Si po prishet gjuha shqype?…

Gjyshat tonë, eh paçin dritë!
Njerz koktrashë, kurgja s’kanë dijtë:
……….Jan kenë t’hutuemun!…
Ata t’mjerët s’kan dijtë athera, 
as buon giorno,1) as kali spera,2)
as sabah sherif teheir-ollsun!3)
Na sot jem për t’u lavdue,
dijmë me folë, me bisedue
……….nga mendja jem holluemun!
Çojmë n’dhe t’huej djalin m’u msue,
kombin tonë m’e përparue,
……….dhen tonë m’e nderuemun;
rri n’shkollë djali pesë – gjashtë vjet,
kur vjen n’Shkodër, shqyp nuk flet,
……….Shqypen ka harruemun!!!!
Kur flet shqyp, asht çud m’e ndi
Gjys-për-gjys tue e përzi
……….me fjalt t’gjuhve t’hueja!…
Thotë: me thanë la verita4)
ktu në Shkodër sot diçka
……….jan civilizuemun…
La gioventu5) ka studiue
di me folë, me ragionue6)
……….po m’vjen mirë: bravissimo!
Veramente,7) n’shkolla t’hueja
me kenë me studiue dhe grueja,
……….kish me u ndritë il popolo,8)
Se n’dhe t’huej asht rispettata,9)
grueja asht emancipata,10)
……….nuk asht schiava11) e burrave!…
Dhe kah ana e Toskenis
ku janë shkollat e Greqis,
……….çud asht me i ndigjuemun;
atje Toskat t’thotë gjithehera:
mirëmbrëma, kali mera12)
……….si ta kam, kalla mu ise?!13)
Thuej: ç’po bahet nga Greqija?
T’thotë: atje është elefterija,14)
……….bota është e gëzuarë!!!
Nga Jakova e nga Pesrendi,15)
n’Stara Serbia(?!) ku i kishteni
……….msohet n’shkolla t’serbëve,
tue folë shqyp t’thotë me pahir:
si ja brate16), nadja e mirë,
……….dobro itro, kakoti?…17)
E kshtu gjuha po shëmtohet,
dhe kshtu kombi po mjerohet
……….nga shkollat e hueja!…

1898

MekuliPress.com/ Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Spjegim i fjalëve të huaja:

1) Mirëmëngjes (italisht)
2) Mirëmbrëma (greqisht)
3) Në kuptimin: Mirëmëngjes, të vaftë mbarë (arabisht)
4) E vërteta (it.)
5) Rinia (it.)
6) Në kuptimin: të arsyetojë (it.)
7) Vërtetë (it.)
8) Populli (it.)
9) E nderuar (it.)
10) E emancipuar (it.)
11) Skllave (it.)
12) Mirëmëngjes (greq.)
13) Mirë më je (greq.)
14) Liria (greq.)
15) Prizreni 
16) Vëlla (serbisht)
17) Mirëmëngjes, si je (serb.)

MekuliPress.com/ Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress