Punuar nga: Llazar Syziu

VETEGJYQESIA – ANTIVLERA E NJE KOMBI 

Përshëndetje!

Ju pëlqen!

Ky studim nuk ka për qëllim të japi hollësira, por një pamje të përgjithëshme, ose vështrim paraprak të dukurive. Bazë e këtyre ideve ka qenë vëzhgimi i vëmendshëm i një njeriu 54-vjeçar që ka mundur të përjetoj kalimin nga sistemi njëpartiak, në një demokraci ende të brishtë në Shqipëri. Gjithashtu nuk më ka munguar shkëmbimi i mendimeve me miqtë dhe kolegët.

Stresues është fakti i informuar mbi krimin në një komunitet. Rritet akoma më shumë stresi kur ky krim shpaloset me trajta të larta organizimi. Por janë të pa krahasueshme këto, me shqetësimin që përhapet nga lajmet për ndodhi të krimit brenda familjes. Brenda institucionit më të vjetër shoqëror. Zakonisht këto krime vetëgjyqësie etiketohen dendur si “spontanitet”, “motive të dobëta”, apo “gjaknxehtësi”. Kështu opinioni shoqëror mbyll në fillim kapitullin mbi mgjarjen aktuale dhe më tej ulet kapaku i rëndë i dosjes së ngjarjeve me natyrë raskapitëse për mendjen e njeriut të zakonshëm. Ky njeri pa vetëdije të plotë artikulon tingujt e pa shpresë “Ruajna zot!”

Pse shuhen këta yje me vetëgjyqësi?

Dikush, dikur në Shqipëri numëroi 28000 yje të pashuar. Të pashuar sepse ideali i tyre triumfoi. Po të bënim sado pak përpjekje për të numëruar yjet e shuar me vetëgjyqësi, shpejt do ta kuptonim se në rrjedhën e kohës, ata i kalojnë 28000 yje të shuar. Ideali i tyre shuhet bashkë me ata. Ideali i njeriut që nuk gjen dot zgjidhje të problemeve të tij në shoqërinë që e rrethon. Ky është ideali i njeriut të pakënaqur nga zgjidhja shoqërore që i ofrohet, e cila zakonisht e ka emrin nënshtrim. Të mbetur momentalisht jashtë vëmendjes shoqërore, ata zgjedhin zgjidhjen e pa shpresë: “Më mirë mohim, ose vetmohim, se sa nënshtrim”. Mohim të vetvetes, familjarëve, njerëzve me lidhje gjaku, vlerave materiale dhe shpirtërore që i rrethojnë. Ata bëjnë përpjekje të pa shpresë për të mohuar nënshtrimin ndaj personit, nënshtrimin ndaj institucionit, ndaj grupeve shoqërore, ndaj autoritetit shoqëror, shtetëror apo familjar, ose edhe ndaj ngjarjeve konkrete, aktuale dhe të kaluara, që kanë premisa të ndikojnë negativisht në jetën e tyre.

Çdo komb ka organet e veta të zgjidhjes së problemeve dhe të konflikteve shoqërore. Të sanksionuara këto me ligj dhe të organizuara në formë institucionesh, më së miri, sipas fjalës së fundit të konceptimit. Se sa funksionojnë këto organe, e tregojnë më së miri shprehjet që përdoret dendur sot në Shqipëri: “Kush ta qan hallin sot”, “Të bësh gjyq do kohë dhe para”.

Këta njerëz – viktima nuk janë më spontan se të tjerët, as më gjaknxehtë. Motivet e përditëshme të jetës së tyre nuk janë më të dobëta, por grumbullimi i vazhdueshëm i tendencave nënshtruese të shoqërisë në të tilla raste, ka marrë vlera të konsiderueshme. Këto grumbullime janë faktorë që favorizojnë tendencat shpërthyese tek njeriu. Këto janë vetëm premisa të cilat herë shfaqen dhe herë mbyten për t`u shfaqur tjetër herë, në një dallgëzim më të madh. Herë shfaqen me ngjyra të zbehta e gumëzhitëse dhe herë me më shumë reflekse dhe zhurma të forta.

