Ekziston një ndryshim thelbësor midis të qenit vetëm dhe të vetmuar dhe ky ndryshim qëndron në dashurinë që secili ka për veten. Dashuria për veten nuk ka përse të jetë domosdoshmërisht e lidhur me statusin romantik dhe në ditët e sotme duket se njerëzit kanë nisur ta kuptojnë këtë. Ata kanë nisur të përqafojnë kohën e tyre vetëm dhe të punojnë për rritjen e vetëvlerësimit. Nga ana tjetër, shumë të tjerë kalojnë nga njëra marrëdhënie romantike në tjetrën nga frika e të mbeturit beqar për një kohë të gjatë, sepse mendojnë se të qenit vetëm tregon se ata nuk janë njerëz të përshtatshëm për lidhje. Studimet kanë treguar se të qenit vetëm ka përftime fizike dhe mendore.

Në vijim ne do t’ju përmendim disa prej arsyeve përse të qenit beqar mund t’ju bëjë mirë:

Të qenit beqar ju jep hapësirë ​​për të menduar/ Terapistja e çifteve, Bonnie Scott mendon se dalja nga një marrëdhënie, ju bën të përqendroheni në atë që dëshironi vërtet pa u ndikuar nga faktorë të jashtëm si partneri. “Kur jemi vetëm ndihemi më të lirë dhe kemi kohë që të fokusohemi që të bëhemi version më i mirë i vetes,”-tha ajo. Të marrësh pak kohë për veten është një mundësi për të njohur se kush jeni në të vërtetë dhe çfarë keni nevojë. Kështu, do të zbuloni se koha është një shërues i shkëlqyeshëm dhe do të mësoni të lini pas të shkuarën tuaj. Në të njëjtën kohë, mund të eksploroni vende të ndryshme dhe të provoni eksperienca të reja.

Beqarët priren të kenë më shumë kohë për aktivitet fizik/ Studimet po tregojnë se beqarët janë më të shëndetshëm se njerëzit në çift. Sipas “Journal of Marriage and Family”, të divorcuarit bëjnë më shumë stërvitje sesa të martuarit, por ata që janë më aktivë janë ata që kanë qenë prej një kohe të gjatë beqarë. Këta njerëz bëjnë më pak vizita te doktori dhe peshojnë rreth 5 kilogramë më pak.

Beqarët priren të jenë më të mirë në menaxhimin e miqësive/ Një studim i botuar në revistën “Contexts” zbuloi se njerëzit që kishin qenë beqarë prej disa kohësh ishin më të vëmendshëm ndaj miqve dhe familjes së tyre sesa të martuarit. Njerëzit në marrëdhënie romantike mund të investojnë të gjithë kohën dhe energjinë tek partneri, por humbasin qëndrueshmërinë për të krijuar dhe mbajtur miqësi.

Beqarët janë më të qëndrueshëm nga ana financiare/ Pavarësisht raporteve se beqarët preken më shumë kur bëhet fjalë për kostot e jetesës, të qenit beqar mund të ketë një avantazh financiar. Sipas debt.org, 21% e beqarëve, 27% të çifteve të martuara pa fëmijë dhe 36% të çifteve të martuara me fëmijë kanë borxhe. Beqarët kanë më pak borxhe pasi të qenit vetëm shoqërohet me më pak detyrime e si rrjedhojë më pak shpenzime.

Merrni përsipër më shumë rreziqe/ Të qenit vetëm u jep njerëzve më shumë fleksibilitet sa i përket zgjedhjeve të rëndësishme në karrierë sepse mund të rrezikojnë më shumë. Mund të pranoni një ofertë pune në një qytet të ri ose të zhvendoseni përkohësisht pa u shqetësuar nëse dikush tjetër preket nga ky vendim.