Liria dhe pushtimi nuk barazohen kurrë!

Salih Mustafa ka qenë luftëtar i lirisë. Ai bashkë me shokë e shoqe në UÇK u angazhuan për të mbrojtur kombin shqiptar të cilin Serbia dëshironte ta zhdukte prej Kosovës, gjatë viteve të pushtimit.
Dënimi i Salih Mustafës nga Gjykata Speciale me 26 vite burg është i papranueshëm për ne. Shpresojmë që në shkallën e Apelit ish-luftëtari Salih Mustafa të pastrohet nga akuzat, të cilat nuk po duket se kanë dëshmi e prova për përgjegjësitë e tij direkte.

Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe subjektet opozitare asokohe ishin të vetme subjekte politike që nuk e kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale. Ne besojmë se Kosova nuk ka nevojë për zgjidhje speciale e eksperimente, por për institucione normale si të çdo vendi tjetër. Edhe drejtësia jonë duhet të rrjedhë nga funksionalizimi i gjykatave normale e jo duke themeluar gjyqe speciale.

Ju pëlqen!

Mbi 12 mijë shqiptarë janë vrarë nga serbët e armatosur si ushtri, polici e paramilitarë. Mbi 20 mijë janë viktima të dhunës seksuale të përdorur si mjet lufte nga serbët. Ende të pagjetur janë 1653 persona, ndërsa në gjithë vitet e pasluftës janë zbuluar varreza masive me trupa shqiptarësh në Serbi. Mbi 200 mijë shtëpi, banesa, lokale, fabrika të shqiptarëve janë djegur e shkatërruar nga serbët deri para çlirimit në 12 qershor 1999.
Vetë termi “spastrim etnik” u krijua në Serbi, si një lloj formule për të mos thënë gjenocid. E megjithatë vetëm 26 serbë janë dënuar për krime lufte. Millosheviqit nuk iu shqiptua dënim nga drejtësia ndërkombëtare. Në gjyqin e Stanishiqit, shefit të shërbimit sekret serb që themeloi paramilitarët dhe u përfshi direkt në gjenocid, pati ndikim politik që të mos dënohej rëndë.

Sot Serbia është e angazhuar në destabilizimin e Kosovës, duke sponsorizuar kriminelë që ngrenë barrikada e që lënë të vdesin nga mungesa e mjekimit vetë qytetarët serbë të Kosovës. Ajo vazhdon të kërcënojë çdo ditë me luftë duke përmendur kthimin e trupave ushtarake në Kosovë ndërkohë që provon ta destabilizojë edhe Bosnjen e Malin e Zi.
Prandaj na dhemb dhe e shohim si të papranueshëm dënimin që po i bëhet shqiptarëve si Salih Mustafa, të cilët atëherë po edhe tash janë gjithmonë në pozita mbrojtëse përballë agresionit.

Barazimi i agresorit me mbrojtësin, relativizimi i të drejtës për çlirim e për rezistencë, janë gjëra që nuk do t’i pranojmë kurrë. Atdheun do ta mbrojmë gjithmonë, me çdo kush e me çdo mjet.

Lëvizja VETËVENDOSJE! solidarizohet me çlirimtarët, familjet e tyre, dhe gjithë popullin tonë liridashës.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!