Romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” i Rexhep Qosjes sapo është botuar në Itali. Deri tani ky roman ka qenë i përkthyer në gjashtë gjuhë (frengjisht, gjermanisht, holandisht, bullgarisht, sllovenisht dhe serbisht). Italishtja është gjuha e shtatë.

“Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974) është romani i parë postmodern i letërsisë shqipe dhe ndër veprat më të bukura të letërsisë sonë. Ismail Kadare, në parathënien që ia ka bërë botimit frengjisht të këtij romani, thotë: “Rexhep Qosja është shkrimtari më i madh ndër shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të vendit, të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e kombit shqiptar (…) ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ është një vepër me inspirim kafkian, një roman që prish qetësinë, një vepër që profetizon apokalipsin dhe një nga veprat më të mëdha të letërsisë shqiptare”. Ndërsa kritika franceze Rexhep Qosjen e ka quajtur Volter i Ballkanit dhe Kafka i Lindjes.

Kritiku italian Anselmo Roveda shkruan se “Rexhep Qosja është një ndër mjeshtrit më të mëdhenj të letërsisë ballkanike dhe nismëtari i një tradite të re letrare shqiptare”.
Romanin në gjuhën italiane e ka përkthyer Anila Alhasa dhe e ka botuar Shtëpia Botuese “Egnatia”. Gjithashtu, botimi italisht ka edhe një pasthënie të shkruar nga shkrimtari dhe studiuesi Ag Apolloni. /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!