Reagim i detyruar moral dhe kombëtar ndaj dëshmisë suaj publike, dhënë me vullnetin tuaj të lirë ZPS-së në Kosovë.

Nga: Ushtaraku, Dritan Goxhaj

I nderuar z.Ibrahim Klemendi, pasi e lexova disa herë me vëmendje këtë dëshmi tuajën, vendosa t’u shkruaj personalisht juve, duke parë se një pjesë të gjërave, të cilat ju keni shkruar, ose janë të lëna në mes ose ju mungon një analizë e plotë, ndërsa, për disa të tjera kuptoj se nuk e keni pas informacionin e plotë.

Ju pëlqen!

Duke qënë se kam informim, por edhe pas lufte më ka interesuar edhe mua ashtu si edhe juve që të informohem më shumë për ushtrinë në të cilën u angazhova vullnetarisht, jam interesuar dhe kam analizuar shumë ngjarje e rrrethana të ndryshme, të bujshme e më pak të bujshme, në rrugëtimin e kësaj ushtrie, për të ditur më shumë edhe për vete por edhe për shkak të historisë, pasi disa veprime, që do t’i konsideroja thjesht personale, të disa individëve, kanë cënuar dhe po cënojnë krenarinë tonë kombëtare të kohëve moderne, që është:

Ushtria Ҫlirimtare e Kosovës (UҪK).

Që nga fillimi i dëshmisë tuaj, ku ju me të drejtë thoni që ngritja e kësaj Prokurorie dhe kësaj Gjykate erdhi si rezultat dhe shkak i asaj që ju shkruani: “Qysh në fillim dëshiroj të shpreh falënderimin ndaj BE-së dhe SHBA-vë, që u angazhuan me kaq përkushtim, duke harxhuar shumë financa e kuadro profesioniste, për t’i krijuar këto institucione, të cilat do të hetojnë e gjykojnë akuzat që i përmban Raporti i parlamentarit zvicëran Dick Marty, i miratuar nga Këshilli i Europës. [Raporti është votuar nga Këshilli i Europës (KE), më 7 janar 2011. Ndërsa më 25 janar 2011 është votuar rezoluta për të filluar hetimet e atyre akuzave. Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës ka 380 parlamentarë të delegacioneve parlamentare të 47 shteteve anëtare. Në seancën e 25 janarit 2011, kur është votuar rezoluta për të hetuar akuzat e Raportit “për trafikim të organeve”, 166 kanë votuan pro, 8 kundër, 9 kanë abstenuar. Që do të thotë edhe 197 parlamentarë të tjerë, nga 380 që i ka gjithsej Asmableja e KE atë ditë nuk kanë marrë fare pjesë.].

Ajo çfarë unë do të shtoj këtu është fakti, të cilin mendoj se do të duhej t’ia vinit në dukje kësaj Prokurorie, për vetë fakrin se Dëshmia Juaj është publike, se pas miratimit të kësaj rezolute dhe kërkesës për hetime, hetime të cilat shteti Shqiptar, për hatër të së vërtetës, duke i konsiduruar akuzat e këtij raporti të pa vërteta dhe shpifje, ka lejuar dhe ka pranuar një hetim të plotë të këtyre akuzave në territorin e tij. Ato akuza, më shumë se UҪK-në dhe disa individë të saj, kishte si qëllim që të bënin pis e të akuzonin vetë shtetin amë, Shqipërinë, se gjoja i ka lejuar me dijeni ato “vepra kriminale”. Ky hetim është kryer nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi. Kjo gjykatë ndërtoi një ekip me rreth 12 ekspertë të ndryshëm të kësaj fushe, sipas akuzës, dhe në bashkpunim edhe me Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë, kanë kryer hetim disa mujor për këto akuza, duke vizituar disa herë edhe vëndin për të cilin bëhej fjlaë në akuzën (raportin) e senatorit Dik Marty. Në fund ky grup hetuesish, së bashku me Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë kanë përpiluar një raport të veçantë, në të cilin shkruhet e zeza mbi të bardhë, ku sqarohet se: Gjatë këtij hetimi special nuk u gjet asnjë provë që të konfirmojë akuzat e ngritura në raportin e senatorit Dik Marty (raport ky i votuar në KE).

Pas kësaj, ky hetim u quajt i ezauruar dhe Gjykata e Hagës për ish Jugosllavinë nuk e morri për bazë më atë raport dhe nuk ngriti asnjë akuzë bazuar mbi atë raport për këtë “vepër kriminale, me emërtimin “shtëpia e verdhë”. Këtë e vërteton edhe fakti se në aktakuzën e ZPS-së së Kosovës, kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve, kjo akuzë nuk është e përfshirë.

E theksoj se kjo duhej bërë publike, për hir të infomimit publik, që të kuptohet që një akuzë si ajo e Dick Marty, e cila kishte si qëllim të akuzonte direkt UҪK-në, rezultoi e rreme dhe UҪK-ja doli e pastër, ashtu si ishte në fakt. Ndërsa akuzat ndaj individëve të veçantë të ngritura tashti, nuk behen kundër UҪK-së, por individëve, të cilët kanë mbajtur poste, pavarësisht nëse akuzat janë me të drejtë apo pa të drejtë. Por akuza ndaj individit, nuk është akuzë ndaj ushtrisë sonë, UҪK-së, pavarësisht nga përgjegjësia që ka pas njeri apo tjetri.

Në nr.7 të dëshmisë Tuaj, Ju shkruani: “Bashkëveprimtarët më të ngushtë të Hashimit dhe Rexhepit ishin Xhavit Haliti dhe Azem Syla. Shpresoj se ZPS-jasë shpejti do të ngritë aktakuzë edhe kundër tyre. Jakup Krasniqi dhe Kadri Vesli, ndërkaq, për bindjen time momentale, ishin dhe janë viktima të NPK-së.”

E kundërshtoj këtë konkluzion (akuzë) tuajin, pasi Xhavit Haliti dhe Azem Syla ishin vetëm bashkveprimtarë me Hashimin e Kadri Veselin, ndërsa Jakup Krasniqi ka qenë kryesisht me Hashimin dhe Kadriun dhe indirekt me Xhavitin dhe Ademin. Xhavit Haliti dhe Azem Syla nuk ishin bashkveprimtarë me Rexhep Selimin, pamvarësisht se në disa raste veprimtaria e tyre është kryqëzuar me atë të Rexhepit. Ndërsa Kadriu ka qënë totalisht i vetëdijshëm në përdorimin që i është bërë nga Xhaviti, Azemi e Hashimi. Përsa i përket Jakup Krasniqit, Hashimi dhe Kadriu kanë shfrytëzuar naivitetin e tij dhe kam bindjen se nuk ia kanë treguar gjithcka që ata mund të kenë kryer ato vepra për të cilat akuzohen. Dhe këtë e mbështes jo vetëm në besimin e verbër që ai ka pas te këta të dy, por edhe në fjalën e Jakupit datë 8 nëntor në Gjykatë në Hagë. Nuk mund ta besoj se Jakup Krasniqi duhet të ketë pas dijeni për krimet që akuzohen Hashimi dhe Kadriu, nëse ata i kanë kryer këto krime për të cilët akuzohen.

Në faqen 10 të dëshmisë suaj, ju shkruani: “Me këtë konkretizim desha t’ua bëj një këshillë hetuesve, prokurorëve, gjyqtarëve, që të kenë parasysh se vrasjet e spiunëve të forcave pushtuese gjatë lufte, siç ka ndodhur në të gjitha luftërat çlirimtare të popujve të pushtuar, nuk mund të trajtohen thjesht si vepra kriminale. Në Francë, ta zëmë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, janë vrarë, pa hetim e gjyq, mijëra kuislingë e kolaboracionistë të nazizmit. Fatkeqësisht janë vrarë e linçuar edhe shumë gra franceze, që kishin pas ‘marrëdhënie’ me pushtuesit nazistë.”

Këtu doja thjesht të plotësoja pak më qaertësisht: 6000 persona janë ekzekutuar në Francë si bashkpunëtore të armikut gjatë luftës dhe 4000 të tjerë pas lufte, pa asnjë proçes gjyqësor.

Në faqen 13 të dëshmisë suaj ju shkruani: “Edhe ish-kryetari i Lëvizjes dhe komisari i UÇK-së, Behajdin Allaqi, është zhdukur më 11 qershor 1998; është ‘sekret publik’ në Kosovë, siç përdoret si zhargon për raste të ngjashme, se Behajdinin e ka arrestuar Policia Ushtarake e UÇK-së dhe ia ka dorëzuar të prangosur Hashim Thaçit…”

Po befasohem se pse Ju, nuk e keni vijuar më tej çështjen e Behajdin  Allaqit. Unë pyes: Pse LPK-ja, e veçanërisht Kryesia e saj, nuk ndërrmori asnjë veprim për zhdukjen e një udhëheqësi të saj?! E shtroj këtë pyetje për faktin, se kur Mbledhja 6-të e përgjithshme e LPK-së vendosi të hetonte për vrasjen e Luan Haradinajt, për shkak të akuzave që kishte bërë Hashimi, në atë komision përkatës hetimi është shtuar për tu hetuar edhe çështja e Behajdinit, ndërsa çuditërisht, në fund është hetuar vetëm çështja e Luanit! Për Behajdinin kryesija juaj nuk bëri asnjë hetim, edhe pse kishte plot të dhëna të cilat unë po i rendis si më poshtë, të theksuara edhe në letrat publike të Murat Jashari – vellait të Ismet Jasharit, alias Komandant Kumanovës.

Behajdin  Allaqi është thirrur nga shtabi i UҪK-së në datë 12 qershor dhe është shoqëruar për atje nga Policia ushtarake e saj, më pas ai është arrestuar dhe në fillim të korrikut, në kohën kur edhe rezulton i zhdukur, ai gjëndej në burgun e UҪK-së në Kleçkë. Ai nuk ishte i vetëm në atë burg, por ndodhej i arrestuar së bashku me veprimtarin tjetër, Shaban Shalën. Të dy ata akuzoheshin si spiuna. Për këtë në atë kohë është njoftuar edhe Ali Ahmeti, në fillim të korrikut, por Aliu rezulton se nuk e ka njoftuar Kryesinë, njëkohësisht ka pasur dijeni edhe vëllai i Xhavit Halitit. Deri më datë 30 tetor të 1998 asnjë nuk ka pasur dijeni se ku gjendej Bahajdini dhe shoku i tij, Shaban Shala. Në datë 30 Tetor 1998 Shtabi i Përgjithëshëm lëshon komunikatën nr. 61, me anë të së cilës shpall dëshmor Behajdin  Allaqin, por pa specifikuar as vëndin, as datën dhe as mënyrën e rënies dëshmor të tij. Akoma më e keq: deri sot nuk dihet as vendi ku Behajdini është varrosur! Ndërsa për Shaban Shalën nuk thuhet asnjë fjalë as në komunikatë e askund se si u veprua me të…!