Cilat janë këto tendenca nënshtruese që shoqëria shqiptare nuk i menaxhon dot? Ato janë të shumta, por tranzicioni i ndryshimit të sistemit shoqëror, i përforcon në të gjitha skajet e diversitetit të tyre të mirëfilltë.

Në një vend ku përmbysen raportet sociale të njerëzve që drejtojnë shoqërinë, qoftë kjo me forcë apo me votë popullore, fillon një rivalitet i ashpër për drejtim. Pra “militanti” merr stafetën. Kur ndryshon kuptimin interesi për pronën, përsëri shfaqet një luftë e egër për tjetërsimin e pronës. Pra “matrapazi” merr stafetën. Po ashtu kur ndryshon forma e punësimit dhe e shpërblimit për punën që njerëzit bëjnë, fillon një luftë për ekzistencë midis anëtarëve të shoqërisë që janë të aftë për punë dhe punësim. Këtu korrupsioni merr stafetën.

Këto shtërngata dhe furtuna sociale dëmtojnë rëndë familjen, që është njësia bazë e shoqërisë. Rrezikimi ekonomik i familjes, është në masën më të madhe shkak i çorjentimit aktual dhe perspektiv të saj. Vetë familja ka ligjet e saj që funksionojnë së brendëshmi. Sado e rregullt dhe me baza të shëndosha që të jetë familja, me të mbarten konflikte të shumta. Këto konflikte përgjithësisht shtohen me rritjen në moshë të anëtarëve të saj që mbajnë statusin “fëmijë”. Mënyrat e shumta që ata zgjedhin për argëtim, punësim, apo deri tek krijimi i një familje të re, patjetër që kanë vulën e shoqërisë që i rrethon. Pra furtuna sociale e vendit i gjen hapur dritaret, e përfshin dhe zhvillohet fuqishëm edhe në gjirin e familjes.

S`mund të themi se morali familjar nuk lë gjurmë në funksionimin shoqëror. Megjithatë këto gjurmë janë të dobëta dhe më tepër me natyrë toleruese se sa detyruese. E kundërta vërehet shpesh, morali shoqëror shfaqet fuqishëm në familje, detyron anëtarët e saj të mbështeten në pika të ndryshme referimi. Marrëdhënie këto që e destabilizojnë familjen dhe i hapin plagë të reja shoqërisë. Tregues i funksionimit jo të rregullt të shoqërisë, janë rastet e shumta të vetëgjyqësisë së anëtarëve të saj.

Megjithatë ajo funksionon. Funksionon me elementë të paqëndrueshëm, me të papritura të shumta, dhe me një kaos informacioni. Kjo ndodh në media sot. Ka nga ata që nuk e quajnë kaos. Ngjarjet shpesh dalin në ekranet televizive të nxehta, pa u ftohur akoma. Por të mos harrojmë që informacioni ka si vulë interpretimin. Vetëm në dy kanale mediatike po të ndjekësh një lajm çoroditesh. Po të ndjekësh të gjithë faktorin mediatik? Po të llogaritim të gjithë ata individë të cilët nuk e kanë sensin kritik gjatë përvetësimit të informacionit? Pra nuk gjejmë dot fjalë më të mirë se sa fjala kaos. Kjo lë mjaft për të dëshiruar që të marrë etiketën informim publik. Me zellin më të madh ngjarjet e zakonshme familjare dhe shoqërore interpretohen si politike. Po ashtu edhe e kundërta. Prezantohet me nota emocioni kundravajtja dhe krimi, por nuk citohet ndëshkimi për kundravajtësin dhe kriminelin. Këto e bëjnë interesant procesin mediatik, por u hapet rrugë abuzimeve të shumta, një pjesë e të cilave bien mbi familjen dhe vështirësojnë gjetjen e zgjidhjeve reale dhe pozitive të anëtarëve të saj.

Çdo shoqëri ka njerëz që abuzojnë me punën rregullin dhe moralin, pra si rezultat do të ketë edhe situata shoqërore sforcimi dhe imponimi evidente. Por përmasat e gjera të vetëgjyqësisë të identifikuara, tregojnë më tepër mosfunksionim shoqëror, se sa difekte spontane të anëtarëve të veçantë të saj. Në një shoqëri që nuk funksionon me parametra të rregullt, por me plagë të shumta sociale, njerëzit ndahen lehtë në dy grupe. Në grupin e parë janë ata që punojnë dhe krijojnë të mira materjale dhe shpirtërore dhe në grupin e dytë, i cili përpunon qindra mënyra, se si të përvetësoj vlerat e krijuara nga të parët.

