Viktimat e dhunës në familje në Kosovë, mund të qëndrojnë të strehuara në Qendrat për strehimin e viktimave për një periudhë gjashtëmujore, por pas asaj kohe, atyre duhet t’iu bëhet një zgjidhje për t’u larguar nga strehimorja.

Me një nga viktimat e dhunës në familje me të cilën ka biseduar Radio Evropa e Lirë, por e cila nuk ka dashur të identifikohet, tregon se pas gjashtë muajve qëndrimi në një strehimore, në pamundësi për një zgjidhje tjetër më të mirë, është dashur të kthehet te burri, i cili kishte ushtruar dhunë ndaj saj para se të shkonte në strehimore.

Si e papunë dhe e varur ekonomikisht nga bashkëshorti, ajo thotë është kthyer prapë në shtëpi me shpresën se dhuna fizike dhe psikike që kishte përjetuar, nuk do të përsëritet.

Në Kosovë, funksionojnë dhjetë strehimore për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi bazë gjinore, viktimave të trafikimit me qenie njerëzore dhe fëmijëve të keqtrajtuar, abuzuar, lënë pas dore dhe pa përkujdesje familjare.