Trundyrët dhe trushplar

Hysamedin Feraj 

Fjala “trushpëlarë” nuk ka kuptim pa opozitën e saj: “trundyrë”. Prandaj ku ka trushpëlarë, presupozon se domosdo ka edhe trundyrë.
(Fundjave: më pëlqeka të zgjatem në këtë dialektikë të tyre):

Ju pëlqen!

I.
Në vetëvete të dy termat janë bosh, përsa nuk mbushen me përmbajtje. Përmbajtja e secilit, si mbiemër ngjitur trurit i referohet mendimit, jo thjesht masës lëndore biologjike që shënohet nga emri “tru”. Si folje, në shqip, shpëlarja tregon largimin, ndotja marrjen e papastërtive. Prandaj trurin e bën të ndyrë marrja e mendimeve të ndyrë, dhe të pastër largimi (shpëlarja) i mendimeve të ndyrë.
Çështja është pra: cili është mendim i pastër dhe cili i ndyrë, e kush vendos për këtë.
Gjithsesi, për këtë çështje nuk duket se ka ndonjë dallim të madh mes ndërgjegjeve të njerëzimit:
Për disa mendime, fakti që vetë ata që i kanë iu duhet me i fsheh nga publiku, si çdo flliqësi, tregon se edhe ndërgjegjet e tyre e dinë që janë mendime te ndyrë. Ky fakt është një dëshmi e pajtimit të ndërgjegjeve njerëzore se mes të ndyrëve bëjnë pjesë mendimet që i thonë “trurit”: pushteti shtetëror e mediatik, çfarëdo pushteti, duhet përdorë me u pasuru vet pushtetarët duke e grabitur popullin, duke i vjedhur shpresën për jetë me të mirë, duke tradhëtuar dëshmorët e falur kriminelët, duke shpopulluar tokën e të parëve e duke mashtruar zgjedhësit.
Në të kundërt, janë të pastër (të shplarë nga ndyrësitë) mendimet që i thonë “trurit”: politika mundet me qenë e moralshme, pushteti, çfarëdo qoftë, duhet përdor në favor të njerëzimit e jo vetëm të vetes, duhet luftuar korrupsioni i pushtetarëve dhe pakësuar privilegjet që i japin vetes, duhet luftuar mashtrimi i popullit me shpresa dhe lajme të rreme.
E tani, mbas përvojës:
Në mjedisin shqiptar nuk është vështirë të njihen trutë e bërë zhul nga mendimi i atillë i ndyrë: truri i PLANsave në Kosovë, i pushtetmbajtësve në Shqipëri, i gazetarëve dhe “intelektualëve” të tyre.
Po këta na tregojnë se Vetëvendosje e ka pastruar dhe shpëlarë trurun e aktivistëve dhe mbështetësve të saj. Sipas kuptimit literal të fjalës, po na thonë e ka shpëlar trurin nga mendimi i ndyrë i PLANistëve. Elisa Spiropali i quan trushpëlarë aktorët e famshëm shqiptar, mbrojtësit e Teatrit Kombëtar, dhe sipas kuptimit literal të fjalës, i bie të jenë pastruar nga mendimet e ndyrë të shefave të saj.

II.
Tej kuptimit literal-leksikor:
1. Trundyrët duan t’i japin fjalës shpëlarje një kuptim që nuk e ka të gatshëm: “truri i shpëlarë është pa asnjë mendim”. Në gojën e tyre, ky kuptim është i njësojtë me atë të brumbullit të bajgave që, duke u shtirë si filozof, bën pohimin metafizik: “çka s’është bajgë nuk është fare ushqim”. Sepse truri i pasur me mendim të pastër nuk mund as të imagjinohet prej tyre.
Megjithatë le ta pranojmë sfidën:
– Në plan më absolut, në një situatë hipotetike me zgjedhë mes atyre dy mundësive, do të kisha zgjedhë “trushpëlarë” në vend të trundyrë. Sepse një tru i shpëlarë nga çdo mendim është në harmoni me universin. Një tru i pasur me mendim të ndyrë është në kundërti me universin dhe anomali e tij. Një krustac me tru të pastër nga çdo mendim është në harmoni me natyrën e vet dhe me atë përreth. Një njeri me tru plot mendim të ndyrë është në kundërti me natyrën: atë të tij dhe atë njerëzore perreth.
Për nga përkufizimi, nëse një tru i shplarë është pa mendim, atëherë nuk ka me çka e ndyn një tru tjetër. Përkundrazi, truri plot mendime të ndyrë ka me çka të ndyj një tru tjetër.
Prandaj trushplarët mund të jenë produkt vetëm i trundyrëve.
2. Konotacioni negativ i një fjale me konotacion origjinal pozitiv:
– Në plan më relativ, atë historik, fjala trushpëlarje është përdorur për ata që, duke pasur vetë një mendim të ndyrë, e kanë ndotur me të masivisht trurin e të tjerëve si produkt. Ndër ta shquhen tipa të tillë me mendim të ndyrë si Savonarola apo Hitleri, Al Zawahiri apo Stalini e Millosheviçi.
Termi nuk përdoret për Linkolnin apo Uashingtonin megjithëse e kanë pastruar masivisht trurin amerikan nga mendimi i ndyrë skllavopronar, racist, etj. Nuk përdoret sepse ata e kanë mbushur trurin me mendim të pastër, si mendimi për liri e barazi njerëzore, për pavarësi dhe ndërtim të shtetit amerikan.
E sipas kuptimit leksikor të fjalës shpëlarje, si dora e fundit e larjes, e pastrimit, nuk ka kuptim që diçka të pastrohet nga pastërtia. Prandaj mbushja e trurit të tjetrit me mendim të pastër nuk quhet shpëlarje e trurit.
Fjala “shpëlarje e trurit” është rezervuar pikërisht për atë proces absurd të pastrimit të trurit nga pastërtia, nga mendimi i çiltër, dhe mbushja me mendim të ndyrë. Pa këtë moment absurdi, iracionalizmi, fjala shpëlarje nuk do ta kishte konotacionin negativ që ka.
E tani përmbledhtas:
Nëse shpëlarjen e trurit mund ta bëjnë vetëm trundyrët,
Nëse tru i ndyrë është truri i pasur me mendime të ndyrë,
Nëse te ne mendim i ndyrë është nënshtrimi ndaj kërkesave të Serbise, grabitja e qyetarëve, varfërimi i vendit, luksi dhe arroganca e pushtetarëve, korrupsioni, përdorimi i pushtetit për përfitim vetëm privat,
Nëse e gjithë kjo pasuri mendimi, siç është manifestuar në veprimet e tyre, janë mendime të Thaçit dhe PLANistëve, të Edi Ramës dhe të pushtetarëve të Shqipërisë,
Atëherë:
Trushpëlarjen, pastrimin e mendimit nga pastërtia, mund ta bëjnë dhe e kanë bërë vetëm Hashim Thaçi, PLANI, Edi Rama dhe ish pushtetarët e tjerë të Shqipërisë, me ndërmjetësimin e medies së tyre.
Prej këtej, filozofët e tyre tashmë trushpëlarë, “me të drejtë” mund të thërrasin mu si brumbulli i bajgës: “çka s’është bajgë, s’është ushqim!”; gjegjësisht “çka s’është mendim i Hashim Thaçit dhe Edi Ramës, s’është fare mendim!”.
(Uroj të mos e lexoj Kafka 😉).

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!