Një nga tendencat nënshtruese në shoqërinë shqiptare i dedikohet “profesionit” të militantit partiak. Profesion ky i zhvilluar së tepërmi këta 30 vjet tranzicioni. Profesion që e ka kaluar fazën individualiste dhe ka kaluar në grupe militante. Ky profesion është i mbrojtur jo me ligj, por me statusin që i japin dogmat e opinionit shoqëror. Militanti të jep votën, vota të jep pushtet dhe pushteti të jep forcë dhe ego. Kjo forcë i krijon mundësi punësimi militantit, me ose pa të drejtë, i jep pronë me ose pa të drejtë. Jo vetëm kaq, por arrin ta kthej individin nga “zero” në lider të një institucioni, pa patur asnjë vlerë në ngritjen dhe funksionimin e tij. Kjo, vetëm e vetëm se ka vlera konform autoritetit që e përdor.

Këto sjellje përfshijnë tjetërsim dhe përvetësim vlerash, që patjetër janë krijuar me punë. Kjo është bazë për sjelljet antiligjore të militantit, i cili punon në emër të partisë, me udhëzimet e partisë dhe që sjellin ujë në mullirin e partisë. Për njeriun e punës këto cirkuida sjellin veç nënshtrim. Ato nuk janë gjë tjetër veç gurë të hedhur lartë, në kokat e anëtarëve të shoqërisë dhe herët ose vonë u bien atyre përsëri në kokë, megjithëse respektojnë normat shoqërore dhe shtetërore të kombit.

Individë që dalin herët në jetë, për arsye të traumave në funksionimin e familjes, shpesh nuk arrijnë të marrin as dozat që jep arsimi i detyruar në lidhje me rregullat e bashkëjetesës shoqërore në komunitet. Në ndërveprimin shoqëror ata ndjekin dendur instiktet individuale, bëhen shpejtë pjesë e turmës dhe janë ca si tepër spontan. Ballafaqohen në veprimtaritë shoqërore në pozicionin e njeriut që kërkon të gjitha të drejtat për punësim, pronësi, apo krijimin e familjes në periudhë të herëshme. Kur kësaj kategorie i mungon përkrahja e duhur shoqërore, ata më së shumti shfaqen si viktimë e nënshtrimit. Por kur në bazë të përvojës së fituar, punës që bëjnë, ose për arsye të tjera, sigurojnë përkrahje shoqërore, ata shfaqin premisa të shumta, për të shpalosur tendenca imponuese ndaj shoqërisë. Duke mos patur fuqi bindëse, me anë të artikulimit të koncepteve të domosdoshme jetësore, ata shpesh përdorin forcën, prapaskenën dhe në rastet më delikate, mbështeten në forcën e zakonit. Kjo është bazë për sjellje antiligjore.

Të tjerë akoma e mbarojnë ciklin e shkollimit, ndonjëherë edhe me tregues të lartë në rezultate, por bazë e arritjeve të tyre ka qenë kryesisht shfrytëzimi i konjukturave të larmishme shkollore, më tepër se edukata e punës. Aftësia për përpunimin e opinioneve shkollore, përsoset së tepërmi tek këta individë. Konfrontimi i tyre me normat në shkollë është i dendur. Kjo gjendje bashkëshoqërohet me konfrontim me autoritetin shkollor. Pavarësisht traumave që pësojnë gjatë shkollimit, shpesh ata e plotësojnë arsimimin e tyre, por cilësia e edukimit tek ata, gjithmonë ka mangësi. Të tillë individë kur dalin në jetë, shpëtojnë nga vëmendja e autoritetit këmbëngulës shkollor, kështu që për ata, krijohen premisa të reja, që të shfaqin talentin e tyre të veçantë. Autoriteti i dallgëzuar shoqëror, shpesh e favorizon të fituarit në bazë të sjelljeve koniukturale. Kjo është bazë për sjellje antiligjore.

