Familja Abazi nga Livoçi i Gjilanit, e cila nga tërmeti i së martën në Shqipëri, ka humbur dy djemtë Shemsedin dhe Isa Abazin, po vizitohet nga shumë qytetarë e përfaqësues të institucioneve të cilët përveç ngushëllimeve po ndihmojnë në mënyra të ndryshme.

Tërmeti që goditi Shqipërinë la të vdekur dy vëllezërit Abazi, të cilët mbetën nën rrënojat e një hoteli në qytetin e Durrësit.

Qytetarë të shumtë, biznese dhe institucione komunale e shtetërore, janë zotuar për t’i ndihmuar familjet e dy të ndjerëve.

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Shemsedini, 32 vjeçar pas vetës ka lënë gruan dhe katër fëmijë, ndërsa, Isa 29 vjeçar ka lënë bashkëshorten dhe dy fëmijë.

Kushtet në të cilat jetojnë familjet nuk janë të mira. Ndërsa, të dy vëllezërit kishin punuar si mekanik në Shqipëri për të siguruar bukën e gojës.

Axha i dy të ndjerëve, Ramadan Abazi, për KosovaPress, ka thënë se kushtet në të cilat jetojnë familjet e dy të ndjerëve nuk janë të mira.

Ai tregon se vetëm dy vëllezërit kishin punuar për të mbajtur pjesën tjetër të familjes, derisa thotë se bashkëshortet e tyre nuk kanë punuar asnjëherë.

“Kushtet dihet sa të mira i kanë pasur. Ata për bukë kanë shkuar, ata dy nipat për një kafshatë buke, me punuar e me fituar një kafshatë bukë me ua pru fëmijëve. Por dashtë Zoti do të na ndihmojnë edhe institucionet shtetërore, sigurisht jam i bindur, se kanë mbetur 6 jetimë, vëllai im është i paaftë për punë, e kanë edhe një axhë, se këta e kanë humbur edhe një vëlla më herët para 12 viteve, edhe dy tash, veç tre, një ka mbetur prej tyre edhe ky është me do operacione, jo boll i aftë për punë, po dashtë Zoti presim ditë të mira”, tha ai.

Axha i vëllezërve Abazi ka falënderuar të gjithë ata që po i ndihmojnë për të kaluar këto ditë të vështira për ata, derisa ka bërë të ditur se familjes i është premtuar se do t’i ndërtohet një shtëpi.

“Falënderoj të gjithë shqiptarët që po na vizitojnë, po na ndihmojnë me ndihmat më të mëdha, vetëm që po vijnë po na ndihmojnë e po na vizitojnë. Po na e heqin gjysmën e dhimbjes. Tragjedi e madhe, po nuk kemi çka bëjmë dhe iu kisha shprehë ngushëllime edhe atyre vëllezërve në Shqipëri që kanë humbur jetën. Po na ndihmojnë, falënderoj Zotin dhe ata që po i ndihmojnë këtyre jetimëve. Na kanë dhuruar një shtëpi mbrëmë, ju ka fal një shtëpi, thanë a doni banesë me ua ble apo shtëpi me iu ndërtu, pranuan një shtëpi me ua ndërtu këtyre jetimëve, se e kanë vendin ku me iu ndërtuar, kështu që kush po vjen po na ndihmojnë”, tha ai.

Abazi tregoi se Shemsedin Abazi kishte jetuar në shtëpi të vete, ndërsa, Isa Abazi kishte jetuar së bashku me babain dhe një vëlla tjetër.

“Deri më tani kanë jetuar ai i dyti Isa ka jetuar me babai dhe vëllain, e Shema ka qenë i ndarë prej tyre. Po dashtë Zoti presim ditë të mira”, tha ai.

Familja Abazi është vizituar nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, i cili përmes rrjetit social Facebook ka shkruar se institucionet e vendit do t’i qëndrojnë në krah familjes Abazi në përballimin e kësaj humbjeje kaq të madhe.

Për ngushëllime familjen Abazi e ka vizituar edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Skenderaj Bekim Jashari, përveç që ka qenë për ngushëllime kësaj familje i ka ndarë 5 mijë euro.

Ditën e sotme edhe Qeveria e Shqipërisë ka ndarë 15 mijë euro për familjet e dy vëllezërve Abazi që vdiqën si pasojë e tërmetit.

Kujtojmë se të martën e kësaj jave, Shqipëria u godit nga një termet, nga i cili 51 persona kanë humbur jetën, ndërsa, qindra të tjerë janë lënduar.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...