Përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pas dëmtimit të përmendores së dëshmorit Fatmir Ibishi në Konçul të Bujanocit dhe vendosjes së flamurit serb mbi të.

Kamberi, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, ka shkruar se ky është akt që rrezikon paqen dhe stabilitetin dhe provokon shqiptarët në Konçul.

“Gjykoj ashpër provokimin e paprecedent të dëmtimit të përmendores së dëshmorit Fatmir Ibishi dhe vendosjen e flamurit serb mbi të. Ky akt rrezikon paqën dhe stabilitetin, provokon banorët shqiptarë të fshatit Konçul dhe Komunës së Bujanocit dhe nxitë situata të padëshirueshme për të gjithë”, shkruan ndër të tjera Kamberi.

Ju pëlqen!

“Është krejtësisht i pakuptimtë dhe i papranueshëm qëllimi që të tensionohet situata dhe të nxiten incidente me provokime të këtij lloji”, tha tutje ai.

Flamuri serb është vendosur sot nga persona të paidentifikuar në fshatin Konçul të Komunës së Bujanocit, në afërsi të përmendores së dëshmorit të parë të UÇPMB-së, Fatmir Ibishi.

Në anën tjetër, Zëvendëskryetari i Bujanocit, Shqiprim Musliu, e ka larguar flamurin serb nga aty dhe ka vendosur flamurin shqiptar.

“Prej këtu njoftoj faktorin ndërkombëtar, ku pas pak ditësh është marrëveshja e Konçulit, le të jenë ata në dijeni se çdo ditë po provokohen shqiptarët edhe në pjesët më të ndjeshme, pra tek dëshmorët. Bëj apel që të përcillet ky mesazh”, tha Musliu në ‘Facebook’, derisa bashkëngjiti edhe një video të momentit të vendosjes së flamurit kombëtar.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.