I vetmi person që ka folur për arrestimin e këtyre të dyve, Behajdinit dhe Shabanit, është vëllai i Ismet Jsharit (Komanova), në librin e tija me titull “Lufta e pambaruar”, Prizëren, 2016, i cili ka vënë në dijeni të vëllain me anë të telefonit për dy personat e burgosur që ia kishin çuar. Fatmirësisht vëllai i Ismet Jasharit, Murati, është gjallë dhe i burgosur në Kosovë për një vepër tjetër.

Ju, në dëshminë tuaj e quani Behajdin  Allaqin: komisari i UÇK-së. Kur dhe nga cili forum partiak a ushtarak është emëruar Behajdin Allaqi komisar politik i UҪK-së, a ka një vendim të tillë, kush e ka marrë? Kjo ka shumë rëndësi të theksohet për Historinë e asaj Luftë, nëse është sikundër ju shpreheni.

Në faqen 16 të dëshmisë suaj keni shkruar: “Me gjasë edhe Kryeprokurori Smith, në aktakuzën që ka ngrit kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve, është bazuar në atë gjykim, për ta prezantuar gabimisht një segment historik të Shtabit të Përgjithshësh (SHP) të UÇK-së.”

Janë shumë interesante dëshmitë që ju keni paraqitur të bëra nga Ramushi dhe të tjerë për Shtabin e Përgjithëshëm. A mendoni se këta me të vërtet e kanë tjetërsur totalisht përbërjen e Shtabit, nisur nga qëllimi për të glorifikuar veten, por edhe të ndryshonin historinë, duke renditur në Shtab persona të cilët nuk kanë qënë realisht? Për këtë arsye mendoj se duhet të jenë më relevante intervistat që disa persona, të cilët realisht kanë qënë në këtë Shtab, i kanë dhënë menjëherë pas lufte, sepse janë intervista në periudhën kur këta nuk ishin bërë ende bashkë në luftën për pushtet dhe për pasurim. Kështu në këtë vazhdë po referoj këtu për ju dy intervisat të dhëna nga Rexhep Selimi dhe Lahi Brahimaj, përkatësisht. Rexhep Selimi në tetor të vitit 1999 tek “Zëri” javor, ndërsa Lahe Brahimaj në 22 qershor të vitit 2000 tek “Zëri” ditor. Në këto intervista ata japin edhe emrat e anëtarëve të Shtabit të Përgjithëshëm, dhe që janë shumë herë më të besueshëm se sa deklaratat e Ramushit me shokë, dhënë Prokurorisë në çdo kohë.

Sipas këtyre të dyve, anëtarë të shtabit nga viti 1996 deri në 1998 kanë qënë:

  1. Adem Jashari
  2. Xheladin Gashi
  3. Lahi Ibrahimaj
  4. Zahir Pajaziti
  5. Rexhep Selimi
  6. Sokol Bashota
  7. Nait Hasani

Ky Shtab Qëndror, siç është quajt atëherë dhe sipas këtyre dy intervistave, ka qënë aktiv deri në fund të janarit të 1997, kohë kur është vrarë Zahir Pajaziti (31 janar 1997) dhe është arrestuar Nait Hasani (27 janar 1997). Pas muajit janar të vitit 1997 Shtabi Qëndror (SHQ), të cilit i mungonin 3 anëtarë të tij, ka qënë shumë i cunguar, për mos të thënë jo evident, derisa ai shndërohet nga SHQ në Shtab i Përgjithsëm (SHP) i UÇK-së, më datë 11 qershor 1998, ku kemi riorganizimin dhe marrjen e formës së plotë të një shtabi të përgjithshëm ushtrie, duke u plotësuar ashtu sic duhej të ishte, shpallur me deklaratën politike N.3, “një domosdo e kohës” sikundër shkruan z. Jakup Krasniqi, në librin e tij “Kthesa e madhe”, Prishtinë, 2006, f. 90-92. Janë mbledhur në fshatin Negroc dhe kanë vendosur:

  1. Azem Syla, Komandant i Përgjithshëm,
  2. Sokol Bashota, zëvëndës komandant,
  3. Jakup Krasniqi, zëdhënës i SHP të UÇK,
  4. Rexhep Selimi, Inspektor Gjeneral,

Krijohet Drejtoria Politike me Kryeshef Hashim Thaçin dhe anëtarë Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Xhavit Haliti dhe më vonë Bardhyl Mahmuti.

Krijohet Drejtoria e Shërbimit Informativ me Kryeshef Kadri Veseli.

Krijihet Drejtoria Ekonomike dhe Financës, Kryeshef Lahi Ibrahimi.

Krijohet Drejtoria e Pushtetit Civil me Kryeshef Jakup Krasniqin.

Krijohet Drejtoria e Logjistikës dhe Furnizimit me kryeshef Xhavit Halitin.

Në këtë mbledhje, shkruan Jakup Krasniqi, kanë munguar me arsye Xhavit Haliti dhe Azem Syla, por nuk na jepet se cilët ishin pjestarët e tjerë të kësaj mbledhjeje dhe me çfarë atributesh ishin. Nuk na bëhet e qartë, gjithashtu, se a kanë qenë të autorizuar nga Kryesia e LPK-së apo nga cili organ tjetër politik janë apo ke përfaqësojnë këta që kanë marrë këto vendime.

Njëkohësisht z. Jakup Krasniqi na bën me dije se është krijuar edhe Drejtoria Operative, pa treguar se kush ishte Drejtor i saj, por dihet se ishte caktuar Bislim Zyrapi.

Thuhet se është krijuar Drejtoria e Policisë ushtarake, por nuk jepet Drejtori i saj. Dhe ajo që ngelet pikëpyetje, nuk thuhet se cili ishte emëruar Shef i Shtabit të përgjithshëm, por që dimë se atë detyrë e ka kryer Bislim Zyrapi deri në 28 Prill 1999, kur zevendësohet nga Agim Çeku me vendim të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nënshkruar nga Kryeministri Thaçi.

Për të shtënë në dorë dhe për ta plotësuar atë Shtab Qëndror të cunguar e inekzistent, prej Janarit 1998, që përmenda më lart, grupi Hashim, Jakup, Kadri e Ramë Bujë janë ndihmuar nga anëtarët e SHQ: Rexhep Selimi dhe Sokol Bashota, të cilëve u janë dhënë çelsat e kashtës, njëri Inspektor i Përgjithëshëm dhe tjetri Zevendës Komandant i UҪK-së. Këtej e tutje ligjin në udhëheqjen politike dhe ushtarake të UÇK-së e bënte pesshja: Xhavit Haliti, Azem Syla (nga Tirana) dhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi (brenda Kosovës), të gjithë të tjerët në përbërje të SHP nuk kanë pas asnjë të drejtë të hapnin edhe gojën. Duke qënë se me ndarjen e drejtorive u duhej edhe një Shef Shtabi, ata kanë komanduar në këtë detyrë përkohësisht Jakup Krasniqin.

Bazuar në librin e Shukri Klinakut “Vendimi fatal”, [botues “Çlirimi”, 2000, f. 81], mësohet se më 10 Maj 1998 në Drenovc të Malishevës është arritur një Marrëveshje lokale ndërmjet Sabit Gashit të LKÇK-së dhe Fehmi Lladrovcit, sipas të cilës të gjithë anëtarët e armatosur të LKÇK-së hyjnë nën komandën e shtabit lokal të UÇK-së. Të nesërmen, në takimin e zhvilluar ndërmjet Sabit Gashit e Fatmir Humollit me Rexhep Selimin, i cili fliste në emër të Shtabit Qëndror të UÇK-së, nënshkruhet marrëveshja për bashkim armësh në nivel vendi. Kësaj i ka paraprirë edhe një bisedë e gjatë ndërmjet Sabitit e Fatmirit me Rexhepin, pas së cilës Rexhep Selimi u nda më i kënaqur sesa kishte pritur. Pas kësaj është mbajtur takimi përfundimtar që u theksua më lart, më 11 maj 1998. Në atë marrëveshje midis Shtabit Qëndror të UÇK dhe Kryesisë së LKÇK-së, midis të tjerave thuhet: “Në takimin në fjalë është diskutuar edhe për krijimin e Frontit Politik të Luftës, i cili do të angazhohet në mënyrë intensive për bërjen e politikës së luftës dhe do t’i amortizoi të gjitha veprimet e dëmshme politike të çdo subjekti politik të Kosovës” (f.82). Por kjo marrëveshje u anullua me urdhër nga Tirana, theksohet në këtë libër. Në Tiranë, nga Ju dimë se ekzistonte i ashtuquajturi “Shtabi i Rognerit” që ishin Xhavit Haliti dhe Azem Syla dhe këta të dy, gjithmonë sipas Jush, “bënë bashkëveprimtarë Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin”. Pra, anullimi i asaj marrëveshjeje të rëndësishme politike për krijimin e një Fronti Politik është marrë nga dy persona të Kryesisë së LPK, Xhavit e Azem. Ç’tregon kjo? As më pak e as më shumë, se tashti LPK-ja ëshrë vetëm dyshja Xhavit dhe Azem, ndersa Kryesia e LPK-së egzistonte kot. Por fajin dhe përgjegjësinë për eleminimin e udhëheqjes politike të Luftës në Kosovë dhe veçanërisht të UÇK-së e kanë Xhavit Haliti dhe Azem Syla. Këta të katërt, Hashimi, Kadriu, Rexhepi e Jakupi kanë qenë masha të Xhavitit e Azemit. LPK-ja nuk njihet më fare prej muajit Maj 1998.

Në faqen 19 të dëshmisë suaj ju thoni: “Azemi ka rekrutuar në Kosovë Rexhep Selimin, Xheladin Gashin dhe Sokol Bashotën. Xhavit Haliti ka rekrutuar Nait Hasanin.”

Nuk jamë aspak dakort me ju kur përdorni fjalën rekrutim. Kësaj i bie sikur këta persona nuk kishin fare të bënin me luftën ose me atë çka ndodhte në Kosovë dhe këta i angazhuan për herë të parë, duka na e nxjerrë këtu Xhavit Halitin si një idealist.

G.

Në faqen 22 të dëshmisë suaj ju shkruani: “Meqë nuk kishim shtab, që do të koordinonte e komandonte shpërthimin e kryengritjes së armatosur në Kosovë, Kryesia e Lëvizjes (e emigracionit) u shpërngul nga Perëndimi në Tiranë, për të improvizuar shtabin. Kryetar i Kryesisë ishte Fazli Velia, nënkryetar Muhamet Kelmendi, sekretar Emrush Xhemajli, arkëtar Gafurr Elshani.Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Azem Syla e Rexhë Iberdemaj ishin anëtarë. Kryesia praktikisht në mars 1998e zhbëri SRV-në. Ajo Kryesi improvizoi rolin e shtabit deri nga mesi i prillit 1998.”

Ashtu si ju e specifikoni, pas një sërë tragjedish që i ranë grupeve të armatosura në Kosovë dhe atij shtabi të kryesuar nga Nait Hasani, UҪK mbeti pa shtab. Pamvarësisht se kryesia e Lëvizjes u zhvendos në Tiranë për të zëvendësuar shtabin, kjo është tepër absurde, pasi çfarë mund të bënte ky shtab nga Shqipëria. Ku ishte ndryshimi midis të qenit të tij në Zvicër apo në Tiranë? Kryesia e lëvizjes dështoi totalisht në këtë moment që t’i dilte për zot krijesës së saj, UҪK-së. Duke menduar ushtarakisht, veprimi më i arsyeshëm në atë kohë do të ishte që kjo kryesi të mos merrte mundim të vendosej në Tiranë, por të vendosej në Kosovë. Ibrahim, nuk ha ujku me të porositur. Në mos e gjithë Kryesia brënda, të paktën gjysma e sajë, në mënyrë që të koordinoheshin veprimet. Si është e mundur asnjë prej anëtarëve të Kryesisë së LPK-së nuk hyri brenda në Koasovë?! Ky ka qenë idealizmi i asaj Kryesie? Këtë veprim as Kryesia juaj nuk e bëri. Gjithashtu Kryesia e LPK-së dështoi edhe për faktin që nga marsi deri në fillim të qershorit, sikundër e shpreha në rastin e marrëveshjes me LKÇK-në, të emëronte një koordinator të ri për UҪK brënda në Kosovë ose të dërgonte atje një tjetër, kur e dinit që Hashimi kishte abuzuar me atë funksion. Ashtu si ju e shkruani, një pjesë e ish oficerëve të JNA (Ushtrisë Jugosllave) e panë që nuk kishte shtab, pra kjo vërteton që edhe ai shtab, që Kryesia e Lëvizjes improvizoi, nuk ishte një shtab, por vetëm një kryesi partie që pretendonte se mund të luante rolin e një shtabi. Përse në asnjë moment këta oficerë nuk u dërguan brenda në Kosovë dhe nuk u organizuan nga kjo Kryesi?

Me veprimet dhe, më së shumti me mosveprimet e saja, Kryesija e Lëvizjes në këtë periudhë nuk arriti ta mbushi vakumin e krijuar nga eleminimi i Zahir Pajazitit, Adem Jasharit dhe arrestimi i Nait Hasanit dhe pjesëtarëve të tjerë të UҪK-së. Unë e gjykoj se kjo ka ndodhur, të mos u ngelet hatri, për paaftësi të asaj Kryesie.

I gjithë ky vakum i krijuar u shfrytëzua më 10 e 11 qershor 1998 nga grupi i përbërë nga Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, të ndihmur edhe nga Rexhep Selimi e Sokol Bashota. Këta, duke shfrytëzuar vakumin dhe mungesën e një komande unike, me inisiativën e tyre bënë riorganizimin e ish-Shtabit Qëndror të prej vitit 1996.

Pamvarësisht se ju e keni specifikuar disa herë si puç, nga pikëpamja ushtarake ky veprim nuk është puç. Ky verprim i datave 10 dhe 11 qershor 1998 ishte i nevojshëm për vazhdimësinë e UҪK-së. I vetmi puç është veprimi i Xhavit Halitit në mbledhje të Kryesisë në Tiranë, ku kërcënoi gjithë Kryesinë dhe kjo dorëzohet para tij. Duke ia dhënë kështu udhëheqjen e luftës një njeriu të vetëm. Pra udhëheqia e LPK-së kapitulloi, u dorëzua, pasi e quajti veten të mundur, që do të thotë se e pranoi paaftësinë e saj për drejtimin e luftës për clirimin e Kosovës, dhe ia dorëzoi UҪK-në dy personave, Xhavit Halitit dhe Azem Sylës. Vetëm ky veprim mund të konsiderohet puç, por ky puç i është bërë LPK-së dhe jo UҪK-së.

Duke qënë se UҪK në ato momente gjëndej pa një Shtab të Përgjithëshëm, teknikisht veprimi i tyre nuk mund të konsiderohet puç ndaj UҪK-së, pavarësisht qëllimit të “puçistëve”, sikundër tregoi paslufta.

UҪK-ja ishte në pikën e sajë më kritike në këto momente dhe mungesa e një shtabi unik e çonte atë drejt një eleminimi. Ndaj verpimi i këtij grupi, edhe pse i bërë për qëllime vetëm personale, për të marrë në dorë kontrollin e kësaj force guerrile e veçanërisht financat që do të grumbulloheshin për atë luftë, u dëshmua si veprimi i duhur në momentin e duhur.

A e keni menduar në një moment se, nëse nuk do ishte improvizuar një lloj shtabi i tillë, i cili më e pakta të lëshonte komunikata, a do të kishim ne një UҪK të bashkuar, apo të gjitha formacionet e saj nëpër zona do të ishin shndërruar thjesht në grupe të armatosutra pa lidhje me njëri tjetrin?!

Në asnjë moment nuk arritën dhe nuk formuan një shtab të ri me profesionistë ushtarakë, ashtu si ju thoni në pikën 2.4 në faqen 24 të dëshmisë suaj, të paktën komandanti, nënkomandanti dhe Shefi i Shtabit të cilët nuk i mungonin Kosovës sikundër edhe u gjetën po në muajin qershor 1998. Thjesht futën veten në këtë shtab që ishte e domosdoshme që të riorganizohej. Persa i perket pikes 2.4, në 10 e 11 Qershor 1998, pamvarësisht se Hashimi nëpërmjet gojës se Jakup Krasniqit ka deklaruar se ka formuar Shtabin e Përgjithëshëm, në realitet në këtë datë është zgjeruar dhe kompletuar SHP dhe janë ndarë detyrat për drejtoritë, pasi këta nuk kanë mundur ta injorojnë Shtabin Qëndror të krijuar në 1995. Këtë e tregon edhe fakti i përfshirjes në këtë shtab me detyra të anëtarëve të mbetur gjallë nga shtabi i 1995.

Në këtë mbledhje Jakupi është emëruar zëdhënës dhe njëkohësisht është ngarkuar të kryej edhe detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithëshëm të UҪK-së, detyrë që e ka mbajtur deri në fund të nëndorit 1998, kur është komanduar në këtë detyrë koloneli Bislim Zyrapi, i cili në mbledhjen e datës 11 qershor ka marrë detyrën e Shefit të Drejtorisë Operative të shtabit. Si ka qenë e mundur që në vend që të emërohej Shef Shtabi i SHP Koloneli Bislim Zyrapi që vinte me një përvojë të madhe lufte, deri Komandant Divizioni në Bosnjë, por emërohet një mësues hitorie?! Në fund të nëndorit Jakupi kaloj zv/Komandant i Shtabit të përgjithëshëm, praktikisht zëvendës i Azem Sylës, në vend të Sokol Bashotës, duke ndëruar vendet e marra në 11 qershor. Po në këtë mbledhje në qershor, Sokol Bashota është caktuar zëvendës Komandant i shtabit të përgjithëshëm, detyrë kjo që pas disa kohësh ai ka dhënë dorëheqjen.

Një nga arsyet pse edhe Jakup Krasniqi është tashti nën akuzë, është pikërisht fakti se nga qershori i 1998 e deri në nëndor 1998 ka kryer detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK dhe, sipas Statutit të Romës i vitit 1999, neni 25, pika 3 bis, ngarkohet me përgjegjësi penale personi për vepra penale të kryera gjatë kryerjes së të cilave, personi në fjalë ka qënë në pozicion që të ushtrojë kontroll mbi ose të drejtojë veprimin politike ose ushtarake.

H.

Në faqen 23 të dëshmisë suaj, Ju shkruani: “Për bindjen time të deritanishme, Xhaviti dhe Azemie kanë paguar kriminelin Bislim Demiri, që ishte i afirmuar në Tropojë (në Veri të Shqipërisë) për vrasje me pagesë. Krimineli Demiri ishte shofer i shefit të Policisë, Jonuz Hyka, në Bajram Curr. Bislim Demiri, bashkë me vëllain e tij, Agimin, dhe dy-tre shokë, siç kanë rrëfyer njerëz mirë të informuar, më 9 maj 1998, në Qafë të Malit, në rrugën FushëArrëz-Bajram Curr, i kanë zënë pritë Ilirit, i cili po dërgonte sasi të madhe të armëve dhe municionit në Tropojë, prej ku do të futeshin ilegalisht në Kosovë. Ilirin e kanë shoqërouar mjeku tropojan Hazir Mala, një oficer i SHISH-it dhe dy ushtarakë të Gardës së Shqipërisë, siç ka rrëfyer para pak kohe i mirëinformuari Xhavit Haliti.”

