Letra e Dhimitër Beratit për Gurakuqin: Lajmet e zeza në Shqipërinë e 1920

I dashur mik, E mora me kohë letrën t’ënde më datën 9 të k.m. dhe të falem nderit. Lajmet që paske nga atdheu janë, me të vërtetë, shumë të zeza. Sa është për t’u çuditur aq edhe për t’u mahnitur që nuk u gjentkan midis nesh 4 a 5 njerëz që të punojnë bashkë dobisht një motmot.

Por rreziku nuk është vetëm aty. Qeveritë t’ona, guvernimin e shohin si një konqesì eskluzive. Shtetin e identififikojnë me vehten, pra miq e anmiq të veçantë u dashka të jenë edhe të Shtetit : “l’Etat c’est moi”

Po ka edhe më tej. Shumë prej nesh besojnë se vetëm duke qênë anëtar=mis a kundërshtar i qeverisë duhet punuar. Dhe në këtë kuptim, veprimi ka, gjithmonë, karakter të prerë, tepër të caktuar, domethënë ja krejt pro ja krejt kundër.

Duke mos u munduar t’a gjejnë rrugën e mesit a duke mos dashur t’a gjejnë këtë rrugë, një vepërim – më mirë posibilitet vepërimi – shkon më kot. Kujtoj se një njeri mund të jetë për qeverinë, parimisht e atdhesisht, kur s’bën politikë rrëzimesh për gazin e rrëzimit; por mund të jetë edhe kundër për këtë vepër ose atë reformë, për këtë rregullim ose atë vendim. 

Më shkonin ndër mênd këta mendime duke lexuar ç’shkruan Traglia mbi çështjen e partive në Shqipëri. Në këtë rend mendimesh më kujtohet edhe artikulli i Faik Konicës, botuar në “Popolo romano”. Më tha Kasneci se t’a ka për të dhânë.

Me Kasnecin folëm shumë herë mbi nevojën që të fillohet sa mâ shpejt, mbrenda në Shqipëri, një luftë parlamentare, elektorale, urtësisht e metodikisht. Shumë mund të flitet e të vihet n’udhë nga kjo pikëpamje.
Tani fjalë librash.

Më fajton se shkruaj shkurtër dhe unë kujtonja se, mbi këtë send, tepër e zgjata fjalën. Mund të të kisha dërguar Lecce-n e Blanku-n t’em hua, me rastin e udhëtimit të Kasnecit, por njëherë s’dinja në të duhen a jo tani dhe, pastaj, Kasnecin s’e poqa kur u nis. Do t’i kisha dhënë ndobare Blankun.

Kam gjetur këtu përkthimin e Pietro Rocca-s, shtypur në Venedik më 1554. Nuk e kam blerë se më kërkon 85 lireta. Biemmin e bleva me 20 l., të ri e të lidhur punë e madhe. Shkruamë gjâ për Rocca-n në i a njeh vlerën si libër i rrallë.

Thua se nga librat që tregoj n’atë listë kam nga dy. Të kuptohemi. S’kam prej të gjithëve. Sarocchi-n s’e kam fare ; Blankun kam editën 1704, ajo e Parisit âsht 1691, edita e parë. T’imes i mungon një faqe, si edhe Barlecit. Ah, u kujtuash…. E di sa më kërkoi këtu një librar për Barlecin ? ̶ 1000l. E …. me t’ardhun keq se të tjerë librarë e paskan shitur 1400 !
Budin kam vetëm një editie të re. Kam gjetur këtu ca vogëlima të De Radës etj.
Me mall, Dhimitër Beratti (firma) 

Freng. : “Shteti jam un”

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]