Shumëllojshmëria e mënyrave të përfitimit ekonomik dhe social ka kapur vlera të larta gjatë viteve të tranzicionit. Veçanërisht mënyrat e përfitimit ilegal. Këto janë favorizuar nga paralizimi i administratës shtetërore, për arsye të kontradiktave të krijuara nga faktori politik shqiptar. Këto mënyra përfitimi, për të arritur konsolidimin e sigurisë së tyre, shpesh shkelin mbi normat dhe moralin e familjes. Ky fakt ka realizuar dhe fatkeqësisht vazhdon të realizoj gjithfarlloj krimesh. Prindi vret fëmijën, apo fëmija vret prindin, burri vret gruan, apo gruaja burrin. Nga ana tjtër fjala pronë, me të vërtetë është shumë e dashur për njeriun, por shpesh e veçon atë nga kuadri shoqëror. Kjo fjalë që e ndan individin nga të tjerët duke realizuar shpesh konflikte brenda njerëzve me lidhje gjaku, shumë shpejt bëhet vrastare.

Arsyeja e vendimmarrjes kapitale nga ana e disa njerëzve, nuk është arsye për të realizuar të njëjtin akt nga individët e grupeve të tjera shoqërore. Vrasja e vetes për një arsye vlerësimi në shkollë, mund të ndodhi tek mosha e adoleshencës kur angazhimi i vetëm i tyre është konkurimi për vlerat e shkollimit. Vrasja e vetes për arsye të mosfunksionimit të marrdhënieve të krijimit të familjes, ndodh zakonisht në moshat e reja. Dhënia fund e jetës për arsye ekonomike nuk ndodh më dendur tek njerëzit me më pak mjete jetese. Këta janë tregues se vetëgjyqësia shpesh ka bazë vetëdijen e ngushtë të njerëzve, të cilët gjykojnë më tepër së brendëshmi.

Ashtu si padrejtësia e gjakmarrjes ngujon fëmijë e të rritur brenda katër mureve të shtëpisë, edhe qindra padrejtësi të vogla shoqërore, ngujojnë fëmijë e të rritur në kllapinë e guaskës familjare. Opinioni me bazë interesin e familjes, bëhet përshkues i vetëdijes shoqërore. Ngushtimi i kësaj vetëdije, nuk i lejon t`i zgjidhin as teorikisht me parametra të shoqërizimit të nevojshëm, problemet personale dhe shoqërore. Shkalla e ulët e shoqërizimit të sjelljeve të tyre, i pengon të njohin rolin krahasues të vetvetes dhe pozicionin e tyre në shoqëri. Përgjthësisht kur njerëzit e kuptojnë si të pa shmangshme dukurinë nënshtruese në realitetin ekzistues, jo vetëm që durojnë pasojat, por edukojnë edhe të tjerët me mësimet e nxjerra prej vështirësive.

Disa e provojnë vetëgjyqësinë pasi kanë gjykuar me metrin e tyre një apo më shumë individë të tjerë. Kjo zakonisht shoqëron rivalitetin e njerëzve për statusin e pronës dhe të moralit.

Në periudhën e shtetit monist, para tranzicionit gjen pak fakte vetëgjyqësie dhe kjo ka arsyet e veta. Fryma e kolektivizimit të njerëzve militantë, kolektivizonte edhe problemet e anëtarëve të tjerë të shoqërisë. Një problem individual shoqërizohej shumë shpejt, nën efektin e përkushtimit të tepruar ndaj pushtetit popullor. Reklama që u bëhej fakteve të vetëgjyqësisë ishte pothuajse zero, bile edhe kur fakti lidhej me figura të larta shtetërore. Kontrolli i rreptë dhe i centralizuar i vlerave material dhe shoqërore ishte një faktor tjetër. Këta dhe të tjerë faktorë ndihmuan që vetëgjyqësia të mos hidhte themele të forta, sa për të krijuar një agregat kaq të komplikuar siç është hasmëria. Nuk njihej as servirja e hasmërisë me garniturën e rregullave të shenjta të kanunit, si ndodh sot dendur në zonat veriore.

