshtjet besimtare, nderim i njeni-tjetrit për besimin e shoqi-shoqit.

Tue ushqyem këto idè, tue ndjekun këto parime, tue vepruem mbi këto baza, mund të jemi të sigurtë se Shqipnija do të rrojë, se Shteti do të forcohet, se populli i ynë do të vrapojë, me hapa të shpejtë, drejt udhës së qytetnimit e të përparimit.

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët. Këta nuk e kontrollojnë e as nuk e financojnë gazetarinë tonë kritike. Ndihmoje sot MekuliPress - Mbështete median e pavarur