Vajzat e radiumit.

Kjo është historia Frensis Splettstocher dhe punëtorëve të tjera, jeta e shkurtër e të cilave pati një fund të frikshëm. Gjithçka lidhet me radiumin, një element i tabelës periodike që bën pjesë tek familja kimike e metaleve alkaline tokësore dhe ndodhet në grupin e dytë A të elementeve në tabelën periodike.

• Si lidhet radiumi me vdekjen e Frensis Splettstocher dhe kolegeve të saj?

Ju pëlqen!

Frensis punonte në industrinë e orëve të dorës për kompaninë Waterbury Clock. Ajo ishte vetëm 17 vjeçe dhe pa shkollim të lartë. Puna që duhej të bënin punëtoret në këtë kompani ishte të ngjyrosnin numrat në fushën e orëve të dorës me një ngjyrë fluoreshente që përmbante radium. Kjo lloj ngjyre ishte formuluar nga Austriaku Sabin von Sochocky që në vitin 1915 dhe elementët aktivë të formulës ishin radiumi dhe komponimi fluoreshent i sulfidit të zinkut. E veçanta e radiumit ishte se emetonte një rrezatim që e bënte ngjyrën fluoreshente të ndriçonte edhe në errësirë të plotë. Dhe në kohën e tyre kjo ishte një risi. Në fakt, edhe vetë orët e dorës për meshkujt ishin një risi e kohës.

Ora e dorës e shpikur fillimisht nga kompania zvicerane “Patek Philippe & Company” në të vonë të 1800, ka qenë dizenjuar veçanërisht për gratë. Burrat përdornin ora më të mëdha xhepi. Por, për ushtarët që lutonin nëpër llogore gjatë Luftës së Parë Botërore orat e dorës ishin shumë më praktike, sidomos ato ishin jashtëzakonisht të dobishme gjatë lëvizjeve natën duke qenë se fusha e këtyre orëve ndriçonte për shkak të radiumit.

Nga viti 1921, pasi lufta kishte mbaruar popullariteti i tyre u rrit shumë. Kjo do të thoshte më shumë punë për Frensis dhe koleget e saj. Ato paguheshin në varësi të sasisë së orëve që arrinin të ngjyrosnin. Një punëtore e mirë ngjyroste deri në 300 orë dore në ditë duke bërë kështu 24 dollarë në javë. Një pagë që sot duket shumë e ulët, por që për gratë në vitin 1921 ishte e përsosur. ( Paga mesatare e një gruaje në atë kohë ishte 15 dollarë në javë.)

• Pasojat e radiumit.

Por, kohët e bukura për Frensis përfundojnë në janar të vitit 1925. Ajo u bë e dobët dhe anemike. Në fytyrën e saj ndiente dhimbje po t’a prekte. Filluan t’i dhimbnin edhe dhëmbët. Ajo shkoi te dentisti i cili hoqi një dhemb që e dyshonte të prishur. Por, bashkë me dhembin u shkul edhe një copë e nofullës së saj. Shumë shpejt indet e zbutura të nofullës së saj u shkatërruan dhe ajo përfundoi me një vrimë në faqe. Aty nga shkurti ajo vdiq.

Por, nuk ishte vetëm Frensis. Edhe koleget e saj në fabrikën ku punonte, por edhe në fabrikat e tjera në New Jersey dhe në Illinois, po vuanin nga simptoma të njëjta. Në New Jersey katër punëtore kishin vdekur dhe tetë të tjera ishin të sëmura me simptoma të ngjashme me ato të Frensis. Shumë pak pas vdekjes së Frensis , një kolege e saj, Elizabeth Dunn theu këmbën pa asnjë arsye të dukshme duke kërcyer. Pastaj edhe asaj ju zhvilluan simptoma të ngjashme me ato të Frensis dhe vdiq në vitin 1927.

Një e nga një, gjithnjë e më shumë vajza që ngjyrosnin fushat e orëve po sëmureshin, në Connecticut, New Jersey dhe në Illinois. Është përllogaritur që në pikun e tyre kompanitë kishin të punësuar rreth 2,000 vajza që ngjyrosnin orët me radium dhe një numër i madh i tyre u sëmur. Dentistët në New Jersey panë aq shumë punonjëse të këtyre kompanive me nekroza të kockave saqë e dyshuan si gjendja e “nofullës me radium” një sëmundje e re për shkak të punës. Ndërsa shtypi iu vendosi nofkën “Vajzat e Radiumit” dhe me këtë emër u bënë të njohura në publik.