Shpesh informohemi nga shtypi, media elektronike, apo në mikroambjentet tona të vogla familjare dhe shoqërore:

U hodh nga katet e larta të ndërtesës…! Përdori helm nga dëshpërimi…!

Ka varur veten në litar…!  I ka vënë zjarrin vetes…!

Ka vrarë veten me armë…!     Jo të pakta janë rastet kur arma që ka përdorur për të vrarë veten, më parë ka ndarë nga jeta, ose ka gjymtuar rëndë persona të tjërë të përfshirë në shkaqet dhe pasojat e vetgjyqësisë.

Impakti i parë në shoqëri, tek secili individ është i qartë dhe domethënës:

“Jeta një herë të vjen dhe nuk duhet shpërdoruar”.

Pra vetëdija e ngushtë në lidhje me problemet e ka zvogëluar rëndësinë e jetës në sytë e tij.

E dyta ndjesi është shkak-pasoja e vetgjyqësisë:

Një nënë që ka vrarë fëmijët, apo të afërm të tjerë, nuk gjen dot kuptim për të jetuar më tej.

Ndjesi të tjera, po aq të rëndësishme mund të gjejmë shumë:

Detyrimet familjare apo shoqërore kundrejt familjarëve dhe njerëzve të tjerë të afërm nuk kanë qenë arsye për kthjellimin e gjykimit në cilëndo gjendje që është ndodhur personi.

Nuk i emërtojmë dot këto gjendje si patologji psikike sepse shkaqet zakonisht janë qartësisht sociale.

Egoizëm, përsëri është e pamundur t`i emërtojmë, sepse egoisti vë veten mbi të tjerët, moralisht dhe të justifikuar me elementë psikologjik, social, rrethanorë… etj.

Në sjelljen altruiste përfshihet sakrifica e individit për çështje që ndihmojnë për të jetuar më lehtë dhe të sigurt të tjerët, dukuri këto të cilat nuk i vërejmë në këto raste.

Atëhere këto janë thjeshtë vështirësi sociale të cilat nuk mund të kapërcehen në gjendjen e individualitetit të rëndomtë në të cilin mund të gjendesh i detyruar nga padrejtësitë dhe neglizhenca shoqërore.

Shpejtësia me të cilën njerëzit i zgjidhin problemet, shpesh ndikon në suksesin e tyre gjatë përfitimit të vlerave materiale dhe shpirtërore në natyrë, apo në shoqëri. Epo nxitimi i njerëzve që kryejnë vetgjyqësi nuk ka lidhje me suksesin, por me një lëvizje instiktive dëshpërimi që shpesh jo vetëm nuk i vlerëson pasojat, por kërkon t`i shumëfishojë ato.

Nuk mund të përcaktohet lehtë se kur do të bjerë tërmeti dhe ku do të jetë qendra e tij, as se sa i fuqishëm do të jetë ai, por njerëzit ndërtojnë duke e parashikuar mundësinë e ndodhjes së një tërmeti dhe solidarizohen me të dëmtuarit, po ashtu, bëjnë përpjekje me sa kanë mundësi për të eleminuar pasojat e evidentuara.

Nuk mund të përcaktohet asnjëherë se cili person do të arrijë në një gjendje të tillë, kur do ta arrijë në këtë gjendje, se sa do të arrijë të dëmtjë veten, familjarët apo shoqërinë, që e rrethon. Nuk e dime se sa gjurmë do të fiksojnë ngjarje të tilla në opinionin shoqëror. Por përpjekjet për eleminimin e premisave për të tilla ngjarje të jashtëzakonshme dhe solidariteti për eleminimin sa më shpetjt të efekteve të tyre duhet të shërbej si një kurë efikase për çdo rast.

Njerëzit shpejt binden se sjellja nuk ekziston në një boshllëk. Por i atribuohet një tërësie ndryshoresh komplekse. Kjo tregon se sjellja e individit mund të modelohet nga kërkesat e mjedisit. Studimi i psikologjisë mund të hedhë dritë jo vetëm mbi çështjet që kanë të bëjnë me sjelljen individuale, por edhe mbi çështjet me interes praktik të shoqërisë.