Përsa i përket kësaj, jam i mendimit se duhen prezantuar edhe emrat e pjesëmarrësve të tjerë në atë vrasje të paramenduar. Grupi ka qënë i përbërë nga 5 persona, dy vellezërit Bislimi, Shkelzën Kurbala, Petrit Brahja dhe Safer Naja. Gjatë asaj prite nga grupi i vrasësve mbeti i vrare Agim Bislimi. Të nesërmen e ngjarjes Fatmir Haklaj vret Bislim Demirin, në shenj hakmarrje për vrasjen e doktorit Hazir Malës, pasi shoferi i Fatmirit ishte djali i Hazir Malës dhe kjo ishte lidhja që kishte Ilir Konushevci me Haklajt dhe arsyeja pse ata e ndihmonin Ilirin dhe UҪK-në. Ndërsa nga tre të mbeturit e tjerë, dy prej tyre kanë mbetur të vrarë në raste të ndryshme, në konfliktin me familjen Haklaj, ndërsa i vetmi, i cili vazhdon te jetë gjallë sot e kësaj dite, me banim në Belgjikë është: Petrit Brahja, i cili tashmë është i paralizuar pasi është plagosur në 2005 në Belgjikë.

Persa i përket grupit të shoqërimit që shoqeronin Ilirin ata kanë qënë vetëm dy oficerë të Shërbimit Informativ Kombëtar të asaj kohe, sikundër ka dëshmuar me shkrim në fejsbuk edhe Qerim Kelmendi. Futja e Gardes së Republikës në këtë mesele, mendoj se ështe bërë me qëllim nga ana e Xhavit Hlitit, për të humbur gjurmët e oficerëve të SHIK-ut vartës të tij, të cilët, çuditërisht as janë përmenur me emra, as janë sulmuar nga prita, e as janë prekur nga plumbat, e as nga banda (!!), por janë larguar të qetë me makinen e tyre, duke u kthyer mbrapsht për në Tiranë, madje pa bërë as një raportim zyrtar për ngajrjen si në polici ashtu edhe në SHIK(!!). Po ashtu këta oficerë të SHIK-ut, edhe pse kanë qënë të armatosur, nuk i janë përgjigjur aspak sulmit me armë, nuk kanë reaguar fare (!!), duke e lënë Ilirin dhe Dr. Hazirin vetëm në mëshirë të fatit dhe të bandës së vrasësve. A kemi të drejtën të shtrojmë pyetjen: mos vallë këta oficerë kanë qenë në dijeni të kësaj prite? Ose grupi i varsësve ka qënë në dijeni të makinës së ofocerëve të SHIK? Kush i ka njoftuar këta, kur vetëm tre persona e dinin për prezencën e SHIK në atë rrygëtim, Ilir Lonushevci, Fatos Klosi dhe Xhavit Haliti?

Këta oficerë Ilir Konushevci nuk i ka pas angazhuar vetë në shoqërim, por duke qënë se Iliri kishte vendosur që të lejonte Xhavit Halitin dhe Azem Sylën që të kishin dijeni mbi lëvizjet e armatimit dhe veprimeve llogjistike që ai bënte në Shqipëri, mendohet se duhet t’i ketë pranuar si kërkesë e Xhavit Halitit në një takim që ka pasur me të, dy ditë para ngjarjes. Në atë kohë oficerë të SHIK-ut të Shqipërisë shpesh herë shoqëronin makina me armatim si kërkesë e Xhavit Halitit ndaj Fatos Klosit, sikundër e pohon edhe vetë Fatos Klosi, të cilët ishin të lidhur si mishi me thoin, pasi Xhaviti me anë të këtij veprimi donte të krijonte idenë në gjithë strukturat e tjera të UҪK, përfshi edhe ato brënda në Kosovë, që ato të krijonin bindjen se vetëm Xhaviti dhe Azemi e kishin Shtetin shqiptar mbështetje, dhe se vetëm nëpërmjet tyre Shteti shqiptar do e ndihmonte UҪK-në. Ndërsa Fatos Klosit i interesonte kjo punë pasi kështu dinte me saktësi se ku e sa armatim qarkullonte në territorin e vëndit, përveç që duhet të ketë përfituar edhe financa prej tyre.

E vë në dyshim totalisht dekalaratën e Xhavit Hlitit se kanë qënë edhe dy oficerë të Gardës së Republikës. Kjo nuk mund të ndodhte asnjiherë, pasi Garda e Republikës varej dhe varet nga Ministria e Rendit, dhe direkt nga drejtori i përgjithëshëm i policisë, që në atë kohë ka qënë Sokol Bare, një person i rreshtuar totalisht kundër luftës dhe UҪK-së. Në rast se këta oficerë do të ishin marrë në shoqërim nga vetë Iliri Konushevci, atëherë ata do t’i ishin përgjigjur pritës me zjarr dhe as Iliri e as Haziri nuk do ishin vrarë.

Veprimi i oficerëve të SHIK-ut është një veprim prej burracakësh, por edhe veprimi i shefit të tyre, Fatos Klosit është i njëjtë. Në momentin që ata kanë arritur në Tiranë kanë qënë të detyruar të bëjnë raport shërbimi për Fatos Klosin dhe ky sipas ligjit në Shqipëri, sapo ka marrë vesh për vrasjen e dy personave, do të duhej që t’i adresonte ata oficerë pranë Prokurorisë ku ata të jepnin dëshminë e tyre. Por ky jo vetëm që nuk e ka bërë një gjë të tillë, por edhe sot e kësaj dite e mban të fshehtë emrat e atyre oficerëve. Me këtë mos veprim të tij, Klosi ka kryer veprën penale: ka fshehur moskallzimin e krimit, si dhe atë të pengimit të drejtësisë, gjë që len për të dyshuar shumë.

I.

Në faqen 29 të dëshmisë suaj, në pikën 2.4.1 ju shkruani: “Sylejman Selimi, Komandanti i parë i SHP-së” Dua t’u sqaroj se nuk qëndron ashtu si e keni paraqitur ju. Sulejman Selimi nuk është zgjedhur Komandant i SHP, por është zgjedhur Komandant i Përgjithëshëm i UҪK-së, detyrë kjo të cilën e reklamonte sa herë që mundte Azem Syla, edhe pse nuk kishte asnjë lloj vendimi, qoftë edhe nga Shtabi i riorganizuar në 11 dhe 12 qershor të 1998.

Mbledhja për të zgjedhur Sulejman Selimin Komandant të Përgjithëshëm është mbajtur më datë 12 shkurt e jo më 24 shkurt. Ajo mbledhje është mbajtur në fshatin Abri të Drenicës. Në atë mbledhje morën pjesë për herë të parë që nga fillimi i luftës, të gjithë komandantët e zonave operative: Ramush Haradinaj, Rrustem Mustafa, Rrahman Rama, Ekrem Rexha, Sylejman Selimi, Ahmet Isufi, si dhe i ngarkuari me detyrën e Shefit të Sh.P, Bislim Zyrapi dhe antari i Sh.P. Rexhep Selimi.

Në këtë mbledhje u mor edhe vendimi që komandantët e ZO të ishin anëtarë të SHP. Gjithashtu, po në këtë mbledhje u morr edhe vendimi për emërimin e Bislim Zyrapit Shef Shtabi, pasi deri në atë moment ai e mbante atë detyrë si i komanduar e jo si i emëruar. Për herë të parë, shtabi i UҪK-së mbante edhe procesverbal mbi vendimet që merrte dhe vendimet e tij i bëri edhe publike me anë të komunikatave për shtyp. Në atë mbledhje është zgjedhur edhe Adem Demaçi Komisar i përgjithshëm i UÇK-së.

J.

Në faqen 30 të dëshmisë suaj ju shkruani: “Marionetat komplotiste, pjesëmarrëse në Konfencë të Rambujesë, sidomos pseudokomandanti Azem Syla, e përjetuan rëndë zgjedhjen / caktimin e Sylejman Selimit për Komandant të UÇK-së.Ata i ka pas përfshirë ankthi për të ardhmen e tyre, prandaj atë zgjedhje / caktim të Sylejman Selimit e diskualifikuan si puç ushtarak. Por Sylejman Selimi u zëvndësua vetëm kur në Kosovë hyri Gjeneral-majori Agim Çeku, më 17 prill 1999.”

Po e filloj sqarimin tim për ju me fjalinë e fundit të asaj që keni shkruar. Nuk është e vërtetë që Agim Ҫeku zëvendësojë Sylejman Selimin. Agim Ҫeku ka hyrë në kosovë më 13 prill 1999, duke u gdhirë 14 prilli. Në datë 14 ka qënë në fshatin Devetak në Malin e Jezercës, që shërbente is vendqëndrim i përkohshëm i një pjese të Shtabit të Përgjithshëm. Në datë 26 prill 1999 Agim Ҫeku është emëruar nga Hashim Thaçi Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UҪK-së, me vendim të Qeverisë së Përkohshme duke zëvendësuar në këtë detyrë Bislim Zyrapin, i cili emërohet Komandant për Operacionin “Shigjeta” dhe Ndihmës Ministër i Mbrojtjes dhe niset për Shqipëri më 26 prill.

Emrimi i Ҫekut Shef i Shtabit të Përgjithëshëm, nuk e lëvizi nga detyra Sulejman Selimin, detyrë të cilën ai e mbajti deri në mesin e muajit maj 1999, kur me vendim të QPK suprimohet funksioni i Komandantit të Përgjithshëm (që tash e kryenti Kryeministri i QPK) dhe krijohet Garda Kombëtare dhe Sylejman Selimi emërohet Komandant i asaj Garde.

Është e vërtetë se anëtarët e Drejtorisë Politike të SHP nuk e pritën aspak mirë emërimin e Sulejman Selimit Komandant të UҪK. Dhe shpesh herë e kanë konsideruar edhe si puç. Por realisht ajo lëvizje nuk ishte puç, por një lëvizje e detyruar nga rrethanant e krijuara, ku Azem Syla, i cili e konsideronte veten Komandnat të UҪK-së, nuk ndodhej as në Kosovë e as në Shqipëri. Ishte në Rambuje. Po ashtu, edhe dretori i Drejtorisë Politike, si dhe Zv/komandanti i Shtabit të Përgjithëshëm Jakup Krasniqi, ishin në Rambuje. Si rrjedhojë lindi domosdoshmëria e kësaj mbledhje dhe e emërimit të personave të lartpërmendur në fshatin Abri.

