Shtetet e Bashkuara i kanë zemëruar Gjermaninë dhe Francën pasi dyshohet se kanë arritur t’i sigurojnë miliona maska nga Kina, të cilat fillimisht ishin të destinuara për tregun evropian. Kjo përplasje erdhi në kohën kur shtetet po përballen me krizë shëndetësore dhe mungesë të pajisjeve.

Të premten, zyrtarët gjermanë i akuzuan Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje në porosinë për 200 mijë maska që ata i kishin porositur në një fabrikë të Kinës, shkruan “Daily Mail

Pasi kompania që i prodhon këto maska në Kinë është në pronësi amerikane, Shtetet e Bashkuara arritën që t’i sigurojnë maskat speciale FFP2 dhe FFP3, të cilat ishin prodhuar fillimisht për punëtorët shëndetësorë që po përballen me koronavirusin në Berlin.

“Ne e konsiderojmë këtë si akt të piratërisë moderne. Ju nuk i trajtoni kështu partnerët tuaj trans-atlantikë”, tha ministri rajonal për punë të brendshme i Berlinit, Andreas Geisel.

Ai i bëri thirrje qeverisë gjermane që t’u bëjë presion Shteteve të Bashkuara që t’i respektojnë rregullat ndërkombëtare, ndërsa kryetari i Berlinit, Michael Müller, e akuzoi presidentin amerikan për mungesë të solidaritetit.

Ankesa të ngjashme ka edhe Franca. Dy zyrtarë francezë thanë të enjten se blerësit amerikanë e ofruan trefishin e çmimit të tregut për ta siguruar një dërgesë me maska, e cila fillimisht ishte caktuar për Francën. Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara i kanë mohuar këto akuza.