Gjykata Kushtetuese përsëri do të ketë punë me qeverinë e re. Për njërin nga 61 deuputët që e votuan Qeverinë “Hoti”, Etem Arifi, u raportua se egziston një aktgjykim i formës së prerë për vepër penale me një vit e tre muaj burg.

Për këtë ccështje deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetutese me pretendimin se egzistojnë provat se deputeti Arifi e ka humbur mandatin e deputetit. Për rrjedhojë të kontestohet vota e tij për qeverinë.

“Me provat që dëshmojnë qartazi se z. Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit, sot, disa deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetuetshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi, i cili e bën të pavlefshëm dhe jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës.”, thuhet në njoftim.

Vetëvendosje këmbëngul se është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg.

“Qeverinë Koti është e diskredituar në të gjitha drejtimet. Pa bazë kushtetuese dhe pa vullnetin e votuesve, e varur plotësisht nga Lista Serbe dhe madje me vota të deputetëve përkundër vullnetit të tyre, ajo është e pavlefshme edhe ligjërisht prej votimit të z. Etem Arifi si i dënuar me vendim përfundimtar gjyqësor për vepër penale. Përveç Qeverisë që nuk gjen mbështetje as në Kushtetutë dhe as në rezultatin e zgjedhjeve, por është imponim nga Presidenti e për vetë atë dhe planet e tij, ka humbur integritetin dhe besueshmërinë çdo mekanizëm kushtetues për mbrojtjen e ligjshmërisë e të kushtetutshmërisë së veprimeve e vendimeve institucionale”, shkruan në postim.

 

Në fund të komunikatës shkruhet se rasti i radhës ose do të shpërfaqë edhe më shumë rënien e shtetit të së drejtës në justifikimin e çdo paligjshmërie, ose do të konstatojë atë që e thotë Kushtetuta se një deputet i dënuar me mbi një vit burg humb mandatin dhe se vendimi që merr për bazë votimin e tij është në kundërshtim me Kushtetutën.