Por pamvarësisht se këta që ishin në Rambuje e kanë konsideruar këtë si një sulm ndaj tyre, dhe e kanë kuptuar se nuk kishin asnjë lloj autoriteti mbi komandantët e zonave, janë trëmbur më shumë kur ata që kishin organizuar Konferencën e Rambujesë u kanë shpjeguar, se tashmë gjith Drejtoria Politike që ndodhej në Rambuje, nuk kishin më asnjë fuqi ose tagër për të firmosur asnjë lloj marëveshjeje. Dhe kjo jo vetëm për arsyen e zgjedhjes së Sulejman Selimit Komandant të UҪK-së, por edhe për krijimin e funksionit të Komisarit Politik të UҪK-së, duke u emëruar Adem Demaçi. Ky emërin nxirrte menjëherë jasht loje gjithë Drejtorinë Politike, pasi e drejta për të bërë e firmosur marëveshje politike tashmë, me vendim të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandantit të UҪK-së i jepej Adem Demaçit.

Ky emërim automatikisht bënte të pavlefshme dhe eleminonte Drejtorinë Politike të Shtabit të Përgjithshëm. Dhe si rrjedhojë prej datë 13 shkurt një pjesë e kësaj drejtorie nuk ishin më as anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm. Këta ishin: Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Bardhyl Mahmuti. Këta persona nuk mbanin detyra të tjera në UҪK, ashtu si mbante Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, ndaj prej atij momenti nuk ishin anëtarë të Shtabit dhe si të tillë nuk kishin kurrfarë tagri, as për të negociuar, as për të vendosur e as për të firmosur çfardolloj marëveshjeje. Prandaj dhe zë i parë në mbledhjen e Rambujesë gjatë diskutimeve ka qenë Jakup Krasniqi. Dhe këtu tashmë kemi cekur edhe pikën e anëtarësisë së Shtabit të Përgjithshëm, të cilën ju e prekni në faqet 26-27 dhe 28 të dëshmisë suaj. Që nga data 13 shkurt e deri në fund të luftës, teknikisht dhe juridikisht këta persona të lartpërmendur nuk ishin më anëtarë të Shtabit të Përgjithëshëm, por të Qeverisë së Përkohëshme.

Kjo është edhe një nga arsyet pse Hashimi nuk e firmosi marrëvshjen e afruar dhe u largua nga Rambujeja më datë 23 shkurt, pasi nënshkrimi i tij tashmë nuk kishte asnjë vlerë juridike. Madje, Hashimi nuk u largua vet me dëshirën e tijë, por atë e nisën ata që kishin organizuar atë konferencë, Anglezët dhe veçanërisht Francezët, që të arrinte të ndreqte këtë problem e të vazhdonte të mbante fuqinë për të firmosur. Një arsye tjetër e kthimit të tij në Kosovë ishte se Ibrahim Rugova edhe pse kishte pranuar krijimin e një qeverie të përkohshme dhe mandatari të ishte nga UÇK-ja, kishte këmbëngulur që kryeministër të ishte Jakup Krasniqi. Nëse ndodhte këshu, Hashi delte krejtësisht jashtë loje. Për këtë arsye Hashimi u kthye në fillim në Tiranë e pastaj, më 3 mars 1999, u nis për Kosovë, gjoja se do të merrte mendimin e komandantëve të zonave se cili duhej të ishte Kryeministër i QPK-së.

Kështu kemi ardhur te një pikë tjetër e dëshmisë suaj, në faqen 37 të saj, ku ju shkruani: “Gjatë gjithë kohës, sa kishte zgjatur Konfenca e Rambujesë, nga 6 derimë23 shkurt 1999, Z. Danjean, i kamufluar si “këshilltar” e si “shok”, i ka qëndruar mbi kokë Hashimit. Ai ka ndikuar në imponimin e Hashim Thaçit, si kryetar i Delegaciont të Kosovës në Konferencën e Rambujesë; ai ka komanduarqë Hashimi të refuzonte nënshkrimin e „marrëveshjes“ – për ta barazuar në faj Delegacionin e Kosovës me Delagacionin e Serbisë; ai ka komanduar nënshkrimin e “marrëveshjes” me pseudo presidentin Ibrahim Rugova – për Hashimin kryeministër të qeverisë së përkohshme. [Këto komplote edhe më idiotët e Lëvizjes i propagandonim si suksese të Hashimit…]
Kur amerikanët, gjermanët, anglezët, e kuptuan se DGSE-ja e kishte urdhëruar marionetën Thaçi, të mos e nënshkruante „marrëveshjen“, e bindën Presidentin e Francës, Jacques Chirac që të ndërhynte te DGSE-ja, tash për ta urdhëruar marionetën Thaçi që ta firmoste më 18 mars 1999 në Paris “Marrëveshjen e Rambujesë”.

DGSE-ja e urdhëroi të mosnënshkruante në 23 Shkurt, për arsyen që shpjegova më lart, pasi Rugova nuk e donte Hashimin kryeministër, gjoja “për të marrë mendimin e komandantëve në terren në Kosovë” dhe të kthehej me atributet e kryeministrit të qeverisë së përkohëshme si dhe për të detyruar Adem Demaçin që të jepte dorëheqjen nga Komisar i Përgjhithshëm. Ndryshe nuk kishte asnjë vlerë firma e tij.

Gjithashtu ajo që e bënte edhe më problematike gjëndjen e Hashimit në Rambuje ishte një deklartë e Sulejman Selimit dhënë agjencisë së lajmeve Associated Press me datë 16 shkurt në të cilën deklaronte: UҪK-ja nuk do të çarmatoset. Kjo deklaratë binte në kundërshtim me kushtet e marrëveshjes së ofruar në Rambuje, dhe që Hashim Thaçi edhe kur erdhi në Kosovë, në Shtab të Përgjithshëm, në datën 8 mars 1999, nuk i tregoi anjë anëtari të SHP se çarmatosja e UҪK-së ishte një nga pikat e Rambujesë, ndryshe ai kishte gjasa të mos lejohej të delte përsëri nga Kosova.

Ai u dërgua që të ndreqte këtë problem, por për ta ndrequr këtë problem teknikisht dhe juridikisht, do të duhej një mbledhje e re e SHP me në krye Komisarin e Përgjithshëm dhe Komandantin e ri të UҪK-së dhe në të cilën do të merrnin pjesë të gjithë komandantët e zonave dhe aty të merrej vendimi që t’i kthehej sërish fuqia Drejtorisë Politike ose të autorizohej Hashimi dhe grupi i tij. Këtë gjë Hashimi e dinte si buka që hante se ishte totalisht e pamundur, ndaj vendosi të organizoi një puç të vogel. Ai qëndroi në Tiranë dhe dërgoi në kosovë Jakup Krasniqin, Azem Sylën dhe Ramë Bujën, të cilët me të mbërritur kërkuan takim me Adem Demaçin. Në këtë takim morri pjesë: Adem Demaci, Azem Syla, Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Ramë Buja.

Në këtë takim, më 1 mars 1999, foli vetëm Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj. Këta të dy, por më së shumti Jakupi, i bënë presion Demaçit dhe i kërkuan të jepte dorëheqjen nga detyra që i kishte ngarkuar Shtabi i Përgjithshëm.

Jakupi pranoi që të bënte lojën e Hashimit pasi mendonte se ai do të bëhej President dhe Hashimi Kryeministër.

Ademi e dha dorëheqjen publikisht më datë 2 mars 1999. Të nesërmen, më 3 mars, Hashimi niset për në Kosovë pasi tashmë nuk kishte më pengesë dhe nuk i duhej që të mblidhej SHP. Por sërish edhe pse Demaçi dha dorëheqjen, detyra e krijuar nga vendimi i SHP mbeti vakant, dhe duke qënë se kjo detyrë nuk u plotësua dhe nuk kishtë më askush që të pengonte personalisht anëtarët e Drejtorisë politike, ata i dhanë tagrin vetes për të firmosur e për të përfaqësuar në Rambuje UҪK-në, edhe pse nuk kishte një vendim të tillë të SHP e as të Komandantit të UҪK-së. Ky është një puç i pastër që u bë në krye të UҪK-së.

Ndërsa, përsa i përket asaj që ju shkruani në faqen 37 të dëshmisë suaj: “Ajo zvarritje, mbi tre-javore, e nënshkrimit të marrëveshjes, ia pat mundësuar Serbisë të dislokonte ekstra trupa shtesë të ushtrisëdhe të policisësë saj në Kosovëqë ta sforconin terrorin serb mbi popullatën civile shqiptare.”

Duhet të sqarojmë se deri në datë 29 janar të 1999 Serbia kishte në Kosovë 92.000 (nëntëdhjet e dy mijë) forca policore dhe ushtarake, përvec që kishte mobilizuar të gjithë civilët serbë të Kosovës të aftë për armë. Duke filluar nga data 30 janar Shtabi i përgjithëshëm i ushtrisë serbe filloi të sillte forca të fresketa në Kosovë. Kjo sasi e forcave të fresketa që erdhi në Kosovë, duke filluar nga 30 janari 1999, përfundoi me datë 23 shkurt 1999. Gjatë kësaj periudhe ajo arriti të sillte në Kosovë rreth 40 mijë forca të tjera, duke e çuar numrin përgjithëshëm të forcave të saj ushtarako-policore në Kosovë në 132 mijë, përveç civilëve serbë të mobilizuar që shkonte gjithsej në 165 mijë. Dhe me datë 23 shkrut në përfundim të këtij dislokimi të forcave, Serbia nisi një ofensivë në rajonin e Vushtrrisë ku brenda ditës arriti të shpërngulte rreth 4.000 banorë të fshtrave përreth. Ndërsa goditjen e dytë e dha në datën 9 mars 1999, ku sulmoi Kaçanikun me rrethinë duke djegur shtëpi e shpërngulur rreth 5.000 shqiptarë. Pra mos firmosja e Hashimt për arsye karriere politike dhe jo për arsye të dëshirës së tij, pasi francezët kishin parashikuar që ta mbyllnin konferencën e Rambujesë me datë 19 shkurt, nuk ndikoi në ardhjen e trupave, por sërbet e shfrytëzuan mjeshtërisht këtë konferencë për të sjellë trupa shtesë. Nuk jam i mendimet se Hashimi duhet të mbajë përgjegjësi edhe për këtë.

K.

