Albania's Prime Minister Edi Rama speaks during an interview with AFP in Tirana, Albania, on April 8, 2019. (Photo by Gent SHKULLAKU / AFP) (Photo credit should read GENT SHKULLAKU/AFP/Getty Images)
 

Kryeministri i Shqipërisë ka vetëzbuluar sot veten si më i miri në politikën shqiptare. Madje në mbarë shoqërinë shqiptare deri në vitin 2029:

“Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do ketë dhe sipas meje. Në 2021 jo e jo, deri në 2029 s’do ketë. Deri në 2029 do jenë bërë gati ata që po mësojnë me librat e Oksfordit, Kembrixhit dhe Prisonit, dhe ata pastaj s’do presin platformat tona për të aplikuar, por do vijnë dhe kë do gjejnë aty, s’e mua s’do më gjejnë, do e marrin përpara!”, tha z. Rama gjatë një fjale mbajtur në Kukës.

Po pse vallë është më i miri ky njeri dhe enturazhi i tij? Çfarë ka bërë më mirë? Për ta parë këtë le të shohim disa nisma të bujshme dhe shumë të kushtueshme të ndërmarra prej tij. Rilindja Urbane është një ndërhyrje që ka uniformizuar mbarë qytetet e Shqipërisë duke trajtuar si rilindje urbane rehabilitime bulevardesh dhe objektesh. Sot që flasim ne nuk kemi një raport serioz zyrtar se cili është ndikimi i këtij projekti në jetën e qyteteve, ndërkohë që ironikisht kjo rilindje urbane ka shumë më pak ndikim edhe në kuadër të konceptit që pretendon sesa procesi i Legalizimit të cilin ky zotëri e ka ngritur në kartë elektorale.

Ju pëlqen!

Të shohim pak më tëhu menaxhimin e pandemisë aktuale që përbën sfida madhore për çdo qeveri. Përtej izolimit të shpejtë dhe tërësor në muajt e pranverës, masat e marra nga qeveria shqiptare kanë ilustruar jo vetëm skematizëm dhe shabllonizëm, pse janë marrë kopje nga Italia, por edhe paaftësi për të trajtuar si duhet shëndetin e njerëzve që po rrit kostot në mënyrë të frikshme.

Sot që flasim trajtimi i çdo pacienti të infektuar, pavarësisht stadit të tij bëhet me antibiotikë, që sugjerohen nga mjekët pas një serie analizash gjaku dhe grafie. Nisja e trajtimit shkon diku te 30000 lekë të reja, ndërkohë që tamponi aktualisht kushton 120 euro në subjektet private.

Testimet e shpejta që kudo janë 10 euro, po shiten me 120 euro, një rekord më vete, kurse testi PCR ka shkuar në 7500 lekë të reja. Skaneri kushton 25000 lekë të reja në subjekte private, 12000 lekë në njësitë publike pa prenotim. Trajtimi në shtëpi i pacientëve për shkak se jepen antibiotikë venozë kërkon një infermier në përditmëri që shkon në 30000 lekë të reja për vizitë.

Në lojë së fundmi janë futur antiviralët. Favirapiri turk kushton 30000 lekë të reja për 5 ditë dhe në mjaft raste nevojiten 10 ditë trajtim. Deksametazoni u jepet edhe pacientëve që nuk kanë nevojë për terapi intensive, kurse Remdesiviri që përdoret në spitale kushton 60000 lekë një dozë në tregun privat. Shumë pacientë që janë të shtruar e blejnë vetë këtë barnë, efektet e së cilës nuk dihen.

Kaosi i bashkuar me marrëzinë dhe abuzimin janë një mishelë kriminale që buron nga paaftësia e institucioneve dhe nga një politikë që pretendon mjekësinë falas. Tanimë kushdo ka një të afërm, një familjar, apo një të njohur që ka kaluar CoVid-19 për të kuptuar se këto medikamente dhe mënyra sesi ato ofrohen janë kthyer në biznes. Ne shohim trajtim me antibiotikë pa asnjë shkak, pa asnjë prekje të mushkërisë si opsion parandalues, kur dihet mirë se kur përdoret antibiotiku dhe kur vetë përfaqësues të shëndetësisë apelojnë që të shmanget përdorimi i tyre në faza të lehta. Atëherë kemi të bëjmë me një treg të zi të shëndetit publik që tolerohet dhe madje krijohet nga paaftësia e qeverisë që mesa duket gjen te këto marifete mundësinë për të ulur barrën e vet. Mbijetesa e shqiptarëve kthehet kundër tyre, përsa kohë që zgjidhjet praktike dhe private po shërbejnë jo për t’i dhënë kohë sistemit të korrigjojë diçka, por për të mbuluar defektet kolosale.

Dhe ky njeri sot deklaron se është më i miri mes nesh! Ky dështak pretendon pa asnjë skuqje se si ai nuk ka. Të dështosh kështu në fakt është gjë e lehtë sepse vështirë të besohet se ky degradim me shëndetin të ndodhë gjetkë. Patjetër që faji nuk është vetëm i z. Rama. Por ama qeveria nuk po tregon ndonjë vullnet që të marrë në kontroll një situatë që do të ketë pasoja të mëdha. Jo vetëm kaq, por bën fushatë duke na kujtuar vitin 2029 sepse kështu mendon se dërgon mesazhe të koduara për Ilir Metën.

Çatia e këtij vendi ka rënë e duket se ka zënë poshtë miletin si të tërë që tashmë as nuk ikën dot edhe sikur të dojë. Është thuasje e pamundur të parashikohet se çfarë mund të ndodhë në një situatë të tillë ku kryeministri që duhet të menaxhonte vështirësitë, provokon gjithkënd me një vanitet dhe snobizëm që nuk dihet nga se buron.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.