Në Fletoren Zyrtare publikohet një vendim i Gjykatës së Strasburgut, i marrë më 31 maj të këtij vit, titulluar: Çështja X dhe të tjerët kundër Shqipërisë. Paditës janë 18 shtetas shqiptarë, të gjithë pjesëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian të përfaqësuar nga Qendra Europiane për të Drejtat e Romëve të cilët kërkojnë mosdiskriminimin dhe segregimin në një shkollë më vete për një komunitet. Situata sqarohet nga gjykata në parashtresën e bërë dhe ajo zhvillohet në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Korçë. Por jo vetëm.

Kërkuesit jetojnë në Korçë, një qytet në juglindje të Shqipërisë me 76 000 banorë. Sipas të dhënave të qeverisë lokale, gjatë vitit akademik 2018/19, në sistemin e detyruar arsimor të këtij qyteti u regjistruan rreth 1200 fëmijë romë dhe egjiptianë. Gjatë viteve akademike 2012/19, nxënësit romë dhe egjiptianë në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Korçë përbënin rreth 89 deri në 100% të nxënësve në shkollë.

Në vitin 2012, Qeveria kishte zbatuar një program për ndihmën ushqimore, sipas së cilit nxënësit që ndiqnin atë shkollë përfitonin pako me ushqime, me qëllimin që të rriteshin normat e frekuentimit të shkollës nga fëmijët e atyre komuniteteve. Kërkuesit fëmijë ndiqnin të njëjtën shkollë. Në një rekomandim të përgjithshëm të datës 11 shtator 2014, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi i rekomandoi Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve (“Ministria”) të mbante në konsideratë raportin midis nxënësve romë/egjiptianë dhe të tjerë në shkollë dhe të merrte masa për të shmangur krijimin e shkollave që ndiqeshin vetëm nga nxënësit e këtyre komuniteteve.

Ju pëlqen!

Më 3 korrik 2015, QEDR-ja paraqiti një ankesë pranë Avokatit të Popullit me pretendimin se mbipërfaqësimi i nxënësve romë/egjiptianë në shkollën “Naim Frashëri” krijonte veçim. Pasi çështja u mor në konsideratë dhe pasi u dëgjua opinioni i Ministrisë se mbipërfaqësimi në fjalë vinte si një pasojë e paqëllimshme e programit për ndihmë ushqimore, më 12 gusht 2015, Avokati i Popullit i rekomandoi Ministrisë të merrte masa proaktive për t’i dhënë fund diskriminimit të nxënësve në fjalë. Gjithashtu, Avokati i Popullit i rekomandoi Ministrisë të krijonte një mekanizëm për monitorimin e zbatimit të masave kundër segregimit në të gjitha shkollat.

Pas një ankese të ngjashme nga QEDR-ja dhe nga një organizatë tjetër, së cilave Ministria iu përgjigj se mbipërfaqësimi për të cilin drejtohej ankesa ishte i paqëllimshëm, më 22 shtator 2015, Komisioneri kundër Diskriminimit nxori një vendim detyrues ku konstatohej se fëmijët romë dhe egjiptianë në shkollën “Naim Frashëri” po vuanin diskriminim jo të drejtpërdrejtë, për shkak të mbipërfaqësimit të tyre në shkollë.

Mbështetur në nenin 18 të Kushtetutës i cili ndalon diskriminimin dhe vendimit të Gjykatës në çështjen “Lavida dhe të Tjerët kundër Greqisë” (nr. 7973/10, 30 maj 2013), Komisioneri konstatoi se vendosja e nxënësve romë në një shkollë të posaçme i veçon ata dhe nuk lejon integrimin e tyre në aktivitetet sociale gjithëpërfshirëse. Gjithashtu, duke marrë në konsideratë se Ministria ishte organi public përgjegjës për pranimet në shkollë, Komisioneri theksoi se sipas nenit 7(1) të ligjit për mbrojtjen ndaj diskriminimit, si veprimet edhe mosveprimet që kanë shkaktuar një shkelje të barazisë midis personave, mund të sjellin diskriminim. Së fundmi, Komisioneri theksonte se në mbështetje të nenit 18(1) të ligjit për mbrojtjen ndaj diskriminimit Këshilli i Ministrave dhe Ministria kishin detyrimin të merrnin masa pozitive kundër diskriminimit lidhur me të drejtën për t’u arsimuar. Në lidhje me sa më sipër, Komisioneri urdhëroi Ministrinë të merrte “masa të menjëhershme për përmirësimin e situatës dhe të ndryshonte raportin” midis nxënësve romë/egjiptianë dhe nxënësve të tjerë në shkollë

Përkundrejt kësaj situate, ka vijuar një korrespondencë mes Komisionierit dhe qeverisë, konkretisht Ministrisë për ta zgjidhur atë konform ligjit. Ministria pranoi më 2015-ën të merrte masa kundër segregimit në shkollë duke përfshirë programin e ndihmës ushqimore për nxënësit e të gjitha komuniteteve si dhe: bashkimin e shkollës “Naim Frashëri” me tri shkolla lokale

Ky moment ka rëndësi. Në prill 2017, pra rreth një vit e gjysmë më pas, Ministria informonte se:

shkolla vijonte të frekuentohej pothuajse ekskluzivisht nga nxënës të komunitetit rom dhe egjiptian. Në vijim, Ministria shpjegoi se duke qenë se viti akademik ishte në vijim, nuk ishte momenti i duhur që të zbatohej bashkimi i shkollave të ndryshme, por i siguroi QEDR-së, se në fillim të vitit të ri akademik, në shtator, segregimi në shkollë do të përfundonte

Procesi vazhdon në mënyrën tipike të qeverisë aktuale: shkolla rinovohet, informohen të interesuarit për këtë, kemi një raportim për statistikë të re frekuentimi në shkollë ku 10% janë nxënës që nuk i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian, por siç u konstua, më pas këta 10% kaluan në një shkollë tjetër. Situata ishte e ngjashme edhe në shkollën “Avdyl Avdia” në Berat, e konstatuar kjo që në vitin 2015 nga Komisioneri, çka mori përgjigje me mbylljen e shkollës në fjalë. Kush ka durim mund të lexojë mbrojtjen e qeverisë shqiptare në Gjykatë, me qurravitjen e përhershme se argumenti iks nuk qëndron, se diskriminimi ishte njohur dhe ishin bërë përpjekje për ta korrigjuar atë, me përgjigjen e gjykatës se:

…në çështjen në fjalë, vonesat dhe moszbatimi i masave të duhura kundër veçimit nuk mund të interpretohen se kanë pasur një justifikim objektiv dhe të arsyeshëm

Në finale segregimi dhe shkelja e dispozitave të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore është fakt i provuar për të cilin është çmuar dëmshpërblim prej 4 500 eurosh për secilën familje që është pjesë e padisë.Rasti ilustron jo vetëm një dëm për shkak të hallakatjes së institucioneve, por një kulturë të pashprehur të shoqërisë shqiptare që lejohet të kalojë nën miratim të heshtur të qeverisë. Çka e zhbën fabulën e barazisë dhe aksesit të barabartë në arsim duke konfirmuar xhepat e errët të shoqërisë sonë.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!