Në dëshminë tuaj në faqen 43 ju thoni: “Ta zëmë, rasti tepër tragjik i Komandantit Mujë Krasniqi, i cili, bashkë me 41 bashkëluftëtarë është martirizuar gjatë natës së 13/14 dhjetorit 1998, duke e kaluar ilegalisht atë kufi me 140 luftëtarë. Asnjëherë nuk kemi bërë pyetje, nëse edhe asaj radhe Azem Syla ua ka besuar për ‘shoqërim’ Fahredin Gashin apo ndonjë ‘faruk’ tjetër!!”

Sikundër më kanë treguar dëshmitarë okularë për atë grindje, është e vërtetë që një ditë para nisjes së grupit të udhëhequr nga Mujë Krasniqi, ka pasur një konflikt verbal goxha të acaruar midis Mujë Krasniqit dhe Azem Sylës. Por nuk është aspak kjo grindje për dekonspirimin e atij marshimi për në Kosovë. Të gjithë ata që janë ndodhur në Krumë, përfshi edhe fëmijët, ato ditë dhjetori 1998 e dinin se shumë shpejt do të nisej një grup i madh luftëtarësh për në Kosovës. Plus të gjitha komunikimet si telefonike ne atë kohë edhe ato me radio nuk ishin të koduara nga ana e asnjërës palë. Ndaj ka shumë faktorë që mund të kenë çuar në atë pritë. Gjithsesi futja e një kollone të tillë të madhe si në paradë, nuk besoj se do të mund të kalonte pa u vënë re si nga forcat serbe ashtu edhe nga spiunët e tyre që nuk mungonin si në këtë anë të kufirit edhe në atë anë.

Por gjithsesi lloji i pritës së bërë ndaj asaj kollone dhe fakti që në Krumë kishte gati një javë që gjith qyteti e kish marrë vesh se një grup i madh i UҪK-së po bëhej gati të kalonte kufirin, dhe duke pasur parasysh që Serbia kishte mjaft spiunë andej e këtej kufiri, nuk i ka shpëtuar ky rast. Sidomos kur flitej se grupi që do kalonte kufirin ishte një brigadë. E në realitet ishin vetëm dy kompania, pra, as edhe një batalion, vetëm 140 veta. Për këtë nuk i vihet faj Mujës pasi ai ishte pa shkollë ushtarke dhe nuk mund ta dinte që 140 veta bëjnë vetëm dy kompani. Të njëjtin gabim bënin edhe disa ish ofecerë të jugosllavisë të rreshtuar në rradhët e FARK-ut që konsideronin një grup me 40 vetë si brigadë, kur flasin për luftën në Koshare. Gjithsesi për realizimin e asaj prite forcat serbe kanë lëvizur trupa afër kufirit natën për mos të rënë në sy, dhe duke gjykuar nga dëshmia e të mbijetuarve rezulton se prita ka qënë në formën V, tepër e rrezikshme në taktikën ushtarake. Vetëm fati i ka ndihmuar që numri i të vrarëve në atë pritë të ishtë aq i vogël, për llojin e pritës. Pra shkurt ky rast është dekonspiruar nga vetë protagonistët gjatë organizimit dhe kalimit të gabuar të kufirit. Kur kalohet vija e frontit, edhe kufiri llogaritej vij fronti, asnjëherë nuk kalohet në kollonë, por në grupe grupe dhe në disa drejtime të ndryshme.

L.

Në faqen 44 të dëshmisë suaj ju shkruani: “Ajo vrasje, si edhe vrasja e kryeshefit të SHSSH, Selim Brosha, duhet të jenë urdhëruar nga UDB-ja serbe, që të evitohej dekonspirimi i spinunëve që ata të dy duhet t’i kishin rekrutuar.”

Pas lufte, një mik që kishte lidhje farefisnore me Selim Broshen, më fton ne takim me te pasi ai i kish shprejhur deshirën për të takuar ndonjë oficer që kishte ardhur vullnetar nga Shqipëria në luftën për çlirimin e Kosovës. Pas disa rezervave, më në fund pranova dhe u takuam në një lokal te “Kurrizi”, në lagjen Dardania në Prishtinë. Pasi u prezantua se cili ishte dhe çfare detyrash kishte kryer në Kosovë gjatë periudhës të Jugosllavisë titiste, i bindur se ne oficerat nga Shqipëria të ardhur në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës na kishte dërguar Shteti shqiptar, më shprehu kërkesën nëse unë apo dikush tjetër prej nesh, do t’ia mundësuar strehimi politik në Shqipëri.

Fillimisht u befasova se si ishte e mundur që ai, me atë detyrë që kishte pas në Kosovë, mund të më shtronte mua një oficeri të thjeshtë një kërkesë të tillë. Faktikisht Shteti shqiptar nuk na dërgoi në këtë luftë, por idealizmi ynë! Fatkeqësisht Shteti ynë edhe na pat burgosur pse u angazhuam në Luftë të Kosovës. Ai, megjithatë, nuk e besoi dhe nuk e besonte kurrë këtë sqarim timin. Ajo ishte bindja e tij. Disa ditë më vonë kërkoi përsëri takim. E pranova, me bindjen se do të ishte bindur që nuk mund ta ndihmoja jo unë, por cilido nga ne ificerat e ardhur vullnetarë në rradhët e UÇK-së. Ai përsëri erdhi me të njejtën kërkesë. Por këtë rradhë, duke më thënë troç: “E kam të domosdoshme largimin nga Kosova, se më rrezikohet jeta këtu nga dy-tri kuadro të niveleve të ndryshme të UÇK-së, duke përjashtuar Azem Sylën”, e duke na thënë se Azemi u ka rezistuar të gjitha torturave. Për ata të tjerët, që ai kishte merakun e hakmarrjes prej tyre, tregoi se kanë qenë në shërbim të Serbisë të futur në rradhët e rinisë dhe të studentëve si dhe të popullit në demonstratat e vitit 1981, por edhe më vonë. “Ata, vijoi ai, do të mundohen të më zhdukin, nga frika se unë do t’i dekonspiroj dhe dua t’i dekonspiroj, sepse ata nuk mund të punojnë dhe nuk do të punojnë për Kosovën, se nuk ka për t’i lenë Serbia, pasi unë e di se nga kush i kanë marrë dhe i marrin detyrat. Por, i vetmi shtet që mund të më ndihmloi është Shqipëria, pasi edhe atje ka politikanë që janë të lidhur me fije të sherbimit sekret serb.” Tha, gjithashtu, se ishte i gatshëm të bashkpunonte me organet e shtetit shqiptar për gjithçka ata do donin në këtë drejtim. Pas edhe dy takimeve këmbëngulëse të tjera të tij, u nisa drejt Shqipërisë dhe takova nje mikun tim qe në atë kohë ishte një nga zyrtarët me rëndësi të shërbimit informativ në Shqipëri. U habit por edhe e priti me entuziazëm të madh ndihmesën që mund të jepte Selim Brosha. Zyrtari më tha se do flas e do u kthej përgjigje. Pas disa ditësh më thirri në telefon dhe u takuam. Më tha se e kishte konsumuar me shefat e tij dhe ishin shprehur dakort t’i jepnin azil politik si dhe mbrojtje. Biseduam për prurjen e Selimit në Shqiperi, duke më kërkuar se në cilën datë do të mund ta sillja në Tiranë. U tregova datën e mundshme të shkuarjes në Prishtinë dhe, pasi ta bisedoja me Selimin, do t’u njoftoja datën se kur do të kthehesha prej andej. Ditën që u nisa drejt Prishtinës me makinen time me vete kisha edhe Babain tim, Dilaverin, por edhe Ismet Kryeziun. Vetem Dilaveri e dinte per çka po venim, pasi me Dilaverin e kishim takuar bashkë Selim Broshën, për ta bindur se ne kishim ardhur vullnetarisht në UҪK, e nuk na kish dërguar Shteti shqiptar. Ismet Kryeziu nuk dinte gjë, por meqë ne kishim rrugën për Prishtinë, rastisi që atë ditë edhe ai donte te kthehej në Prishtinë. U nisëm shumë herët në mëngjes. Rreth orës 09.00 kemi mberritur te hotel Gradi në Prishtinë dhe duke hyre aty, jemi takuar në hyrje me Xhavit Halitin dhe tre oficere te SHIK-ut te Shqiperisë që kryesoheshin nga Artan Meçe. Përvec Xhavitit / “Zekës” unë nuk i njihja të tjerët personalisht, por vetëm si fytyra. Ismeti i njehte personalisht dhe ne atë bisedë, në këmbë, njëri prej tyre thotë që mbrëmë në darkë kanë vrarë Selim Broshën. Mua sikur me ra një rrufe, ndërsa Ismet Kryeziu ju drejtua atyre me fjalët: “Prandaj paski ardh ju me e vra Selimin këtu?” Ardhja e tyre në ditën që ishte vrarë Selim Brosha mund të ishte e rastësishme, por përsëri të len të dyshosh.

LL.

Në faqen 49 të dëshmisë suaj, ju shkruani: “Në atë rast e pyeta, nga e kishte gjithë atë miqësi me Fadil Syleviqin. Rexhepi m’u përgjigj: “ka qenë pjesëtar shumë i vlefshëm i UÇK-së”. U trondita. „Edhe pse e ka zhdukur mjekun Hafir Shala?!“ ia ktheva dhe u largova nga tavolina ku isha i ulur vetëm me të.”

Fadil Suleviçi ishte ngarkuar me detyrë nga Rexhep Selimi që të hapte një pikë të UҪK-së në ZO të Llapit. Fadili me këtë leje a urdhër me shkrim nga Rexhepi e hap këtë pikë në ZOLL. Ky veprim nga ana e Rexhepit është totalisht jasht kompetenceva të tij si anëtar i SHP, pasi ai ishte vetëm inspektor i përgjithshëm dhe jo shef operative ose shef Shtabi. Edhe në rast te tillë, sërish pikat në ZO-të hapeshin me miratim të komandës së ZO-ve. Por ZOLL-i nuk kishte marrë asnjë lloj njoftimi as edhe nga Rexhepi për autorizimin qe kish lëshuar dhe as nga SHP. Duke ndodhur një gjë e tillë ZO e Llapit vendos qe ta arrestojë Fadil Suleviqin së bashku me personat e tjerë që ndodheshin në atë pikë që ky kishte hapur. Pas arrestimit ai është marrë në pyetje nga Hyzri Talla, i cili në atë kohë mbante detyrën e SHIK-ut të zonës, në prezencën edhe të Rahman Dinit, zëvendës i Hyzriut. Rrahmani më ka treguar se në fillim Fadili u mbrojt se ai kishte urdhër nga Rexhepi, e se gjatë gjithë kohës kish punuar për Rexhepin. Në një moment Hyzri Talla e provokon duke i thënë: “Po, e dimë, sepse edhe Rexhep Selimin e kemi arrestuar si spiun te Serbisë.” Në këtë moment, tregon Rrahmani: “Fadilit i iku gjaku dhe u zbardh i gjithi e nuk e hapi më gojën”.