Në Shqipëri morali shoqëror ka shumë pika të forta, po ashtu edhe morali familjar. Pesha e këtij morali përcakton që pjesa më e madhe e anëtarëve të shoqërisë të bëjnë jetë të matur, pa aventura dhe kryesisht me frymë mirëkuptimi e bashkëpunimi. Mendoj se lëvizja e lirë e njerëzve, për të krijuar mundësi të reja shkollimi, punësimi dhe sigurimin e mjeteve të tjera të jetesës, i ndihmon ata të shpëtojnë nga grackat që krijojnë dogmat e opinionit të deformuar shoqëror. Zgjerimi i vetëdijes së njerëzve, rritja e shkallës së shoqërizimit të tyre dhe dalja nga trysnia e guackës së nënshtrimit, janë rrjedhoja të drejtpërdrejta të zgjerimit të fushës së qarkullimit të shqiptarëve dhe së bashku me ata edhe të ideve të tyre. Ide të cilat duke u përpunuar në rrjedhën e kohës, ngjallin shpresa për mposhtjen e kësaj plage shoqërore që reflekton tipare primitive të një kombi.

11 shtatori i vitit 2001 për Amerikën dhe amerikanët ishte një dhimbje e madhe, tej kufijve të të menduarit analizues. Rreth 3000 njerëz të moshave të ndryshme, të kombësive të ndryshme, me bindje, kulturë, prejardhje dhe profesione të ndryshme humbën jetën në pak orë. Ata u gjendën për t`u informuar, punuar, apo thjesht për t`u qetësuar në kohën dhe në vendin e gabuar. Përcaktimi shkak-pasoj i vetgjyqësisë ende ka pasiguri edhe sot pas 18 vjetësh. I jashtëm apo i brendshëm, nga njerëz mendërisht të deformuar, apo me shqetësime konkrete, nga individ, apo grupime individësh. Përcaktimi më i fundit i evidentuar është: “Liritë tona kushtetuese u sulmuan dhe themeli i kombit tonë mbi vlerat judeo-kristiane u sulmua”

Amerika, si shtet i fuqishëm, ka ndërtuar jo vetëm strategji të sigurisë kombëtare, por edhe strategji ndërkombëtare duke e kthyer kështu dhimbjen në forcë. Megjithatë morali shoqëror amerikan e kujton atë ndodhi në përvjetor  si “zero” dhe ndërmjetëson me rritjen e solidaritetit midis anëtarëve të bashkësisë, me qëllim rritjen sadopak të kësaj vlere. Ashtu si dikur edhe sot është e vështirë të analizosh dukuritë e lidhura me vetgjyqësinë. Ndoshta edhe nesër e tillë do të mbetet situata. Në pozita të tilla konfuze të argumentimit të këtyre dukurive, prej të dy shteteve në trojet shqiptare, nuk pritet ndonjë strategji kombëtare efikase, por morali shoqëror shqiptar nuk ka pengesa evidente për të insistuar në rritjen e solidaridaritetit bashkëkombas me qëllim që të cënohet sa më pak mënyra modeste e jetesës në vendet tona.

Unë sot po lexoj një material të shkruajtur, formatuar dhe printuar nga kompjuteri. Në një kohë kur në asnjë nivel shkollimi,  që nga cikli i ulët deri në arsimin e lartë, nuk mora asnjëherë njohuri për kompjuterat. Dhe kjo në një kohë kur, që nga mësuesit e mi të thjeshtë dhe deri tek udhëheqësit në dikasteret qendrore në ministri betoheshin se mua dhe nxënësit e tjerë po na përgatisnin për të ardhmen. Nuk vë në dyshim se ata bënë më të mirën që dinin për brezin tim dhe brezat e tjerë pasardhës, por jeta ndryshon shpejt dhe e ardhmja ka element të paparashikueshëm.

Uroj që edhe punimet e materializuara në këtë kongres shkencor të kenë bërë më të mirën e mundëshme për çdo njeri që do të hulumtoj këto materiale, për këtë brez sot dhe për brezat e ardhshëm. Të ndihmoj me analiza dhe sugjerime cilindo që ka dijet dhe vullnetin për të realizuar progres shoqëror në mbarë kombin shqiptar.

Të lehtësoj sadopak situatat në të cilat ata do të gjenden.

Ju faleminderit të gjithëve.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.