Të padrejta e spektakël i konsiderojnë arrestimet nga Gjykata Speciale, ndaj udhëheqësve të OVL-UÇK-së, veteranët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës. Veterani i UÇK-së, njëherësh sekretar në Degën e OVL- UÇK në Ferizaj, Nexhat Shahini, thotë se pamjet e arrestimit të udhëheqësve të Organizatës irritojnë veteranët, pasi sipas tij, një veprim i tillë nuk ka qenë i nevojshëm. Vetë Gjykatën Speciale, Shahini e quan si të padrejtë dhe si politike, ku thotë se po gjykohet viktima dhe jo ai që ka bërë krime.

“Është Gjykatë politike, sikur të ishin të përfshira në gjykime të gjithë grupet e përfshira në luftën e Kosovës sigurisht që nuk do të kishte vend për ta kundërshtuar, por përderisa është e njëanshme dhe përndjek vetëm ushtarët e UÇK-së mendoj që është politike për t’ia bërë qejfin kërkesave të Serbisë”, thotë ai.

Veterani i UÇK-së Nazmi Hajdari, që ka qenë pjesë e Zonës Operative të Nerodimës, thotë se të gjitha arrestimet e ditëve të fundit janë një e padrejtë që po i ndodh Kosovës. Ai thotë se Gjykata Speciale është një e padrejtë që po i ndodh UÇK-së, pasi sipas tij nuk po gjykohet forca që ka bërë krime por po gjykohet lufta çlirimtare. Policia e EULEX-it ka arrestuar kryetarin e organizatës së OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!