Kur është ndaluar nga UҪK-ja, më ka treguar Rahman Dini, Fadili ka paraqitur edhe një letër autorizim të nënshkruar nga Nahit Hasani, që e autorizonte Fadil Suleviqin në emër të Shtabit Qëndror per ngritjen e ZO të Gollakut. Si Naiti edhe shoku i Naitit, Bislim Zogaj, kanë vazhduar miqësine e tyre me Fadil Suleviqin, si para lufte edhe mbas lufte.

Por pas disa ditësh, tregon Rahmani, aty në dhomën ku ishte i arrestuar, Fadilin e viziton Rustem Mustafa (Remi), Komandanti i ZOLL-it, së bashku me Latif Gashin. Këta vene në dijeni edhe Fatmir Humollin për Fadilin e arrestuar. Fatmiri, pasi vihet në dijeni edhe nga Hyzri Talla për dy autorizimet që paraqiti Fadili, e therret në tel Rexhep Selimin dhe i vë në dijeni që e kanë arrestur Suleviqin, dhe e pyet ca të bëjmëë me të? Rexhepi i thotë që mbasi e keni arrestuar, bëni si ta shihni të arsyeshme. Fatmiri e pyet Rexhën nëse ia kishte lëshuar ai një autorizim për krijim të një pike të UҪK-së në Llap. Rexhepi e pranon, por sygjeron ta verifikojnë ata vet, nëse punon për ne apo për serbët dhe të vendosin vet.

Atehere Fatmiri i thote: “Jo, në rast se ti ëa ke lëshu këtë autorizim, i bie që ky qeka burr i mirë e tash me na e lënë neve në derë, kjo nuk bën, prandaj po ia çelim derën të shkoi, po na the ti. Rexhepi i thotë: OK, lëshojeni atëherë. Dhe ata e lëshojnë Fadilin duke i thënë qe je leshuar me urdhër të Inspektorit te Përgjithshëm të Shtabit të Përgjithshem të UҪK-së.

Në gjyqin kunder Remit, në 2004, Fadili nuk i përmendi asnji nga keto dhe as emrat e tjerë, e as Rexhep Selimin e as Nait Hasanin, por vetëm Remin duke thënë: “Remi me ka vizituar në burg dhe askush nuk më ka rrahur ose keqtrajtuar”.

M.

Në faqen 32 të dëshmisë suaj keni shkruar: “Nuk kam asnjë dyshim për ndonjë krim konkret të Kadri Veselit, as se ishte marionetë e ndonjë shërbimi armiqësor, edhe pse, pas luftës, duhet të ketë organizuar shkuarjen e ca pjesëtarëve të UÇK-së, apo të TMK-së (nuk më kujtohet koha as numri i saktë), në një kurs trajnimi të DGSE-së, në Francë.”

Po, është e vërtetë që një grup djemsh, rreth 30, ish luftëtarë të UҪK-së kanë shkuar për trajnim në Francë pas lufte diku midis datave 15 korrik e deri në fund të shtatorit 1999. Ky trajnim nuk është bërë me kërkesë të Kadriut apo Hashimit, por me propozim të oficerit francez të DGSE, i cili kryesonte grupin prej tre oficerësh të këtij shërbimi informativ francez që Hashimi i dërgoi në SHP të UÇK-së në mesin e muajit Maj 1999, kur shkoi në Evropë me cilësinë e Kryeministrit të QPK-së. Aty ata kanë qëndruar gjithë kohës vetëm më Kadri Veselin dhe Agim Çekun e Nuri Bexhetin, duke mos lejuar asnjë anëtar tjetër të SHP të kontaktonte me ta.

Gjithsesi janë këta oficerë që propozuan bërjen e një trajnimi për një grup djemsh të dalë nga lufta për mbrojtje të afërt, shoqërim personalitetesh e disa veprime të tjera taktike. Ky propozim ju bë edhe Sulejman Selimit, i cili edhe organizoi grupin, ku futi pothuajse gjithë ish-pjesëtarët e njësisë speciale të Drenicës dhe disa ish anëtarë të disa njësive të tjera speciale të UҪK-së, dhe persona të tjerë, të cilët i zgjodhi ai. Këtë grup e morën francezët dhe e dërguan pranë Legjionit të Huaj Francez në Marseje ku edhe u trajnuna për të tilla veprime speciale e për punë shërbimi.

Përsa i përket trajnimeve tjera të shërbimit, të gjitha ato janë kryer nga oficerat e CIA. Këto trajnime u morren përsipër nga ata ne takimin e datës 20 Korrik 1999 në Shtab te Përgjithshëm në Prishtine, ku erdhi për vizitë drejtori i CIA për Evropn Juglindore.

Në atë takim, në të cilin mori pjese Agim Çeku, Sulejman Selimi, Kadri Veseli, Musë Jashari, unë isha perkthyesi, pasi isha i ngarkuar nga SHP edhe si koordinator ndërmjet këtij Shtabi dhe Shtabit të CIA në Tiranë, që kishin ardhur të ndiqnin luftën nga afër. Më pastaj duke qenë se SHIK i Kadri Veselit konsiderohej si institucion i Qeverisë së Përkohëshme, kane vijuar disa trajnime rradhazi te emëruara “Oversease” me numra përkatës rëndor 1,2,3,4,5, etj. Këto trjanime bëheshin edhe për pjesëtarët e TMK-së që i përkisnin drejtorisë së SHI të saj.

Ndërsa, përsa i përket fjalisë së fillimit ku ju thoni se Kadriu nuk keni dijeni përndonjë krim të tij, po ju them se ai ka qënë dhe vazhdon të jetë pjesë e NPK të kryesuar nga Xhavit Haliti gjatë luftës dhe nga Hashim Thaçi pas lufte. Po të jap vetëm një fakt.

Pas luftës, kur filluan të ktheheshin në Kosovë të gjithë shqiptarët e larguar, një nga ata që u kthye dhe hyri me forcat e FARK-ut, në datë 13 qershor, a diçka më vonë, ishte edhe Afrim Shureci. Afrimi është një nga ata ish oficerët e JNA që kish luftuar në krah të forcave Kroate dhe ishte edhe pjesëtar i njësive speciale të ushtrisë Kroate gjatë luftës, por që ishte edhe bashkluftëtar dhe shok i Bekim Berishës-Abesë. Dhe pikërisht si shok i tij dhe bashkluftëtar dhe shqiptar ai vjen në Kosovë së bashku me Bekimin në të njëjtën kohë edhe më Naim Malokun. Bakimi dhe Afrimi shkojnë në Drenicë, ku së bashku ngrejnë edhe njësinë speciale atje dhe shkollën e parë të UÇK-së. Por kur e përzënë Bekimin nga Drenica, njëkohësisht përzënë edhe Afrimin, pasi kish ardhur me Bekimin bashkë.

Njerëzit e SHIK-ut të Kadri Veselit e identifikojnë dhe e arrestojnë dhe e çojne diku në Kleçkë. Atje e mbajnë disa javë, duke e rrahur e keqtrajtuar, sikundër më ka treguar vetë Afrim Shureci. Dhe rrahjet e keqtrajtimet ia bënte një shqiptar tjetër i Kroacisë, i quajtur Esad Ҫollaku, i cili për një farë kohe bënte edhe truprojën e Hashimit pas lufte.

Jam i bindur që do ta kishin zhdukur fare Afrim Shurecin, po të mos kishte ardhur posaçërisht në Tiranë dhe ndërhyrë si e çmendur gazetarja e TV Zagrebit, Diana Rexhepi. Kjo vjen tek Ministri i Mbrojtjes i QPK-së, te Azem Syla, duke bërtitur me të madhe, dhe ai detyrohet ta takoi. Ajo i thotë Azemit se në rast se brenda javës nuk e lironi Afrim Shurecin, do shkoj në KFOR e do të kallzoj e mbaj ty personalisht përgjegjës për zhdukjen e tij. Dhe si për çudi, pas 72 orësh Afrimi lirohet.

SHIK-u i Kadri Veselit pas lufte, në prag të zgjedhjeve të para në Kosovë, duke mos u dalë paratë e fondit vendlindja Thërret, i kërkojnë ndihmë edhe Ilir Metës, në atë kohë kryeministër i Shqipërisë. Me preteksin se këta do i fitonin zgjedhjet e para parlamentare në Kosovë. Dhe ai, duke u besuar, u akordon 300 mijë dollarë nga buxheti shtetit, nëpërmjet SHIK-ut të Fatos Klosit. Si mendoni ju për cfarë i kanë përdorur këto para?

N.

Në faqen 52 të dëshmisë suaj, ju shkruani: “Fatmirësisht, falë edhe ndihmës mrekulluese, nëse mund të përdoret ky lloj poetizmi, të Alenacës NATO, – e cila ndërhyri vetëm për të evituar katastrofën humanitare në Kosovë, e jo për hir të UÇK-së; As se ishte aleate e UÇK-së; As për hir të shallit të Ibrahim Rugovës”.

Do të ishte jo vetëm naivitet por edhe mashtrim i mash nëse do të besonim këto që Ju shkruani se ndërkombëtarët me anë të NATO-s ndërhynë për hatrin tonë. Në asnjë mënyrë nuk kanë ndërhyrë për ne, por vetëm për t’u hakmarrë ndaj Sërbisë. Hakmarrje e cila ju erdhi pasi ata bënë të gjitha përpjekjet e mundura që Kosova t’i mbetej Sërbisë. Përpjekje që kishin nisur që në 1997 me takime të ndryshme e misione diplomatike në Beograd, dhe që kulmoji me mosnënshkrimin prej Serbisë të Marëveshjes së Rambujesë.

