Sipas Financial Times, Fondacioni i miliarderit Bill Gates ka premtuar se do të përqendrohet me të gjitha burimet e tij në luftimin e koronavirusit dhe se “Nëse gjithçka shkon mirë, brenda një viti vaksina kundër koronavirusit do të ishte në prodhim të gjerë”.

Filantropi dhe themeluesi i Microsoft Corporation tha se fondacioni Bill & Melinda Gates, me një dhurim më të madh se 40 miliardë dollarë, do t’i kushtojë “vëmendje totale” pandemisë që ka vrarë më shumë se 350,000 njerëz dhe ka dëmtuar ekonominë në të gjithë botën.

“Do të keni ekonomi me nivele të ulëta të aktivitetit për vite me radhë”, tha Gates. “Nëse gjithçka shkon mirë siç e kemi menduar, ne do të kishim në prodhim në shkallë të gjerë brenda një viti vaksinën kundër koronavirusit”, tha Gates në CNN.

Pandemia mund t’i kushtojë ekonomisë globale “dhjetëra triliona dollarë”, tha ai në intervistë. Fondacioni ka kontribuar 250 milionë dollarë për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit.

Gates gjithashtu ka mbrojtur Organizatën Botërore të Shëndetit kundër akuzave të presidentit amerikan Donald Trump. “OBSH është shumë, shumë e rëndësishme dhe në të vërtetë duhet të marrë mbështetje shtesë për të kryer rolin e tyre gjatë kësaj epidemie”, tha Gates