Kristo Luarasi lindi në vitin 1875 në fshatin Luaras të Kolonjës, i biri i Papa Stefanit, prej të cilit mësoi shqipen. Studioi në shkollën e Hotovës, ku i dha mësim Petro Nini Luarasi.

Si shumë bashkëkrahinar të tij shkoi në mëgrim, në Rumani, u vendos në Bukuresht ku lëvizja çlirimtare shqiptare po ecte përpara me botimin e librave në gjuhën amtare. Kristoja hyri në shkollën që kishte hapur në Bukuresht atdhetari Nikolla Naço. Njëkohësisht ai mësonte në një shtypshkronjë rumune mjeshtërinë e tipografit. Punoi për traktatin teologjiko-filozofik, “Fletore e Bektashinjët të Naimit”.

Nga viti 1896 bashkë me Kosta Jani Trebickën shkoi në Bullgari dhe u vendos në Sofje, ku shqiptarët e mërguar në këtë qytet më 1893 kishin themeluar shoqërinë “Dëshira” e cila, si edhe shoqëritë e tjera të mërgimit, zhvillonte një veprimtari kulturore me qëllime të qarta politike.

Ju pëlqen!

Me ndërhyrjen e kryetarit të shoqatës, Dhimitër Mole, Kristo punoi në shtypshkronjën e shtetit. Shtypshkronja “Mbrothësia” shtypi abetare, gramatika, libra të këndimit dhe të shkencave. Kristo së bashku me Kostën dhe Mit’hat bej Frashërin arriti të botojë Ditërëfenjës-in ose Kalendarin Kombiar që u botua përvit me ndonjë shkëputje prej 1897 deri më 1928.

Shtypshkronja pati meritë për përhapjen e letrave shqipe dhe botimin e 37 vëllimeve që nga vëllezërit Frashëri, kristomatitë e përgatitura nga Gjergj Qiriazi, “Valët e Detit” të Spiro Dines, Hoxhë Vokës, etj. Në vitin 1899 Kristo P. Luarasi, sipas porosisë që kishte marrë edhe nga kryesia e shoqërisë “Dëshira” u nis për në Shqipëri, Kalabri e Siçili tek arbëreshët e Italisë, Stamboll, për t’u takuar me vëllezërit Frashëri.

Qëllimi i këtij udhëtimi ishte që duke u vënë në kontakt me rilindasit më të shquar të kohës të hartonin një program të përbashkët për botimin e librave të tyre në shtypshkronjën “Mbrothësia” me alfabetin e Stambollit.

Pasi u kthye në Sofje, më 23 shtator 1900, ai i dërgoi një letër përkrahësit dhe mësuesit të tij në Bukuresht, Nikolla Naços, ku, si përshkruan përipecitë e udhëtimit gjatë të cilit ai ishte i pajisur me tri pasaporta të rreme për t’u shpëtuar ndjekjeve që autoritetet turke u bënin të gjithë atyre që lëviznin me botime shqipe në duar.

Ndër të tjera, nënvizon se për mbarëvajtjen e përhapjes e kulturës dhe të librit shqip, shihet i nevojshëm krijimi sa më parë i një “shoqërie për shkollat dhe i një shoqërie për të shtypur librat”.

Ndërkohë Shahin Kolonja ndodhet në Sofje dhe pas punës përgatitore për grumbullimin e lëndës, më 1 nëntor 1901, në shtypshkronjën “Mbrothësia” u shtyp numri i parë i gazetës “Drita” me ndihmën austro-hungareze, të cilën e botoi prej 1901 deri më 1908. Abetaret e Shoqërisë së Stambollës u ribotuan dendur për t’u shpërndarë n’atdhe.

U martua në vitin 1904 me Polikseni Dhespotin nga Lunxhëria që ishte mësuesja e parë e shkollës së parë të vashave në Korçë. Pati tre djem dhe një vajzë. Më i madhi Thomai që pati mbaruar shkollën për diplomaci, Skënderi që mbaroi shkollën për inxhinier-arkitekt dhe Theodhorin i cili punoi për gjithë kohën në shtypshkronjë te cilën e administroi edhe pas vdekjes së Kristos, si dhe vajzën Margarita.

Synimi kryesisë së shoqërisë “Dëshira” si edhe i botuesit e drejtuesit të “Mbrothësisë” Kristo P. Luarasi ishte që arma e fuqishme e botimeve në gjuhën shqipe të ndikonte në mënyrë sa më të fortë në lartësimin e ndjenjës kombëtare.

Për këtë arsye u vendos transferimi i shtypshkronjës nga Sofja në qytetin e Selanikut, i cili ishte në atë kohë jo vetëm një qendër e rëndësishme e perandorisë turke po edhe një qendër e madhe e grumbullit të shqiptarëve kalimtarë, nëpunës e ushtrues mjeshtërish të ndryshme.

Më 3 nëntor 1911 në Sofje gjehet Fan Noli, i ftuar nga kolonia shqiptare me nisëm të Kristos, ku ai mbajti dy mesha në gjuhën shqipe. Sinodi i popullit bullgar vuri në dispozicion të tij kishën “Sveti Spas”. Vizitoi shtypshkronjën “Mbrothësia” dhe shtëpinë e Kristos.

Në vitin 1922 Kristoja u transferua familjarisht dhe me të gjithë shtypshkronjën në Tiranë ku vazhdoi punën e tij të mëparshme. Ai vdiq më 7 korrik 1934 në Tiranë.

Në vitin 1937 Theodhori që administronte shtypshkronjën i ndërroi emrin asaj duke ia kthyer në shtëpia botuese “Kristo Luarasi”. Kështu ajo vazhdoi deri në vitin 1947 kur u shtetëzua pa asnjë shpërblim nga qeveria komuniste e asaj kohe.

Mirënjohje

Nëntor 1962, dekoratë me Urdhërin për Veprimtari Patriotike të Klasit të II-të, ndërsa të shoqes po të njëjtin, por të Klasit të III-të.

Nëntor 1992 u dekorua sërish me Urdhërin për Veprimtari Patriotike te Klasit të I-rë.

Emrin e tij e mban sot një rrugë në qytetin e Tiranës.

Në vitin 2011 iu dha titulli Qytetar Nderi i qytetit të Ersekës.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!