Një virus misterioz, i panjohur deri më sot për shkencën, po shkakton sëmundje të rëndë të mushkërive në qytetin kinez Wuhan. Më shumë se 50 njerëz janë infektuar. Shtatë janë aktualisht në një gjendje kritike. Virusi i ri që sapo ka hyrë në ‘skenë’ ka lënë shumë pacientë me pneumoni, çka mbetet gjithmonë një shqetësim ndaj dhe zyrtarët shëndetësorë në të gjithë botën janë në gatishmëri.

Por a është kjo një shpërthim që do të zhduket shumë shpejt apo shenja e parë e diçkaje shumë më të rrezikshme?

Mostrat virale janë marrë nga pacientët e prekur dhe janë analizuar në laborator. Zyrtarët në Kinë dhe Organizata Botërore e Shëndetit kanë konkluduar se infeksioni është një koronavirus.

Koronaviruset janë një familje e gjerë virusesh, por vetëm gjashtë (e reja do ta conte shifrën në shtatë) dihet se infektojnë njerëzit. Sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes (Sars), e cila është shkaktuar nga një koronavirus, vrau 774 nga 8,098 personat e infektuar në një shpërthim që filloi në Kinë në 2002. “Ekziston një kujtim i fortë i Sars, nga ku lindi një frikë e madhe por ne jemi shumë më të përgatitur për t’u marrë me ato lloj sëmundjesh,” thotë Dr. Josie Golding, nga Wellcome Trust.

Koronaviruset mund të shkaktojnë simptoma që variojnë nga një ftohje e butë deri në vdekje. Ky virus i ri duket se është diku në mes. “Kur shohim një koronavirus të ri, ne duam të dimë se sa të rënda janë simptomat, kjo është më shumë sesa simptoma të ngjashme me të ftohtin ndaj dhe është një shqetësim por nuk është aq e rëndë sa Sars”, thotë Prof Mark Woolhouse, nga Universiteti i Edinburgh.

Dr Golding thotë: “Për momentin, derisa të kemi më shumë informacion, është vërtet e vështirë të dimë se sa të shqetësuar duhet të jemi. “Derisa të kemi konfirmimin e burimit, kjo do të na bëjë gjithmonë të mbetemi të preokupuar”. 

/Scan/