Tani, të gjithë, apo një pjesë jo e vogël, e mbajmë mend atë njeriun që punon si kryeministër kur para disa vitesh, para disa muajsh, para një viti, more kurdoherë përpara të tanishmes, që njëherë e mohonte emigrimin masiv, e njëherë e intepretonte atë si shprehje të lirisë. Sepse sipas tij shqiptarët po kërkojnë kudo më të mirën për veten. Puna është se ikja ka një shpjegim objektiv, por edhe subjektiv.

Objektiv është ekonomia, krimi, korrupsioni, shkollimi, pasiguria. Subjektive janë arsye si p.sh pështjellimi i zorrëve kur sheh këtë në televizion çdo ditë, kur sheh Taulant Ballën dhe Belinda Ballukun që të flasin sesa shumë punojnë për të ardhmen tonë, kur sheh Sinan Idrizin, biznesmen thonë, që është i përdëlluar të investojë në arsim, po kur sheh Damian Gjiknurin që qesh kot. Kur sheh Ilir Metën që u bë mik i SHBA e kështu me radhë.

Këtyre të dytave qeveria nuk ka çfarë u bën, as opozita. Se ky stan këtë bulmet ka. Të parave po. Ndaj z. Rama sot na doli e na tha një të fshehtë për Shqipërinë që e ka bërë bahçe me lule.

Të gjithë ata që paguajnë nga 30 mijë paund për të marrë ato rrugët e frikshme të emigracionit, në kërkim të një parajse që nuk kanë për ta gjetur, mund të bëjnë ekonominë e tyre atje në Kukës.

Këtë nuk e them bazuar në një ëndërr, por bazuar në ato që kam parë.

Të gjithë ata që duan të bëjnë një agroturizëm ne jemi gati t’i mbështesim. Të gjithë ata që e kanë bërë fitojnë më shumë nga ç’do fitonin nga një punë në të bardhë apo të zezë diku tjetër, tha ai gjatë një analize për turizmin.

Ky është i njëjti njeri që deri më sot jo vetëm e injoronte publikisht problemin, por madje e ktheu në diskutim pikëpamjesh mbi perspektivën e secilit. Sot Shqipëria ofron mundësi, në agrobiznes. Dhe kështu ky bari shpirtrash të braktisur u kujtua që të mos e lërë zullumin të trashet aq shumë pse tashmë boshatisja e vendit është fakt.

Nga sa shohim e prekim në këtë vend, edhe kjo thirrje është e rremë. Për shpirt, z. Rama do donte që ca soj shqiptarësh jo të ikin, por as të mos ekzistonin. Ai do donte këtu ca ndërtues, ca restorante ku të shkojë të hajë, ca gazetarë që i bëjnë lajka dhe një fushë avionësh ku të ulet e ngrihet për nevoja të politikës së madhe që bën.

Të tjerët janë frymë, inekzistentë, njerëz që flasin dhe helmojnë ajrin e pastër të zhvillimit. Duhen edhe ca që bëjnë këngë. Kaq duhet. Një Shqipëri rustike me rreth 400 mijë banorë. Se kaq edhe votojnë PS-në, pra kupto – kaq edhe janë ata që punojnë dhe e duan këtë vend. Të tjerët…ngri supet e ec e kuptoje ça janë.

s.zaimi