Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për media, ka folur lidhur me takimin e zhvilluar sot mes Kurtit dhe Mustafës.

Ata në këtë kumtesë bëjnë me dije se nga takimi sotëm ndërmjet partisë së tyre dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pati përafrim.

Ndërsa, mes tjerash në këtë njoftim, ata bëjnë me dije se takimi i radhës drejt marrëveshjes për koalicionin qeverisës LVV-LDK është nesër.

“Në kuadër të rifillimit të bisedimeve, në takimin e sotëm ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pati përafrim. Takimi i radhës drejt marrëveshjes për koalicionin qeverisës LVV-LDK është nesër”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkaq, edhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka folur pas takimit tre orësh në mes të krerëve të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Mustafa ka thënë se ka lëvizje të pozicioneve të dy partive, dhe ka paralajmëruar edhe një takim për nesër.

“Ka përfunduar. Kemi lëvizje në përpjekje për marrëveshje. Do të kemi edhe një takim të radhës nesër”, ka thënë Mustafa.