Ne shqiptarët sërish tregohemi naiv dhe disa edhe injorantë kur e quajnë atë marëveshje fitore. Marëveshja nëse firmosej nga Serbia nuk do të ishte fitore, por skllavërim; fitore ishte vetëm mos nënshkrimi nga ana e Serbisë. Në rast se Sërbia do e kish firmosur, atëherë Kosova sot do ishte pjesë e Republikës së Sërbisë, me polici e ushtri serbe, që do kontrollonte kufijtë dhe doganat e saj. Duke qënë se Milloshi jo vetëm që nuk pranoi ta firmoste këtë nder që po i bënte Perëndimi, por edhe u tall me ta, sidomos në majin e 1998 kur edhe organizoi një referendum nëse serbët pranonin ndërmjetësim ndërkombëtar për cështje të Kosovës dhe ku rezultoi se 95% e tyre nuk e pranonin këtë ndërmjetësim. Të gjitha këto dhe sidomos mosfirmosja e marrëveshjes së Rambujesë i dhanë fund durimit të ndërkombëtarëve dhe vendosën ta ndëshkojnë, duke organizuar një operacion ushtarak – të parin në historinë 50-vjeçare të NATO-s, që kualifikohet si ndërhyrje humanitare dhe që bëhej pa miratim të Këshillit të Sigurimit të OKB.

Në asnjë moment NATO nuk ka qënë aleate e UҪK-së. Aviacioni i NATO-s bashkëveproi me SHP të UÇK-së për nevoja të operacioneve të tij ajrore, se, që ta dish ti Ibrahim, aviacioni luftarak po nuk pati shënjë-tregim nga toka se ku ndodhen forcat që ai duhet të godasë, sidomos kur vepron mbi 5000 metra, sikundër veproi ai aviacion, e ka tepër të pamundur t’i gjejë forcat e kundërshtarit, sidomos kur ato fshihen. Dhe për këtë bashkëveprim Presidenti Klinton është shprehur: se po të mos kishte dhënë rezultat kjo, NATO-ja do të kishte futur atje forcat tokësore dhe ne ishim të vendosur të mos i largoheshim qëllimit tonë, ishim të vendosur për ta përmbysur spastrimin etnik.” ( Bill Klinteon “Ne luftën ju paqen”, gazeta “Albania”, 2000, f.127), por që pas lufte e pranuan që nuk ishin aleatë, pasi delegacioni shqiptar, me në krye Hashimin dhe Rugovën, e kishte pranuar në Rambuje çarmatosjen dhe shpërbërjen komplet të saj.

O.

Në faqen 53 të dëshmisë suaj, ju shkruani: “Koloneli Ahmet Krasniqi, më 3 mars 1998, i thirri fillimisht dy-tre ushtarakë, në banesë të tij, në Cyrih të Zvicrës, dhe ua paraqiti Planin e tij për formimin e ushtrisë, me emrin Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).”

Nuk është e vërtetë që FARK u krijua nga Ahmet Krasniqi dhe as në këtë datë. FARK-u është krijuar në nëntor të viti 1991 pak pasi ishte krijuar qeveria Bukoshi në Ekzil, me emërtimin Organizata e Oficerave Shqiptarë në Perëndim (domethënë FARK-u), e themeluar dhe organizuar nga Qeveria e LDK-së në Ekzil me në krye Bujar Bukoshin menjëherë porsa krijohet kjo Qeveri (shtator 1991-tetor 1999), nën patronazhin dhe financimin e saj në nëtor 1991, në përbërjen e së së cilës qenë grumbulluar 700 oficerë karjere të të gjithë llojeve të armëve e shërbimeve, “nga fusha e këmbsorisë e deri te pilotët e aviacionit ushtarak”, (shkruan në librin e tij Kemail Shaqiri), e që më pas u quajtën Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK). Koordinator i kësaj Organizate me Qeverinë Bukoshi emërohet Kemail Shaqiri në 2 prill 1992 e në vazhdim. Për këtë organizatë, të cilën Kryeministri Bukoshi e konsideron Forcat e Armatosura të Kosovës (FARK), Qeveria e drejtuar prej tij, në intervistën dhënë nga vetë Bujar Bukoshi, më 3 janar 2000 në RTK1, ka deklaruar: “Ju përkujtoj se vetëm në vitin 1993 janë shpenzuar 4,3 milionë marka gjermane.” Qysh në takimin e parë me Ministrin e Mbrojtjes Ramush Tahirin kësaj Organizate të Oficerave u është kërkuar çdo njerit të përpilonin plane dhe programe ushtarake në lidhje me veprimet luftarake, nga vendi i secilit prej tyre në Kosovë, aty ku ekzistonin kazermat dhe informata të dobishme për Ministrinë e Mbrojtjes. Kemi të drejtën të themi se kjo Organizatë Oficerash është organizuar dhe ka funksionuar si reagim kundër Lëvizjes Popullore të Kosovës që luftonte për çlirimin e saj nga Serbia, për të cilën flet qartë Kemail Shaqiri në f.49-50 të librit të tij “UÇK dhe lufta në Kosovë. Kronologji e ngjarjeve 1991-1999/2006)”, Prishtinë, 2019.

P.

Në faqen 56 të dëshmisë suaj, ju shkruani: “Më 25 qershor 1998. kolonelët Ahmet Krasniqi dhe Tahir Zemaj ia dolën të rekrutonin rreth 140 mercenarë”

Të gjithë këta 140 veta, me në krye 23 oficerë shqiptarë të ikur nga ushtria jugosllave dhe anëtarë të FARK-ut, u ndanë në 3 brigada me nga 40 veta secili(!), dhe hynë në Junik më 23 qershor 1998, dhe qëndruan aty deri në fund të gushtit 1998. Zgjodhen Junikun si pikë qendrimi sepse komandanti i UҪK-së në Junik ishte kryetar i Degës së LDK për Junikun dhe sistemohen në shkollën e fshatit Prapacan të Deçanit, me komandant Tahir Zemajn e Kemail Shaqiri, të cilët i kërkojnë Ramushit t’i dorëzonin komandën e zonës Tahir Zemajt. Aty janë kacafytur me fjale me Sali Veselin, shef operativ i ZO të Dukagjinit, i cili i urdhëron të largohen menjëherë dhe këta rivendosen sërish në Junik dhe më pas u ndanë në dy grupe, njëri shkoi në Lug të Baranit, ku kanë zhvilluar luftime mbrojtëse dhe në fund të muajit gusht 1998 dezertuan, u larguan nga lufta, duke ia dorëzuar armatimin policisë serbe dhe u sistemuan në Tropojë. Ata, më 9 prill 1999, filluan luftën në Koshare, dy javë pasi kishte filluar luftën Aviacioni i NATO-s, kur u bindën se lufta do fitohej nga UÇK-ja dhe, meqenëse deti u bë kos, morrën edhe këta nga një lugë. Vetëm njeri prej atyre oficerave, Kemail Shaqiri, shkoi në Drenicë, të cilin Sulejman Selimi e emëron Shef Shtabi të ZO të Drencës, por edhe ky morri urdhër nga Tahir Zema dhe në fund të gushtit iku bashkë me ta në Shqipëri. Deri kur fillon operacioni ‘Shigjeta’ edhe ky Kemail Shaqiri së bashku edhe me ndonjë dezertor tjetër vendosen në shtabin operacional të këtij operacioni në Shqipëri, në Kukës.

Në faqen 59 të dëshmisë suaj, ju shkruani: “Fatkeqësisht as kolonelët Bislim Zyrapi e Halil Bicaj, edhe pse me përvojë të madhe në luftën e Bosnjes, nuk ia dolën ta asgjësonin krejtësisht NPK-në, që vepronte në kaudër të UÇK-së dhe në kuadër të FARK-ut, por komplotet e tyre, kështu, arritëm t’i minimizonin.”

Përsa i perket Halil Bicajt po të them që Azemi e Xhaviti dyshonin që Halili kishte një lidhje me UҪK-në, disa herë e kanë biseduar këtë, por nuk i binin dot në fije se cila ishte lidhja e tij. Aq shumë ishin brengosur për lidhjet e tij, sa filluan ta konsideronin se po u prishte punë. Edhe pse ai nuk po kryente veprime kundër UҪK-së, biles të gjitha propozimet që ia patëm bërë i kish pranuar dhe plus edhe kur i kërkuam që të urdhëronte kazermën në Kolsh që t’i dorëzohej Ushtrisë shqiptare, ndërsa të gjithë ushtarët e FARK-ut që ndodheshim aty i patëm dërguar në Koshare. Dhe sërish Xhaviti dhe Azemi e kishin problem qe nuk e kishin kuptuar deri vonë, dhe për këtë arsye tentuan dy herë ta shmangnin me çdo lloj mënyre Halilin ( pyete më mirë Halilin për ato raste). Dhe sa herë që dështonin, çonin të nesërmen Jakup Krasniqin për të biseduar për ndonjë ndihmë ekonomike ose dicka tjetër. Por Jakupi ishte totalisht në padijeni se çfarë kishte ndodhur ose ishte tentuar një natë më parë. Ai me naivitetin e tij shkonte, i dërguar nga Xhaviti e Azemi, me mendjen për të biseduar, ndërsa ata e dërgonin për të testuar reagimin e Halilit dhe a kish kuptuar gjë ai nga veprimet e tyre. Më në fund ranë në mendimin se në një farë mënyre duhej të kish lidhje me Bislim Zyrapin ngaqë të dy kishin luftuar në Bosnjë e në Sarajevë, dhe vendosen që të hiqnin Bislimin nga Shef Shtabi dhe të çonin aty Agim Çekun (kjo është arsyeja e vërtetë pse e sollën Çekun) pasi ishin të bindur se nuk po e kontrollonin dot SHP, dhe ky ishte realiteti që nga fundi janarit ata nuk kishin kontroll absolut mbi Shtabin e Përgjithshëm. Nuk flas këtu per çështje llogjistike pasi ato i mbulonte bashkpunëtori i tyre në shtab, anëtari i LPK-së, Adem Grabovci dhe shoku i ngushtë i Adem Demaçit, Idriz Hyseni.

Dritan Goxhaj

Tiranë, më 21.12.2020

 

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.