Gjatë ditës së djeshme Haxhi Balaj nga fshati Bllagajë i Komunës së Pejës e dha një rrëfim të dhimbshëm për nënën e tij Shehrijen, e vdekur në shtator të vitit të kaluar, që ishte dhunuar nga ushtarët serbë. Djali i saj kishte deklaruar se nëna e ndjerë kishte aplikuar për ta fituar statusin e viktimës seksuale, por se ajo ëma u braktis nga autoritetet kosovare pas dhënies së dëshmisë. Por, Minire Begaj-Balaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, në një përgjigje për Express ka deklaruar se në bazë të hulumtimeve të para që ky komision ka bërë për këtë rast, nuk ka hasur në emrin tashmë të ndjerës Shehrije Balajt.

Gazeta Express

Në vitin 2013, Shehrije Balaj u bë gruaja e parë që dha dëshmi për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ajo kishte dëshmuar gjatë gjykimit të ish-komandantit të ushtrisë jugosllave, Toplica Miladinoviq dhe dhjetë të tjerëve në Beograd për krime luftë të kryera në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq, të cilët ndodhen afër Pejës, ku së paku 100 civilë u vranë në prill dhe maj të vitit 1999.

Ju pëlqen!

E me gjithë këto rrëfime e dëshmitë e ndjeshme Shehrija më vonë, kishte aplikuar për ta marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale, një skemë e qeverisë kosovare që ua ofron të mbijetuarve të dhunës një pension mujor prej 230 eurosh pasi ta kenë kaluar procesin e verifikimit.

Minire Begaj-Balaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, në një përgjigje për Express ka sqaruar se procedura e aplikimit  për ta përfituar statusin e viktimës së dhunës seksuale bëhet me kode.

“Ne procedurën e aplikimit e kemi me kode dhe e mundësinë me katër OJQ’të  me shtatë regjionet dhe me sekretarinë. Unë çuditërisht me këtë rast nuk kam ditë se çka ka ndodhë. Nuk e dimë se nëse kjo ka aplikuar, nga kush, dhe kush ka asistu në aplikimin e saj”, thotë zonja Minire Begaj-Balaj.

“Informata për të nga gazetarët janë shkruar vetëm me emër dhe mbiemër, e ne nuk mund ta dimë këtë sepse çdo gjë është e mbyllur dhe ruhet konfidencialiteti dhe identiteti i palëve. Procesi i aplikimit është shumë i ndjeshëm. Nëse djali i vet di se ku ka apliku ne mund ta dimë përmes regjioneve dhe në sekretari”, thotë ajo.

Por sipas saj në 700 lëndët e trajtuara ende nuk është hasur emri i saj.

“Janë trajtuar mbi 700 lëndë dhe ne nuk e kemi pas këtë rast. Po të ishte trajtu, ajo e kishte marrë versionin e komisionit. Si të shqyrtohet aplikacioni, në mënyrë automatike sekretaria mbanë kontaktin me palë, apo të autorizuarin nga pala. Kur të shqyrtohet lënda, ne domosdoshmërish komunikojmë me palën. Mbi 700 landë i kemi trajtu dhe këtë rast ne nuk e kemi pas në shqyrtim”, thotë Minire Begaj-Balaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

E ndërkohë Ligji i Kosovës ua ofron statusin e të mbijetuarve të dhunës atyre që janë sulmuar seksualisht nga 27 shkurti i vitit 1998, kur kishte nisur konflikti i armatosur, deri më 20 qershor 1999, kur forcat serbe ishin larguar nga Kosova pas bombardimeve të NATO-s.

Deri më tani aplikime të pranuara për këtë çështje në Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale Gjatë Luftës në Kosovë janë dorëzuar 1 mijë e 143 aplikacione. Nga to, janë shqyrtuar 724 aplikacione.

Ndërkohë statusi i është njohur  511 grave të cilat tashmë kanë hyrë në sistemin e pagesës.

Ndërkohë nga ky numër, Komisioni i ka refuzuar 177 kërkesa, prej tyre 143 raste janë rishqyrtuar dhe si përfundim 50 aplikacione janë aprovuar si dhe 87 janë refuzuar./GazetaExpress/

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!