Prokuroria e Pejës ka nisur hetim ndaj ish ushtarit të UÇK-së në Dukagjin, Shefqet Kabashit. Prokuroria e ka bërë këtë hap për shkak të deklaratave që Kabashi i bëri në emisionin “Pressing” në T7, ku tha se kishte marrë urdhër për vrajsen e gazetarit Rrok Berisha nga Komandanti i tij Alush Agushi.

42 vjeçari  nga rrethina e Pejës, ish-ushtar i UÇK-së, Shefqet Kabashi ka rrëfyer ekskluzivisht në “Pressing” se ka marrë urdhër nga komandanti i tij, Alush Agushi, për të vrarë gazetarin që ka shkruar për gazetën “Bota Sot”, Rrok Berishën.

Shefqet Kabashi fliste se si i kishin dhënë urdhër për ta vrarë Rrok Berishën. Thotë se i kishte shkuar edhe në shtëpi, “i thash çka ki problem me shtabin e Jabllanicës, më tha që nuk ka asgjë. I tregova që jam urdhëru për me vra.”, tha Kabashi.

Ju pëlqen!

Për deklaratat e Shefqet Kabashit i në Pressing, Prokuroria e Pejës ka nisur hetime, këtë informacion e ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.

Përmes një përgjigje me shkrim, Nikçi nuk ka konkretizuar nëse Kabashi është marrë në pyetje nga Prokuroria. Mirëpo, Nikçi thekson, se kryeprokurori ka përpiluar një shënim zyrtar, me cilin ka hapur rast për të verifikuar informatat e Kabashit.

“Prokuroria Themelore në Pejë, pasi ka analizuar emisionin e televizionit T7, përkatësisht emisionin “Pressing”, ku mysafir ishte Shefqet Kabashi, për ketë rast me datën 29 maj të këtij viti, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, ka përpiluar një shënim zyrtar, me të cilin ka hapur rast me qellim të verifikimit të informatave të lartcekurit, ku do të ndërmerren të gjitha veprimet  e nevojshme hetimore”, tha Shkodran Nikçi për Gazetën Express.

42 vjeçari nga rrethina e Pejës, Shefqet Kabashi, thotë se Rrok Berishën nuk e vrau sepse ia njihte familjen. Kabashi thekson se edhe po të ishte dikush tjetër në vend të Rrok Berishës, nuk do ta vriste.

“Rok Berisha ka pasur për të shkuar në Prishtinë, te qeveria e Ibrahim Rugovës për të parë se çka po ndodh. Ai ka shkruar në Jabllanicë dhe u ka thënë se e keni çu njeriun për ta vrarë”.

“E morën vesh të gjithë që kam marrë urdhrin për ta vrarë”, ka treguar Kabashi.

Më pas, Kabashi thotë se i ka dërguar letër Ramush Haradinajt për t’i treguar se ka marrë urdhër për ta vrarë Berishën.

“Ramush Haradinaj ma ktheu letrën dhe më tha se s’ka dijeni për këtë urdhër”, ka treguar tutje ish ushtari i Dukagjinit.

 “Më pas kjo temë ishte mbyllur”, deklaronte Kabashi në Pressing.

Se si u mbyll kjo temë, Kabashi e shpjegon në këtë video.

Ndryshe, emri i Shefqet Kabashit u rikthye në publik, gjatë javës së kaluar me rastin e 20 vjetorit të përkujtimit të masakrës në Burgun e Dubravës. Kabashi, njëherit i mbijetuar i kësaj masakre, doli përpara foltores, dhe ua tha në sy Kryeparlamentarit Kadri Veselit dhe zyrtarë tjerë të PDK-së si Hajredin Kuçi e Nait Hasaninuk se meritonin të ishin të pranishëm në këtë manifestim.

Ai insistonte të fliste edhe më shumë duke i thënë atyre “marrë duhet me ju ardhë”, por mënjëherë u arrestua.

Sipas njoftimit të policisë Kabashi u arrestua për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në këtë ceremoni. I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Shefqet Kabashi u dërgua në mbajtje për 48 orë, më pas u lirua.

Në masakrën e Dubravës, nga data 19 maj e deri 24 maj 1999, u vranë mbi 160 të burgosur, ndërsa masakrës i mbijetuan mbi 300 të tjerë.

Shefqet Kabashi ishte dëshmitari kryesor në procesin gjyqësor kundër kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili nga Gjykata e Hagës ishte dënuar me dy muaj heqje lirie për “refuzim të qëllimshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve”.

Kabashi kishte refuzuar të dëshmojë kundër Haradinajt në procesin e kaluar gjyqësor, kur kryeministri i Kosovës u shpall i pafajshëm.

Tani Shefqet Kabashi jeton dhe vepron në Amerikë.

Emisioni i plotë:

/Gazeta ExpressShpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.