Gjatë historisë së emetimit të monedhave e kartëmonedhave si mjete pagese, në sipërfaqen e tyre janë vendosur figura emblematike përfaqësuese të një shteti apo kombi. Të tilla janë edhe monumentet apo urat, kështjellat, kalatë apo sitet arkeologjike, të cilat nga njëra anë synojnë ta bëjnë atë sa më familjare për vendasit, ndërsa nga ana tjetër shërbejnë për të promovuar vendin dhe vlerat e tij tek përdoruesit e huaj.

Pikërisht këtyre monumenteve historiko-kulturore që e kanë shënjuar në mënyrë të përhershme peizazhin e qyteteve tona, duke u bërë pjesë integrale e tyre, u është dhënë vendi i merituar edhe në kartëmonedhat dhe monedhat tona kombëtare. Kalendari 2020 sjell një ndërthurje të tyre, duke ftuar në një rrugëtim përmes Shqipërisë, për të vizituar së bashku qytetet e pasqyruara në monedhat dhe kartëmonedhat Lek.

Me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, faqja e kalendarit të Bankës së Shqipërisë dedikuar muajit shkurt paraqet varrin monumental të Kapllan Pashës, e pasqyruar në monedhën përkujtimore, pa kurs ligjor, 10 Lekë, emetuar në vitin 2005.

Tyrbja e Kapllan Pashës është ndërtuar në fillim të shekullit XIX, supozohet në vitet 1820-1830, dhe bën pjesë në kompleksin e varreve monumentale të xhamisë së parë të Tiranës, e cila u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore./atsh/