• Maja e penelit.

Si përfundoi radiumi në trupin e tyre? Problemi më i madh i punës që bënin ishte se maja e penelit me të cilin ngjyrosnin shpesh herë prishej. Dhe ato duhej ta lëmonin me buzët e tyre në mënyrë që maja e penelit të ishte e përshtatshme për të ngjyrosur në detaje. Në fakt ato kishin marrë instruksione se si ta lemonin sa më mirë majen e penelit me buzë. Sa herë që ato e lëmonin majën me buzë gëlltisnin një sasi të vogël të bojës. Dhe përgjatë kohës ato gëlltisnin një sasi të madhe të bojës, e cila përmbante radium. Është përllogaritur se një punëtore tipike e lëmonte penelin me buzë katër herë për një fushë ore duke konsumuar rreth 0.001 gram bojë çdo herë. Dhe 300 fusha ore të ngjyrosura në një ditë për pesë ditë në javë do të rezultonte në rreth 6 gram bojë e konsumuar çdo javë. Ndërsa gjatë një viti një punëtore do te kishte konsumuar rreth 300 gram bojë. Dhe kjo sasi boje është llogaritur të ketë rreth 375 mikrogram radium. Një sasi shumë e lartë kjo për shkak se radioaktiviteti ka qenë shumë i përqendruar gjatë purifikimit nga xeheroret në gjendjen natyrore.

• Si e dëmton trupin radiumi kur gëlltitet?

Radiumi është relativisht i patretshem dhe si rrjedhim pjesa më e madhe e tij kalon nëpër zorrë pa u absorbuar. Por, 20 përqind e tij mbetet në trup dhe kjo është mjaftueshëm për të shkaktuar probleme shëndetësore. Radiumi akumulohet në kocka dhe qëndron aty. Ka qenë pikërisht kimia e veçantë e radiumit që shkaktoi përkeqësimet shëndetësore të punëtoreve. Ai bën pjesë në të njëjtën familje elementësh që përfshin edhe kalçiumin, i cili është përbërësi kryesor i kockave.

Për fatin e keq të vajzave të radiumit, elementët që bëjnë pjesë tek e njëjta familje bashkëndajnë karakteristika të ngjashme ose thënë ndryshe “imitojnë” kiminë e njëri-tjetrit. Prandaj kur radiumi futet në trup ai shkon në kocka, pra tek i njejti vend ku shkon edhe kalçiumi. Radiumi në vetvete nuk dëmton direkt mineralin përbërës të kockave, por i gjithë skeleti bëhet radioaktiv dhe indet e gjalla që veshin mineralin përbërës të kockave janë të ekspozuara në mënyrë të vazhdueshme ndaj rrezatimit në nivele të larta. Dhe pikërisht ky ishte shkaku i përkeqësimit shëndetësor të punëtoreve.

Pas një rezistence shumë të madhe që bënë duke mos pranuar fajin dhe nën presionin e gjykatës kompania Waterbury Clock u detyrua më në fund të pranonte fajin dhe dhanë 90,000 dollarë dëmshpërblim për 16 punëtore të sëmura si dhe vendosen si rezervë 10,000 dollarë për rastet në të ardhmen. Të tilla dëmshpërblime bënë edhe kompanitë në New Jersey dhe Ilinois.

Ngjyrosja me radium vazhdoi, por në vitin 1927 punëtoret kishin veshje të posaçme dhe lëmimi i penelit me buzë u ndalua. Pas këtyre masave nuk u panë më efekte shëndetësore, megjithëse ato vazhdonin të akumulonin radium në një shkallë përafërsisht sa çereku i një mikrogrami. Duket se trupi i njeriut mund të tolerojë njëfarë sasie radiumi të gëlltitur përpara se të japë efektet shëndetësore të dukshme. Por, sesa ekzaktësisht mund të tolerojë? Nevojiten më shumë studime.

Frensis vdiq me 21 shkurt, 1925. Dhe gjithçka që mbetet prej saj janë kockat që përmbajnë afërsisht të njëjtën sasi radiumi si në ditën kur ajo vdiq.

Marre nga Skeptik.


Përmbledhje e bërë bazuar mbi librin “Strange Glow” nga Timothy Jorgensen, fq 86-93.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.